EKSKLUZIVE/ “Daja shumë i zoti, ja pse fiton Partizani”, Lorenc Trashi: Unë dhe Doka jemi njëlloj, kemi dhënë më shumë se 100%

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2021 | 20:33

EKSKLUZIVE/ “Daja shumë i zoti, ja pse fiton Partizani”, Lorenc Trashi: Unë dhe Doka jemi njëlloj, kemi dhënë më shumë se 100%

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës luhet nesër, me dy skuadrat që do të synojnë të marrin triumfin dhe të jenë ekipi anti-Vllaznia këtë sezon. Specifika e ndeshjes derbi dihet, favorit nuk ka. Një sfidë që i ka të tria rezultatet, por ish-mbrojtësi kampion i Partizanit, Lorenc Trashi, ka besim se Partizani do të fitojë. Trashi ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka parashikuar rezultatin e derbit, i ka thurur elozhe sulmuesit Solomon dhe rikujtoi disa nga ndeshjet derbi të cilat i ka luajtur dhe vetë. Trashi, tashmë pjesë e Al-Qadsia në Kuvajt është dhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë, ku arriti të grumbullohej që në kohën kur mbronte ngjyrat e “demave”. Anësori i majtë nuk mund të shohë ekip tjetër triumfues veç Partizanit, duke thënë se të kuqtë e Ilir Dajës do të triumfojnë në “Elbasan Arena”. Gjithashtu, Trashi mendon se ekipi është përforcuar me ardhjet e reja, por theksoi se konkurrenca duhet shtuar edhe më shumë, pasi i bën mirë skuadrës. Ish-mbrojtësi kampion ka luajtur shumë ndeshje derbi në gjashtë sezonit që ishte pjesë e Partizanit, por tha se në asnjë nga ndeshjet, nuk është vënë në vështirësi nga ndonjë futbollist i Tiranës.
Trashi Derbi
Po afrohet derbi i dytë i këtij sezoni. Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, si e parashikoni rezultatin? 
Kur jemi në javën e derbit, është java me e bukur gjatë gjithë kampionatit, për arsyen se lojtarët mundohen të jenë më shumë të përqendruar dhe kanë me shumë emocione. Por unë mendoj që ky derbi do jetë shumë vendimtar për vazhdimësinë e ekipeve. Derbi i ka të tre rezultatet, por mendoj që e fiton Partizani. Më duken më në formë për momentin.

Partizanit i është hapur merkatoja, por përforcimet në prapavijë po mungojnë. Si një ish-mbrojtës, çfarë profili lojtari i duhet skuadrës?
Është një lajm shumë i madh hapja e merkatos sepse stafi mendon për të rikuperuar vendet që ka nevojë. Çdo ekip ka nevojën për përforcime, pa dyshim. Por mendoj se trajneri Daja e di shumë mirë ku i duhen përforcimet dhe për këtë gjë, nuk e kam merak. Daja është shumë i zoti, bashkë me drejtorin, për të bërë më të mirën për ekipin.
137288284_1102833086797281_7101565645730424481_n-1-400x220
Partizani ka afruar Zhunior dhe Muratajn, me këtë të fundit edhe jeni përballur personalisht. Mendoni se e kanë përforcuar skuadrën dhe në çfarë aspekti?
Unë mendoj që janë dy blerje të goditura, duke iu referuar dhe cilësive që kanë këta dy lojtarë. Më shumë njoh Muratajn, sepse dhe kam luajtur kundër tij. E shoh si një lojtar me shumë perspektivë dhe mendoj që të dy, janë lojtarë që do ta ndihmojnë shumë ekipin.
unnamed
Gjatë ndeshjeve derbi ku ju keni luajtur, shpeshherë keni pasur përballë Albi Dokën. Me largimin e tij nga Tirana, mendoni se Partizani mund të fitojë më shumë terren nga krahu i majtë?
Unë kam pasur përballje shumë interesante me Dokën. Kemi qenë të dy tipa kërkues dhe mendonim të jepnim me shumë se 100% nga vetja, për ta fituar derbin. Doka normalisht ka lënë një boshllëk shumë të madh në krahun e djathtë, sepse dihen vlerat e tij. Por sërish mendoj që stafi i Tiranës i ka marrë masat në atë rol.

Partizani më në fund duket se e ka krijuar treshen e sulmit, me Asanin, Solomon dhe Zhunior. Mendoni se golat nuk do të jenë më problem?
Mendoj që Partizani ka shumë lojtarë në fazën sulmuese. Janë dhe lojtarë që e njohin shumë mirë njeritjetrin. Kam besim që në derbi do bëjnë më të mirën për të shënuar. Insistoj që Solomon shënon në derbi, ai është një sulmues shumë i mirë dhe kohet e fundit, e ka rritur shumë performancën e tij.
MICI
Hakaj ka mbuluar pozicionin tuaj, por flitet dhe për një afrim të Micit. Mendoni se rritja e konkurrencës në atë pozicion, do t’i bënte mirë skuadrës?
Gjithmonë ku ka konkurrencë, ka dhe një stërvitje dhe angazhim 100% të lojtarëve sepse secili do që të luajë dhe të zërë një vend në formacion. Konkurrenca vetëm mirë i bën ekipit.

Kush është lojtari qe ju ka hapur më shume punë kur luanit kundër Tiranës?
Të them të drejtën, nuk është se mund të veçoj ndonjë lojtar që më ka hapur shumë punë, për arsyen se unë kam qenë gjithmonë shumë i përqendruar dhe kam dhënë më të mirën time për të mos bërë gabime, sidomos në derbi. Sinqerisht, aq ndeshje sa kam derbi, nuk është se më ka vënë dikush në vështirësi.
Tirana-Partizani Derbi
Pas katër ndeshjeve derbi pa fituar, mendoni se të enjten do të jetë dita e Partizanit?
E thashë dhe më lart, derbi është shumë vendimtar për ecurinë që ti do të kesh në kampionat, për arsyen se ndikon shumë në anën psikologjike. Por unë shpresoj që ta fitojë Partizani, uroj me zemër të dalin me tri pikë nga kjo ndeshje.

EKSKLUZIVE/ “Tirana për titull, triumfojnë në derbi me golin e Muçit”, Doka: Kam marrë oferta, klubi po negocion me…

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"