EKSKLUZIVE/ “Dëmtimet më prishën magjinë e golave”, Xhixha: Dua që Seferi të shënojë deri në fund dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 12:30

EKSKLUZIVE/ “Dëmtimet më prishën magjinë e golave”, Xhixha: Dua që Seferi të shënojë deri në fund dhe…

Redon Xhixha është i bindur. Tirana do të domi nojë edhe vitin tjetër futbollin shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i bardhebluve foli për golin e shënuar me Vllazninë, por edhe për të ardhmen. Pranon se e kanë shqetësuar dëmtimet, ndërsa objektivi kryesor i Tiranës është të shkojë në fazën e grupeve në një nga kompeticionet europiane.

XHIXHA

Tjetër gol në kampionat, duke treguar se Redon Xhixha është vrasës i të mëdhave…

Po, tjetër gol shënova dhe jam i lumtur për këtë. Për më tepër që kisha disa ndeshje që nuk po shënoja dot.

Patët edhe mundësi të tjera, ndërsa më pas u zëvendësuat. Mund t’i kishit shtuar statistikat?

Po, në pjesën e dytë kishim më shumë hapësira në fushë dhe kishim mundësi shënimi më shumë, por nuk ishim të saktë para porte. Gjëra që ndodhin në futboll.

Çfarë prisni nga këto dy javë të mbetura të sezonit? Mund të jeni edhe ju golashënues?

Në këto dy javë pres të shënoj ndonjë gol tjetër, por edhe që Seferi të shënojë e në fund të fitojë “Këpucën e Artë”.

Duke e marrë me kujdes gjithë sezonin, mund të kishit shënuar më shumë në këtë kampionat?

Të them të drejtën, mund të kisha shënuar më shumë gola. Dëmtimet më kanë penguar disi në këtë pjesë. Po ta llogarisësh nga fillimi në fund, janë 9 ndeshje që nuk i kam luajtur nga dëmtimet ose jam futur si zëvendësues.

Kampion që vitin e parë me Tiranën. Një skuadër që nuk e vuri asnjëherë në diskutim titullin?

Kampion që në vitin e parë, realisht jam shumë i lumtur për këtë. Dhe skuadra është shumë e mirë duke parë që e kemi marrë vendin e parë në javën e katërt dhe nuk e lëshuam më. E dominuam gjithë kampionatin dhe e merituam. Kjo është forca e një skuadre.

Çfarë ka të veçantë Tirana në këtë kampionat nga të gjitha skuadrat e tjera?

Tirana është ekipi me më shumë trofe dhe jam krenar që jam pjesë e këtij ekipi. Me çunat jemi të gjithë të bashkuar si një familje.

Grupi është i plotë. Kjo skuadër mund të dominojë edhe sezonin e ardhshëm?

Pa diskutim që po. Tirana është një ekip me një grup shumë të mirë dhe mendoj se do të bëjë mirë edhe në vitet në vazhdim.

Flitet për Kupat e Europës. Mund të shkojë kjo skuadër në fazën e grupeve?

Pse jo. Grupi është i mirë dhe me pak fat shpresojmë të shkojmë në fazën e grupeve.

Redoni është në qendër të vëmendjes në merkato. Ka ndonjë gjë konkrete?

Interes ka, por të shikojmë nëse do të konkretizohen në ditët në vijim. Më shumë se kaq nuk mund të them.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"