EKSKLUZIVE/ “Ca mustaqelëpirës thurin komplote për fitoret tona”, shpërthen Vangjeli: Tiranën s’e falin, dyshojnë sepse e kanë zili (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 21:44

EKSKLUZIVE/ “Ca mustaqelëpirës thurin komplote për fitoret tona”, shpërthen Vangjeli: Tiranën s’e falin, dyshojnë sepse e kanë zili (E PLOTË)

Kristi Vangjeli nuk e përtyp dot faktin që pas ndeshjes me Skënderbeun, pati edhe dyshime për ndonjë lëshim nga korçarët. Mbrojtësi veteran i bardhebluve mohon që Tiranës t’i kenë bërë ndere këtë sezon dhe kalon në kundërsulm, duke i cilësuar dashakeqëse dhe të qëllimshme “kunjat” që vijnë në adresë të bardhebluve.

VANGJELI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti korçar premton se do të bëjë gjithçka që titulli të vuloset që në ndeshjen direkte me Kukësin, por bën apel që më parë Tirana të përqendrohet te ndeshja me Bylisin në Kupë që do të zhvillohet nesër në orën 17:45.

Kristi fituat një ndeshje jo të lehtë në Korçë. Për më tepër me përmbysje pas avantazhit të Skënderbeut “tuaj”. Si ndiheni?

Ka qenë një sfidë shumë e rëndësishme për Tiranën. E luftuar deri në fund dhe falë Zotit ia dolëm të fitonim me meritë. Kjo u arrit prej mundit të djemve që dhanë gjithçka në fushën e lojës. Nuk gabuan asnjë moment dhe treguan se janë të denjë për kampionë. Jo se ne kemi pasur apo kemi dyshim në aftësitë tona.
Skenderbeu-Tirana-640x405
Si është të fitosh si kundërshtar në stadiumin e Skënderbeut?

Të gjithë e dinë se çfarë mendoj unë për Skënderbeun. Kam një pjesë të historisë sime në atë qytet dhe në atë skuadër. Në të shkuarën kemi bërë gjëra të mëdha me Skënderbeun dhe atë fanellë e respektoj pa masë. Këtë herë jemi përballur me djem që kanë bërë gjithçka për të mundur Tiranën dhe kjo është normale. Skënderbeu shënoi golin dhe ishim ne që patëm rastet. Një ndeshje fotokopje e asaj në “Air Albania” ku ne bëmë të pamundurën për të fituar, por nuk ia dolëm. Këtë herë ia dolëm dhe bëmë gjithçka mirë. Përmbysëm ndeshjen dhe fituam.

Një fitore e madhe në aspektin sportiv, por ju e njihni Skënderbeun, a bëri gjithçka kjo skuadër që t’ju merrte pikë?

Çdokush do të kërkonte të mundte Tiranën. E provoi Teuta dhe ia arriti. Të gjithë duan të ndalojnë Tiranën. Jo se kanë ndonjë gjë me ne, por çdokush dëshiron të bjerë në sy në një sfidë të tillë. Thjesht ne në fushë nuk na kanë falur asgjë. Çdo fitore e kemi marrë me meritë dhe me djersë si çdo sfidë tjetër që kemi fituar në fushën e lojës nëpër gjithë Shqipërinë. Askush nuk na ka falur qoftë ndonjë gol. Askush nuk na e ka dhuruar vendin e parë.

I kemi mundur të gjithë kundërshtarët direktë. Kemi mundur kampionët e Shqipërisë, por edhe Kukësin. Edhe na kanë mundur, por në fushë pikët tregojnë që jemi më të fortët. Vendi i parë është ai që e tregon.

Duket sikur ju ka mbetur qejfi për diçka…

Ndoshta e kam me analistët. Për ca mustaqedredhur apo mustaqelëpirës ose kaçurrelsa… Me ata që hedhin hije dyshimi mbi fitoret tona. Ne fitojmë në fushë, copëtohemi qyteteve të Shqipërisë, ata flasin nëpër studio.

kristi vangjeli tirana

Dhe kur janë me presidentët e klubeve, u lëpihen dhe u bëjnë fresk. Më pas hedhin hijet e dyshimit për gjithçka. Sidomos për Tiranën. Tiranën e kanë zili, e pranoj, sepse pemës me kokrra i bihet me gurë. Ta ngulitin në mendje. Tirana ka fituar çdo ndeshje me djersë. Është turp që gjaku dhe djersa e djemve hidhen poshtë. Askush nuk i sheh pasojat e ndeshjeve, se si jemi të sakatuar. Del dikush dhe thur komplote në televizor… Nuk është e drejtë.

A prisni ta vulosni titullin kampion në ndeshjen me Kukësin?

Tirana ka dëshirë që të fitojë dy trofetë këtë sezon. Kemi Kupën e Shqipërisë. Një ndeshje të vështirë me Bylisin që duhet ta kalojmë medoemos. Më pas mendojmë për Kukësin. I respektojmë si kundërshtarë. I kemi mundur, por edhe na kanë mundur. Ne do të bëjmë gjithçka që të dalim kampionë që në atë ndeshje. Kemi dy mungesa si Bathën dhe Dokën, por kjo nuk na tremb. Edhe djemtë e tjerë do të bëjnë shumë mirë. Skuadra jonë është e kompletuar dhe mund të përballet me çdokënd. Titulli është shumë pranë.

Mund të themi se Tirana është kampione e Shqipërisë?

Matematika të shpall kampion. Kush më njeh, e di mirë që unë gjithmonë kërkoj të fitoj dhe nxitohem ta arrij sa më shpejt. Këtë herë them që të fitojmë me Bylisin dhe Kukësin dhe kur matematika të thotë “kampionë”, do të festojmë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"