EKSKLUZIVE/ Debat mes presidentit dhe trajnerit, ja çfarë ndodhi gjatë ndeshjes Skënderbeu-Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 0:01

EKSKLUZIVE/ Debat mes presidentit dhe trajnerit, ja çfarë ndodhi gjatë ndeshjes Skënderbeu-Laçi

Pas tre muajsh Skënderbeu rikthehet të luajë në Korçë, teksa për herë të fundit e kishte bërë më 9 mars, kur kishte mposhtur Kukësin. Edhe pse ndeshja ishte pa tifozë, ultrasit bardhekuq kishin gjetur një cep në pjesën jugore të stadiumit për të mbështetur skuadrën. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme.
Laci festa e golit
* Në ndeshjen e djeshme trajneri Ilir Daja është dashur të heqë dorë nga dy qendërmbrojtës, pikërisht nga Bajram Jashanica dhe Artim Pollozhani, të cilët kanë qenë të dëmtuar. Kjo bëri që Daja t’i zhvendoste lojtarët në fushë, duke rikthyer Ditën qendërmbrojtës.

* Ish-trajneri i Laçit, Besnik Prenga, është parë dje në tribunën VIP të stadiumit të Korçës. Duke qenë skaut i Lokomotivës së Zagrebit, trajneri shqiptar po ndjek me vëmendje disa lojtarë të Laçit.

* Presidentët Pashk Laska dhe Ardjan Takaj e kanë parë pranë njëri-tjetrit ndeshjen, në një tribunë të mbushur në kapacitetin e lejuar, ku vihej re një prezencë e madhe e delegacionit kurbinas. Madje, goli i shpejtë çoi në këmbë zyrtarët e Laçit, që janë kujdesur të bëjnë batuta me njëri-tjetrin.
CUNGU LASKA

* Në mesin e pjesës së parë, presidenti i kurbinasve acarohet me pjesëtarët e stafit mjekësor, ku i kërkoi llogari mjekut të mbante pranë telefonin për udhëzimet që vinin në drejtim të trajnerit. Udhëzime, të cilat me kalimin e minutave po shtoheshin, aq sa edhe Cungu nuk duroi dot më. Kritikat për ndryshim në lojë nga ana e Laskës nuk i priti mirë trajneri, duke iu kthyer një moment me këto fjalë: “Po çfarë ke o burrë? Shumë mirë jemi…”.

* Trajneri Cungu vazhdimisht ka qenë i pakënaqur me Lushkjen dhe Xhixhën për pasivitetin në fushë, derisa më pas i ndërroi të dy. * Pas përfundimit të ndeshjes, delegati i FSHF-së, Besnik Çela, nuk ka lejuar gazetarët të hyjnë në ambientet e stadiumit për të bërë intervistat me trajnerët. Sipas tij, një gjë e tillë është e ndaluar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"