EKSKLUZIVE/ Derbi në merkato, Partizani dhe Tirana ofertë mesfushorit të Kombëtares! Të kuqtë i ofrojnë 120 mijë euro, ja prapaskenat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 22:24

EKSKLUZIVE/ Derbi në merkato, Partizani dhe Tirana ofertë mesfushorit të Kombëtares! Të kuqtë i ofrojnë 120 mijë euro, ja prapaskenat (E PLOTË)

Ergys Kaçe mund të jetë transferimi i bujshëm në mbylljen e merkatos së Kategorisë Superiore. Për mesfushorin korçar, që prej disa javësh është lojtar i lirë, pasi ka prishur kontratën me Arisin e Selanikut, po luhet një derbi jashtë fushës.

ergys kace shqiperi moldavi

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Partizani dhe Tirana i kanë bërë ofertë konkrete 28-vjeçarit, por ky i fundit ka lënë gjithçka pezull me shpresën se mund t’i dalë diçka më e mirë për të vazhduar karrierën.

Ditët e fundit lojtari ka qenë në Korçë dhe drejtuesit e Partizanit kanë lëvizur të gjithë “gurët” për ta bindur, madje duke i bërë një superofertë.

OFERTA E TË KUQVE

Burime të sigurta pranë lojtarit, i treguan dje gazetës se së fundmi me Kaçen ka folur personalisht drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama.

Mesfushorit i është bërë një ofertë zyrtare, me klubin e kuq që është i gatshëm të japë 120 mijë euro në vit. Shtatshkurtri korçar, që numëron 25 ndeshje dhe 2 gola me fanellën e Kombëtares shqiptare, i ka lënë “demat” në një situatë pritjeje, por interesi i të kuqve është që negociatat të mbyllen sa më shpejt.

Pasi u sfumua pista për të marrë një tjetër ishmesfushor të Kombëtares si Migjen Basha, tashmë drejtuesit e Partizanit duan patjetër ta forcojnë këtë repart me një emër me peshë dhe Kaçe është ai që Daja po pret.

OFERTA E BARDHEBLUVE

Historia e Kaçes me Tiranën është më e vjetër. Bardheblutë kanë qenë të parët që kanë shfaqur interes për mesfushorin, pikërisht në momentin kur kanë mësuar se ai ka dalë lojtar i lirë.

Por, gjatë muajit korrik, korçari ka refuzuar dhe kësisoj drejtuesit bardheblu kanë parë për mundësi të tjera në rolin ku luan korçari.

U afruan Vesel Limaj dhe Enur Totre, por tashmë që u shit Jurgen Çelhaka në Poloni te Legia e Varshavës dhe Kaçe ende është pa skuadër, Tirana iu rikthye sërish pistës së korçarit, bardheblutë janë gati të japin shifrën që ka ofruar edhe Partizani.

kACE

DILEMAT E MESFUSHORIT

Kaçe ka refuzuar disa opsione në Superligën greke dhe atë qipriote gjatë dy muajve të fundit, por gjithashtu oferta nga skuadra të Ligës së Dytë në Turqi, ku luajnë disa lojtarë shqiptarë. Apollon Smirni dhe Panatolikosi ofruan 120 mijë euro për mesfushorin, por ai i refuzoi me idenë se mund të luajë jashtë Greqisë, në një kampionat më të fortë.

Mirëpo, tashmë është ende pa ekip dhe opsioni i transferimit në kampionatin shqiptar mbetet i fundit. Mirëpo, pasi të presë edhe disa ditë, nuk është çudi që Kaçe të pranojë ofertën e Partizanit apo Tiranës. Prej rreth dy vitesh lojtari ka humbur edhe Kombëtaren.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"