EKSKLUZIVE/ “Çudi të shohësh Taren me bark, bast me De Biazin”, Bushi: Ja ç’më tha misteri përpara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2020 | 20:57

EKSKLUZIVE/ “Çudi të shohësh Taren me bark, bast me De Biazin”, Bushi: Ja ç’më tha misteri përpara

Një bomber nuk e harron lehtë rolin që ka bërë në fushën e lojës gjatë gjithë karrierës së tij. Pavarësisht moshës apo edhe peshës trupore, Alban Bushi tregoi edhe një herë se e djathta e tij është po aq potente sa dikur. Pak sekonda në fushë dhe ai tronditi traversën. 

Kombetarja

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri aktual i U-21 tregon shakatë në dhomat e zhveshjes, çuditë e ritakimit pas shumë vitesh, si dhe bastin me ish-trajnerin e Shqipërisë, me të cilin ai ka punuar në rolin e menaxherit të Kombëtares, kur Shqipëria siguroi pjesëmarrjen në “Euro 2016”.

Rikthimi në ish-“Qemal Stafa”, çfarë emocionesh ju ngjalli? 

Patjetër që janë emocione, sepse kemi përjetuar shumë ngjarje, shumë gëzime etj.. Ishte vërtet shumë e bukur që të rikthehem të luaj përballë publikut shqiptar.

 Si ishte ribashkimi me shokët?

Kënaqësi, emocion. Kemi luajtur për rreth 15 vjet bashkë. Gjithsesi, qëllimi i kësaj ndeshjeje ishte që të vinin sa më shumë tifozë dhe të arrihej objektivi për të ndihmuar sadopak ata njerëz që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, me aq mundësi sa ka futbolli. Për këtë, unë dua që të falënderoj edhe Sindikatën e Futbollistëve dhe FSHF-në për organizimin e këtij eventi.

Si ishte atmosfera në  dhomat e zhveshjes pas kaq vitesh?

Ishte vërtet shumë bukur. Me ato batutat që kemi pas bërë edhe në atë kohë si futbollistë. Vërtet shumë lezetshëm. Janë gjëra që ndodhin shumë rrallë dhe të japin emocione pozitive. Ne futbollistët e kemi këtë lloj luksi që të përjetojmë ato emocione, atë lloj adrenaline që mbase të tjerët e përjetojnë edhe më pak sesa ne.

Çfarë kishte të veçantë? 

Ishte diçka shumë e veçantë, vërtet. Ju them për shembull që, pas kaq shumë kohësh, të shihje Igli Taren me bark, ishte diçka shumë interesante (qesh).

Kombetarja5

Bushi, kush e bënte kapitenin në dhomat e zhveshjes? 

Nuk është se kishte diçka të tillë. Gjithsesi, të gjithë flisnin nga pak sepse eksperienca nuk i mungon asnjërit. Në fakt, folëm pak. Nuk thamë shumë, por vetëm që të luanim sa më thjesht sepse mosha bën të vetën dhe disa lojtarë ishin pa stërvitje. Gjithsesi, u kënaqëm të them të drejtën. Uroj shumë që të kemi kënaqur edhe njerëzit që ishin të pranishëm dhe të jenë arkëtuar sa më shumë të ardhura për njerëzit në nevojë. Sido që të jetë puna, ne donim të fitonim, por të mjaftohemi me faktin që u realizua qëllimi që pati ky miniturne.

Sapo u futët në fushë, një traversë pas gjuajtjes potente…

Do doja shumë që të hynte ai gol.

Kaq i rëndësishëm do të ishte?

Jo, por i thashë De Biazit para ndeshjes që do bëj gol dhe më tha “jo, nuk do shënosh”. Le të themi që misteri ma fitoi një lloj basti. Do doja vërtet shumë të realizohej ai moment dhe vërtet nuk e di se çfarë do t’i thosha pastaj (qesh).

Ka pasur kritika nga Vata, Kola, dhe Haxhi për listën se nuk janë bërë zgjedhjet me meritë. Ju si mendoni?

Për këtë nuk kam dijeni fare se si është organizuar. Mua thjesht më kanë thirrur dhe kam ardhur.

A ishin më të mirët dhe a duhet të kishte edhe të tjerë?

Nuk më takon mua që ta komentoj këtë. E përsëris, më lajmëruan dhe erdha. Kaq!

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"