Ekskluzive/ Çështja e kapitenit Agolli, Salihi kunj Panuçit: Lojtari matet në fushë jo me letër dhe laps

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2018 | 22:45

Ekskluzive/ Çështja e kapitenit Agolli, Salihi kunj Panuçit: Lojtari matet në fushë jo me letër dhe laps

Nesër bëhen pesë vite nga goli i famshëm i Salihit në Oslo. Një perlë që erdhi nga një skemë, e cila i dha fitoren Shqipërisë përballë Norvegjisë. Skuadër me të cilën Panuçi do të testojë lojtarët që ka grumbulluar më 26 mars në “Elbasan Arena”. Po çfarë thotë për atë gol vetë autori?

Salihi gol Norvegjise

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, bomberi shkodran rikujton emocionet e Oslos. Komenton Shqipërinë nën drejtimin e Panuçit.

I lënë jashtë Europianit pa asnjë përgjigje, kërkon që të mos përsëritet e njëjta situatë me askënd. As me kapitenin Agolli, porse pa dashur të ndërhyjë në zgjedhjet e Panuçit, thekson: Futbolli nuk është matematikë, me laps, letër dhe llogari. Shihet në fushë. Nëse lojtari mund të tregojë ende, duhet të vazhdojë.

Salihi Kombetarja

Nga dëmtimi te rikthimi në fushë, sa në formë është Salihi?

Operacioni tek aduktorët, pavarësisht se nuk ishte i vështirë, kishte nevojë për kohën e vet dhe normale që donte kohë të rikuperohej. Një periudhë deri në tetë javë për t’u rikuperuar dhe për të nisur stërvitjen plotësisht. Unë, duke parë edhe situatën tek ekipi, pasi filluan ndeshjet dhe pikët ishin shumë të nevojshme, vendosëm me stafin dhe trajnerin që të rrezikojmë pak dhe të futem më herët. Falë Zotit, gjithçka ka shkuar mirë dhe ndihem mirë.

Ndaj Norvegjisë kemi vetëm fitoren me golin tuaj. Si e kujtoni?

(Qesh…) Të them të drejtën, është një nga golat dhe një nga fitoret më të bukura të mijat me Kombëtaren. Është gjithmonë kënaqësi dhe e shoh ndonjëherë atë ndeshje. Me të vërtetë është një kujtim i bukur. Mund të them edhe se është pika jonë e kthesës me Kombëtaren, pasi që prej saj, grupi filloi të besonte se mundemi të bëjmë më shumë, mund të kërkojmë më shumë dhe të marrim pikë edhe në transfertë me ekipe që në të shkuarën ishin të parealizueshme, sidomos në transfertë.  Ishte e njëjta gjë për të gjithë, pasi pak a shumë i njëjti grup ishte që në eliminatoret e radhës arriti që të kualifikohet në Europian.

salihi-620-001

Ishte improvizim apo përgatitje në stërvitje ai pasim i Bulkut?

Të them të drejtën, është ndër skemat e pakta që ka funksionuar perfekt që në stërvitje. Ishte një ide e Tramexanit apo nuk e di se e kujt prej pjesëtarëve të stafit që e sugjeroi. E dinim, gjithsesi, që në atë pozicion do të përdornim atë skemë dhe, gjatë stërvitjeve, sa herë që e kemi tentuar, ka funksionuar perfekt si në ndeshje. Kjo e bën edhe më të bukur, që nuk ishte rastësi, por shumë mirë i përgatitur.

Në Europian nuk morët ftesë, tani përsëritet me Agollin…

Nuk e di sesi është situata dhe se çfarë mund të ketë biseduar trajneri me Agollin. Nuk e di çfarë ka ndodhur dhe nuk mund ta krahasoj me situatën time, ku vendimi u mor edhe pa një ‘faleminderit’ apo ‘më vjen keq, por nuk je në listë’.  Nëse ka ndodhur edhe me Agollin kështu, është shumë e gabuar dhe duhet të ndërrohet.

Nuk keni një koment rreth kësaj zgjedhjeje?

Pa përsëritur edhe një herë çfarë thashë më sipër, dua të them diçka. Përderisa lojtari luan në nivele të larta dhe i duhet ekipit kombëtar, besoj se deri në ditën që e ndien veten se mund të japë ende, duhet të vazhdojë. Në futboll nuk ka letër dhe laps, nuk ka matematikë, ku shkruhet sa je sot dhe sa do jesh nesër e më pas të thuash nuk bën. Në futboll luhet dhe i merr futbollistit aq sa të ketë mundësi të vazhdojë dhe të japë në fushë. Nëse vazhdon të japë akoma, besoj se duhet të vazhdojë të jetë në Kombëtare.

Salihi Kombetare

Në dijeninë tonë, Agollit i është kërkuar që të mos heqë dorë në fillim sepse ekipi kishte nevojë, ndërsa tani i përmendet mosha…

Nuk dua që të futem më thellë në situatë, pasi për trajnerin kam respekt dhe nuk dua që të flas diçka, e cila mund të keqkuptohet. Pa dashur të ngacmoj askënd, për mendimin tim mund të them diçka: Futbolli nuk ka matematikë. Luan derisa të kesh mundësi të japësh. Ka raste kur maksimumi i një lojtari është deri 28 apo 29 vjeç, por kjo nuk do të thotë që ai duhet pritur deri 32 apo më tej. Ai që tregon në fushë, vazhdon… Është e njëjta përgjigje sa herë edhe mua më pyesin se sa do të luaj. Pa dashur të ndërhyj te zgjedhjet e trajnerit, por unë mendoj se s’ka llogari.

Si ju është dukur Shqipëria nën drejtimin e Panuçit?

Kam respekt për trajnerin, jo se e njoh personalisht, por për nga mënyra si ka reaguar. Ishte shumë e vështirë që pas rezultateve të mira, ta marrë dikush tjetër kur pritshmëria ishte shumë e lartë dhe të tregojë idetë e veta, pa kopjuar paraardhësit. Ishte risk i madh edhe për vetë trajnerin. Besoj se deri tani ia ka dalë me sukses. Ka treguar një strategji të veten ku kërkon të luajë shumë më tepër ofensiv, duke provuar dhe rrezikuar më tepër dhe besoj se me kalimin e kohës, kur të njohë rezultatet, do të arrijë akoma më mirë.

Hamdi Salihi

E keni ndjekur kampionatin?

Po, e kam ndjekur sa kam mundur. Është më i qetë te pjesa e titullit. Kur isha aty, ishte shumë më e ashpër kjo luftë. Pjesa kryesore e një kampionati është kush do të fitojë dhe kjo sikur ka marrë rrugë dhe e kanë pranuar të gjithë. Është ashpërsuar pjesa poshtë.

Shqetësim është pjesa e Skënderbeut, keni informacione rreth situatës?

E kam ndjekur nëpër media dhe nuk kam informacione të tjera. Po rezulton se Skënderbeu nuk po mendon shumë se çfarë do të ndodhë dhe po bën lojën e vet. Duket sikur nuk ka ndikuar fare te Skënderbeu.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"