EKSKLUZIVE/ Cungu “skanon” kampionatin: Laçin e shoh kampion, Vllaznia triumfon ndaj kurbinasve nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 22:18

EKSKLUZIVE/ Cungu “skanon” kampionatin: Laçin e shoh kampion, Vllaznia triumfon ndaj kurbinasve nëse…

Armando Cungu “skanon” kampionatin dhe përballjen e së shtunës, Laçi-Vllaznia. Nga dy ekipet që shkodrani ka drejtuar si trajner në dekadën e fundit, sheh kurbinasit kampionë, pavarësisht luhatjeve të javëve të fundit. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri aktual i Kombëtares U-19 thekson se Vllaznia duhet të sulmojë Kupën, pasi e ka të vështirë të luftojë në dy fronte.

armando cungu1

Armando, si e keni parë kampionatin deri më tani? A ka diçka që ju ka bërë më tepër përshtypje?

Është një kampionat me shumë rivalitet dhe ekipe që nuk e nisën mirë për shumë e shumë arsye, por që tani kanë gjetur ritmin. Nga ana tjetër, Vllaznia e nisi më mirë se të tjerat, por që nuk arriti ta mbajë ritmin siç duhet gjatë garës.

Pas asaj krize, Vllaznia duket sikur ka gjetur ekuilibrat. Si ju duk ndeshja ndaj Partizanit?

Të them të drejtën, prisja që Vllaznia të merrte më shumë në takimin kundër Partizanit. Megjithatë, e kishte të vështirë për të dalë te goli dhe loja që kemi parë të bëjë shpesh. Gjithsesi, mendoj se tani nuk duhen humbur ndeshjet dhe ndoshta ekipi u bazua edhe në këtë drejtim. Të humbësh me kundërshtarë direktë nuk ke kohë për të korrigjuar.

Ku mendoni se gabuan më tepër shkodranët kur ishin me diferencë 9 pikë nga rivalët?

Së pari, Vllaznia gaboi ndaj Kastriotit në Shkodër, ku nuk arriti që të marrë tri pikët. Këtu mendoj se gjërat filluan të shkonin jo mirë në skuadër. Po ashtu, një humbje fatale ishte ajo ndaj Laçit në Shkodër. Ai takim, të paktën nuk duhej humbur, sepse fitorja e afroi Laçin me Vllazninë. Po ashtu, humbja ndaj Tiranës bëri që kjo skuadër të futej në lojë. Nuk po përmend edhe gabimet në takimet e tjera, ku ekipi nuk kishte freskinë e duhur. Unë gjykoj se afrimet e bëra në merkaton e janarit nuk kanë dhënë atë pritshmëri që kishin. Për të përballuar një sezon, duhet që të kesh edhe stolin e fortë dhe Vllaznia këtë nuk e ka. Ishte disi e pabesueshme se si një skuadër që mbylli thuajse dy fazat e para me 9 pikë diferencë, të diskutojë më tej titullin

Cilat shikoni si ekipet më të forta në garën për titullin?

E kam thënë edhe më parë, që Laçi është rivali më i fortë për titull. Këtë ekip e shikoj kampion, pavarësisht se ka ende kohë dhe është herët të flitet. Ka një organikë të plotë dhe me elementë cilësorë. Edhe te Partizani kam patur shumë besim se do të jetë pretendenti kryesor, por ndeshjet e fundit ma kanë lëkundur këtë mendim. Ndërsa Teuta nuk është bindëse në lojë. Natyrisht, ajo nuk është kot në atë pozicion dhe këtë s’mund ta hedhë poshtë askush, por për mendimin tim nuk është një skuadër që ka zhvilluar lojëra bindëse. Nuk e kam ndjekur takimin e Teutës ndaj Laçit, pasi kam qenë në stadium për të parë Vllaznia-Partizani, por më kanë thënë se durrsakët ishin superiorë në lojë. Në këtë kampionat, pa dyshim që është edhe Vllaznia në lojë për titullin.

Të shtunën luhet Laçi-Vllaznia, dy skuadra që jo vetëm i keni drejtuar, por i njihni mjaft mirë. Çfarë ndeshjeje prisni?

Pres një përballje të fortë, ku të dy skuadrat do të kërkojnë që të mos e humbasin ndeshjen. E thashë edhe më lart, tani s’ka shumë kohë për të korrigjuar. Një humbje të kushton shumë, prandaj duhet që Vllaznia të bëjë kujdes në këtë drejtim. Për më tepër, luan kundër një rivali direkt për titull. Vllaznia duhet që të sillet në këtë takim me synimin që do të kërkojë që të shpallet kampion. Pra, në fushë duhet të tregojë se është për titull.

CUNGU

Laçi vjen pas dy humbjeve radhazi në kampionat. E bën kjo më të vështirë për Vllazninë apo i gjithë presioni është te kurbinasit?

Kjo e bën edhe më të vështirë për Vllazninë, por që duhet të dijë ta menaxhojë situatën jo të mirë të kurbinasve. Normalisht që Laçi është nën presion, por kjo ia shton edhe impenjimin për të kërkuar fitoren.

Ekipi shkodran ka 7 vite pa fituar në Laç…

Gjithmonë në futboll shanset ekzistojnë për të marrë më të mirën. Mendoj se Vllaznia ndaj Laçit do të kënaqet edhe me një pikë. Të fitosh në Laç duhet që t’i neutralizosh treshen e mesfushës, që për mua janë pika më e fortë e këtij ekipi. Ata nuk të lejojnë që të organizohesh. Vllaznia do të futet për të fituar, por e rëndësishme është që të mos humbasë në Laç. Unë uroj dhe dëshiroj të fitojë Vllaznia.

A ka mundësi Vllaznia të luftojë në të dyja frontet, në një kohë që në gjysmëfinale luan sërish ndaj Laçit, por këtë herë në Shkodër?

Të luftosh në këto momente në të dyja frontet, duhet që të kesh edhe një stol të fortë, ku të besohet. E përsëris, afrimet e janarit nuk treguan se ekipi u forcua edhe në stol. Për mua, ka pak mundësi që Vllaznia të luftojë në dy fronte, por ekipi duhet që të tentojë dhe të besojë deri në fund që të sjellë Kupën këtë sezon në Shkodër.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"