EKSKLUZIVE/ Çudira shqiptare, tri ekipe do të luajnë në “Elbasan Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2023 | 21:44

EKSKLUZIVE/ Çudira shqiptare, tri ekipe do të luajnë në “Elbasan Arena”

“Shqipëria ka infrastrukturën më të mirë në rajon”, është shprehja që e dëgjojmë më së shumti dhe në teori kanë të drejtë, pasi në vitet e fundit është shtuar shumë numri i “Arenave”, por në të vërtetë këto stadiume moderne nuk u shërbejnë skuadrave në ndeshjet ndërkombëtare.

CQtgMwgWIAEa17i (1)

“Panorama Sport” mëson se aktualisht tri skuadra kanë raportuar stadiumin “Elbasan Arena” si vendin për të luajtur ndeshjet e tyre në kompeticionet europiane. Bëhet fjalë për Tiranën, Partizanin dhe Egnatian.

Vllaznia është e vetmja skuadër, që do të luajë ndeshjet si vendëse në stadiumin e vet, “Loro Boriçi”. Ndërkohë, Egnatia është një situatë, që edhe mund të pranohet për shkak se rrogozhinasit janë një klub i ardhur së fundmi në arenën e madhe të futbollit dhe nuk është e lehtë të ndërtosh një stadium, që u përmbahet kushteve të UEFA-s. Por për Partizanin dhe Tiranën kjo situatë përbën një “gallatë” shqiptare. “Demat”, në fakt, e kanë një fije shprese, pasi po punojnë fort për të përmbushur kushtet në “Arenën e Demave”, por koha nuk premton dhe në stadiumin e kuq duhen ende investime për të përmbushur kushtet e UEFA-s.

Drejtuesit po punojnë me ritëm maksimal për të përmbushur kriteret dhe mbetet për t’u parë. Nëse Partizani nuk luan në stadiumin e vet, ku ka investuar miliona euro, padyshim që nuk është aspak e hijshme. Nga ana tjetër, Tirana ka dalë prej kohësh nga shtëpia e saj, “Selman Stërmasi” dhe “Air Albania” është stadiumi i vetëm në kryeqytet, ku bardheblutë mund të luajnë.

Por kush tha se në impiantin më të madh në vend luhet futboll? Partizani dhe Tirana nuk mund t’i luajnë në këtë stadium ndeshjet e Europës, sepse pas përballjes së Kombëtares me Moldavinë, impianti do të mbyllet për rigjenerim të fushës. Ndërkohë, gjatë këtij viti stadiumin e kemi parë të shërbejë më së shumti për evente të ndryshme dhe jo për futboll.

Ndeshja e Florian Markut, fushata e “Bashkë Fitojmë”, koncerti i Nikos Vertis, vënia në skenë e Katedrales së Parisit kanë ndodhur në muajt e fundit, teksa dje u bë ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit të Tiranës. Futboll? Të shohim, me kësmet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"