EKSKLUZIVE/ “Daliç na ftoi për kafe”, Ahmataj: Ja si e bëri skuadrën e Dinamos për vete

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 20:13

EKSKLUZIVE/ “Daliç na ftoi për kafe”, Ahmataj: Ja si e bëri skuadrën e Dinamos për vete

Julian Ahmataj thotë fjalët më të mira për Zllatko Daliçin. Ish-mbrojtësi i Dinamos tregon se trajneri kroat i bëri të gjithë për vete brenda pak ditësh dhe kjo i surprizoi.

Ahmataj

“Nuk ishim mësuar që të huajt të ishin aq miqësor dhe aq të afrueshëm. Zakonisht silleshin si rreshterë kur drejtonin ekipet shqiptare. Daliç ishte e kundërta e kësaj, të impononte respekt”, tregon Ahmataj për “Panorama Sport”.

A e prisnit që Kroacia e Daliçit të kalonte edhe Brazilin?

Jo, të jem i sinqertë jo. E di që Kroacia është skuadër shumë e fortë, por mendoja se Brazili kishte më shumë shanse. Në fakt më surprizuan dhe mendoj se e merituan. Sakrifica shpërblehet gjithnjë.

Ju keni punuar me Daliçin kur ai drejtonte Dinamon në sezonin 2008-2009, ç’mendim keni për të?

Daliç të impononte respekt duke u sjell shumë butë.

Ç’do të thotë kjo?

Ishte shumë i kujdesshëm në raportet njerëzore. Lojtarët i konsideronte si shokë jashtë fushe. Madje na ftonte edhe për kafe. Diskutonim lirshëm me të, nuk mërzitej edhe me ndonjë batutë papjekurie nga ana jonë. Ishte shumë i mirëkuptueshëm. Dallohej qartë që nuk kishte as hile në punën e tij dhe as tendencë.

Po gjatë stërvitjes si ishte?

Detajist i paparë. Merrej edhe me gjërat më të vogla. Ishte edhe shumë serioz gjatë orarit të punës. Ndonjëherë edhe mund ta tepronte, por menjëherë më pas gjithçka normalizohej dhe ai ishte kaq i sjellshëm saqë të bënte të ndiheshe në siklet nëse nuk realizoje ato që kërkonte ai. E fitoi besimin e skuadrës për pak ditë dhe kjo më ka befasuar shumë.

Pse ju ka befasuar?

Sepse të huajt e tjerë, shumica e tyre pra, silleshin shumë strikt dhe ndonjëherë dukeshin si rreshterë, në kuptimin që mbanin distanca të qarta me grupin. Por kjo nuk ndodhte me Daliçin, ai sillej shkëlqyeshëm me ne dhe mendoj se i merrte maksimumin çdo grupi që kishte në dispozicion.

Po taktikisht sa i përgatitur ishte?

Shikoni, kur Daliç erdhi te Dinamo ai sapo kishte lënë futbollin dhe po hidhte hapat e parë në trajnim. Por ishte vërtetë shumë i përgatitur që në atë kohë, sepse studionte, ishte i kujdesshëm në raportet njerëzore dhe shumë kërkues në stërvitje. Nuk neglizhonte asgjë gjatë procesit të punës dhe padyshim këto janë cilësitë e një trajneri që mund të bëjë një karrierë shumë të mirë, siç edhe në fakt e ka bërë Daliç.

A keni ruajtur raporte me të?

Jo, për hir të së vërtetës. Ndonjëherë rrugët e jetës na çojnë në drejtime të ndryshme, por natyrisht që jam i kënaqur dhe më bëhet qejfi për të, sepse ishte një person special.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"