EKSKLUZIVE/ Çela: Taho ka të drejtë, Tirana shënoi gol me dorë ndaj Flamurtarit në Kupë. Beratasit ankohen kot sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2020 | 0:16

EKSKLUZIVE/ Çela: Taho ka të drejtë, Tirana shënoi gol me dorë ndaj Flamurtarit në Kupë. Beratasit ankohen kot sepse…

Besnik Çela këmbëngul se Tomorit nuk i është bërë asnjë padrejtësi me rregulloren në sezonin 1999-2000, kur beratasit humbën ndeshjen shtesë kundër Tiranës në Elbasan. Ish-shefi i sektorit të garave në FSHF i ka dhënë sërish një përgjigje Madrid Muxhajt, ish-lojtarit të Tomorit.

Besnik cela

Ky i fundit insiston nëpërmjet intervistës për gazetën se rregullorja për një ndeshje shtesë kur të dyja skuadrat e mbyllën sezonin me 52 pikë, u “shpik” për të favorizuar Tiranën. “E kam thënë një herë dhe po e përsëris prapë, u zbatua rregullorja që ishte në fuqi. Pretendimet që ngrenë disa nga kampi berates sot nuk qëndrojnë. As atëherë nuk ka pasur pretendime të tilla.

Atëherë debati ishte vetëm nëse do të luhej ndeshja në Elbasan, apo diku tjetër. Ata nuk pranonin që ndeshja të luhej në Elbasan, sepse aty ishte Edmond Koseni komisar dhe nuk kishte shanse të bëheshin trazira. Në Tiranë nuk mund të luhej, edhe pse rregullorja e parashikonte, pasi në kryeqytet luante skuadra vendëse. Do të na gjykonte historia, që një finale titulli të luhej në fushën e një prej skuadrave finaliste.

Muxhaj3

Ne madje u patëm propozuar edhe stadiumin e Skënderbeut beratasve, por ata, duke e ditur që sërish do të kalonin në Elbasan dhe aty do të kishte një “krehje” nga Koseni, nuk pranuan. Si përfundim u zgjodh Elbasani. Por rregullorja ka qenë e tillë dhe me atë rregullore është vazhduar deri në vitin 2002. Nëse dikush ka ndonjë dokument që vërteton të kundërtën e kësaj që po them, jam gati të përballem me të”, deklaroi Çela për “Panorama Sport”.

FLAMURTARI

Besnik Çela i përgjigjet gjithashtu edhe Rrapo Tahos. “Është e vërtetë, me Rrapo Tahon jemi miq të vjetër. E respektoj maksimalisht për atë që i ka dhënë futbollit. Madje nuk druhem të them se ai ka të drejtë për golin me dorë në finale e Kupës së vitit 1996 Tirana-Flamurtari 1-0. Ne e kemi parë disa herë përsëritje dhe ai ishte gol me dorë. Ishte një gabim që gjyqtari nuk e pa, por këto gjëra ndodhin edhe sot kur ka VAR, e jo më para 20 viteve në ato vite të vështira.

Beci dhe Taho

Arbitër ka qenë i ndjeri Luan Zylfo. Më i miri për kohën dhe kishte edhe stemën e FIFA-s. Por të gjithë gabojnë… Dhe për fat të keq ai nuk u ndihmua as nga ndonjë prej asistentëve. Ishte gabim, kjo nuk diskutohet. Por të mos e ngatërrojmë Kupën me kampionatin. Flamurtari kishte një superskuadër edhe në sezonin në vijim, pra në 1997, por pas trazirave nuk mundi që t’i luante disa nga ndeshjet në fushën e tij.

Cela dhe Galiani

(Besnik Çela dhe Adriano Galiani) 

Ndeshjet e gjashtë skuadrave të para u luajtën në Tiranë. Në Vlorë nuk mund të luhej në ato muaj, sepse ishte një nga qytetet me më shumë probleme sa i përket sigurisë dhe rendit publik. Nuk pati asnjë tentativë dhe asnjë qëllim që të dëmtohej ndonjëherë Flamurtari. Dhe kush thotë se FSHF kishte ndonjë gjë kundër vlonjatëve, atëherë gënjen. Po, po gënjen. Sekretari i përgjithshëm asokohe ishte Eduart Dervishi, vlonjat.

Rapo Taho

Trajneri i Kombnëtares ishte Bejkush Birçe, vlonjat… Kurrë FSHF nuk ka pasur ndonjë qëllim, as atëherë dhe as tani të dëmtojë Vlorën, apo ndonjë klub tjetër. Dhe sa për informacion, ndarja e skuadrave në tre grupe me nga gjashtë skuadra më 1997 është bërë me konsensusin e klubeve. Nuk mund të bëhej vetëm me urdhrin e FSHF-së. U ulëm, folëm gjatë dhe nuk kishimm asgjë zgjidhje tjetër, sepse ishte gjendje lufte. Kaq, kjo është e gjitha”, deklaron Çela, për “Panorama Sport”.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"