EKSKLUZIVE/ Cuculi: “Demat” e Partizanit i shikoj për titull, ja çfarë u duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 17:06

EKSKLUZIVE/ Cuculi: “Demat” e Partizanit i shikoj për titull, ja çfarë u duhet

Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe tashmë lojtar i Dritës në Kosovë, Ardian Cuculi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku ka analizuar nisjen jo të “demave”, marrëdhënien që ka me një tjetër “ish” të të kuqve, Rron Brojën, si dhe dha një mesazh për tifozët e Partizanit duke thënë se ekipit i duhet kohë për të arritur te titulli kampion.

cuculi

Ardian, po mbani vendin e parë në Kosovë me ekipin tuaj. Si e përshkruani këtë nisje fantastike të sezonit?

Normalisht që ndihemi mirë duke ditur faktin që ne kemi bërë ndryshime të mëdha në ekip dhe është diçka e mirë me dhënë frute aq shpejt. Gjithsesi, është herët akoma sepse janë edhe disa skuadra të tjera pretendente dhe do të jetë një kampionat shumë interesant.

Po bëni paraqitje të mira dhe tashmë keni shok skuadre edhe një tjetër “ish” të Partizanit, Rron Broja. Çfarë marrëdhëniesh keni së bashku?

Rron Brojën është fat ta kesh në ekip, sidomos për ne mbrojtjen, pasi përveç organizimit të lojës, na ndihmon shumë në aspektin difensiv. Është një lojtar inteligjent dhe një djalë fantastik.

Nga ana tjetër, Partizani nuk e ka nisur siç duhet kampionatin. Si ju është dukur ekipi?

I kam parë të dyja ndeshjet e para. Partizani tani është më i konsoliduar me dy ardhjet e fundit, me Kaçen e Malën. U duhet dhënë pak kohë, por nisur nga loja në ndeshjen e fundit them se Partizani do të jetë një nga pretendentët kryesorë për kampion. Ju lutem, jepini pak kohë dhe do të shihni një Partizan të madh.

Sa e rëndësishme është sipas jush që të eliminohen gabimet në mbrojtje, pasi e njihni mirë si pozicion?

Partizani luan mirë në mbrojtje, pavarësisht se mund të ketë ndonjë gabim të vogël në këto dy ndeshje, por them që do ta ketë mbrojtjen më të fortë në kampionat.

Afrimet e Partizanit në merkato, si ju janë dukur?

Kanë bërë afrime të mëdha, por duhet të adaptohen në ekip. Duhet t’u japim pak kohë përforcimeve.

Kaçe apo Hasani?

Të dy janë lojtarë të ndryshëm mendoj. Kaçe është lojtar fantastik, vetë karriera e tij flet për të, por duke e njohur Hasanin nga afër them që është një lojtar që rrallë e gjen në Ballkan.

Pas dy javëve të para, çfarë përshtypjeje ju ka lënë Partizani?

Partizani është në rrugën e duhur mendoj, është një ambient fantastik, drejtues që janë përkrahës në maksimum të ekipit dhe një staf teknik fantastik, duke i pasur këto dy gjëra brenda, s’ka se si të mos ecë Partizani.

Deri ku mund të arrijë ky ekip?

Partizani do të luftojë për titull.

Cilat ekipe janë pretendente për titull në Superiore?

Ka shumë ekipe cilësore këtë vit, është herët për të thënë, por janë disa ekipe në garë për kreun. E bukura dhe vlerë e kampionatit këtë vit është kthimi i një ekipi të madh si Dinamo. Kjo i ka dhënë akoma më shumë rivalitet garës.

VAR-i në Superiore, çfarë mendimi keni?

VAR-i duhet parë si një gjë pozitive që i ndodh kampionatit shqiptar. Unë mendoj se evitohen shume gabime, ndoshta që janë bërë më herët me apo pa dashje nga ana e arbitrit.

Bisedoni ende me ndonjë nga futbollistët e Partizanit, çfarë ju thonë, si është situata aty?

Po, kam biseda me shokë dhe miq të mi dhe them që Partizani është një ambient fantastik, ku futbollisti ndihet rehat për të dhënë më të mirën në fushë.

A duhet të besojnë tifozët e Partizanit te kjo skuadër dhe te titulli kampion?

Tifozët gjithmonë duan që ekipi të fitojë dhe kërkojnë çdo herë të jenë në vend të parë, por unë ju them që të bëjnë pak durim sepse ekipi ka pësuar shumë ndryshime dhe të vazhdojnë ta përkrahin ekipin e tyre, siç kanë bërë çdo herë dhe në fund të kampionatit do Zoti gëzohen me Partizanin kampion.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"