EKSKLUZIVE/ “Buxhelaj, lideri i ardhshëm”, Belica: Partizani i vjetshëm ishte më i fortë, më kanë thënë fjalë të mira për Kolelën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 21:25

EKSKLUZIVE/ “Buxhelaj, lideri i ardhshëm”, Belica: Partizani i vjetshëm ishte më i fortë, më kanë thënë fjalë të mira për Kolelën (E PLOTË)

Deri në verën e kaluar, Egzon Belica ishte një nga beniaminët dhe kapitenët e Partizanit. Verën e shkuar ai u transferua në Kosovë te Prishtina.

Belica konferenca per shtyp

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Belica flet për aventurën aktuale, si dhe u bën një analizë të hollësishme “demave”. Sipas tij, forca e të kuqve tregohet në këto 10 beteja të fundit, që vendosin edhe fituesin e titullit.

Si po ju shkon në Kosovë? Jeni i kënaqur?
Deri më tani gjithçka po shkon mirë. Kemi arritur në gjysmëfinale të Kupës dhe jemi ende në lojë për kualifikimin në kompeticionet europiane, që është objektivi ynë i shpallur që në fillim të sezonit.

Jeni në gjysmëfinale të Kupës, është ky trofe objektivi më i rëndësishëm i Prishtinës?
Në fillim të verës së kaluar këtu u bënë shumë ndryshime, duke nisur nga kryesia e klubit, stafi drejtues e deri te vetë skuadra, ku u larguan dhe erdhën shumë lojtarë. Mendoj se pas kaq shumë ndryshimesh, kalimi në Europë ishte qëllimi më i arsyeshëm për t’i vënë vetes. Ndoshta në vitin e ardhshëm gjërat do të jenë ndryshe dhe do të pretendohet për diçka më të madhe.

Ju mungon një Kupë në koleksion. Mund ta merrni në këtë sezon?
Po, mendoj se ka ardhur koha ta fitoj më në fund një trofe të tillë. Kam humbur dy finale Kupe në Finlandë dhe në Letoni dhe mendoj se nëse do të kalojmë me sukses gjysmëfinalen, ky do të jetë një vit, që do të kemi mundësi të madhe për ta mbyllur me një trofe të fituar.

Jeni 5 pikë larg Europës, mund ta arrini Gjilanin?
Po, jemi vetëm pesë pikë larg. Kalendari na favorizon disi, sepse tashmë na presin tri ndeshje radhazi në shtëpinë tonë, “Fadil Vokrri”. Me një seri të mirë rezultatesh mund të pretendojnë edhe për vendin e tretë, që është tërësisht i arritshëm deri në fund të sezonit.

Flasim pak për Partizanin. Mendoni se do ta lëshojë më kreun?
Unë uroj që të mos e lëshojë më kreun. Edhe pse i pret një luftë tejet e ashpër për titullin, do të kisha dashur shumë që të shpallen ata kampionë. Kam ende shumë miq atje dhe ndihem i lumtur kur ata gëzojnë.

Ju duket sikur afrimet e verës janë ambientuar dhe po kthehen në shtysë për ekipin?
Partizani është në ekip i madh në Shqipëri dhe jo çdo lojtar, pa marrë parasysh se sa cilësi mund të ketë, do të mund të inkuadrohet menjëherë me ekipin dhe të japë kontribut. Edhe pse Partizani në këtë moment nuk ka kohë për të humbur, mendoj se të gjithëve duhet t’u jepet pak kohë para se të gjykohen apo vlerësohen.

Cili nga afrimet e janarit ju ka bërë më shumë përshtypje?
Nuk mund të them një emër, pasi mendoj se për momentin peshën e ekipit po e mbajnë lojtarët që kanë qenë më gjatë në gjirin e Partizanit.

Cili nga lojtarët e rinj në moshë mendoni se mund të bëhet lideri i të kuqve në të ardhmen?
Vitet e fundit Partizani e ka kthyer fokusin edhe te të rinjtë dhe ky ndryshim kursi do të kthehet në avantazh në të ardhmen. Atje ka shumë lojtarë të mirë dhe të talentuar, por do të veçoja Buxhelajn, për një arsye tjetër, jashtë futbollit. Mbi gjithçka tjetër, ai është një djalë i edukuar dhe i përmbajtur dhe ky virtyt do t’i shërbejë shumë.

Ka ndryshuar ndopak fytyra e Partizanit në ndeshjet e fundit? Ju duken një skuadër disi më me personalitet?
Ka qenë një vit plot luhatje. Fitonin një ndeshje që nuk ta merrte mendja dhe lëshonin pikë në përballje ku kishin gjithçka në dorë. Në ndeshjet e fundit kam vërejtur më pak luhatje dhe më shumë stabilitet, ndaj po më duken si një skuadër më solide. Por në ndeshjet e radhës do të jetë një sprint final me 2-3 ekipet që janë pranë tyre në tabelë. Pikërisht këtu do të duket tamam edhe personaliteti i ekipit.

Trajneri Kolela ka thyer thuajse çdo rekord të italianëve të mëparshëm. E ka merituar?
Trajnerin Kolela nuk arrita ta njoh, sepse erdhi vetëm 1 ditë pasi mua m’u desh të largohesha. Përderisa është në vendin e parë, nuk do të kisha guximin ta gjykoja. Edhe miqtë që kam atje, më kanë thënë fjalë të mira për të, kështu që nuk më vjen aspak çudi që ka thyer rekordet e italianëve të mëparshëm.

Janë edhe 10 ndeshje nga fundi. Çfarë duhet të rregulloje Partizani që të mos bëjë gabimet e mëparshme?
Mendoj se nëse mbajnë këtë ritëm, që kanë aktualisht, janë në rregull. I presin ndeshje shumë të vështira, sepse të gjitha ekipet kërkojnë pikët e tyre. Siç thashë edhe më lart, tani tregohet karakteri i vërtetë i ekipit.

Ku ndryshon ky Partizan nga i vjetshmi?
Partizani i vjetshëm ka pasur karaktere dhe personalitete të forta. Ne shpëtuam një sezon të dështuar në tre muajt e fundit. Edhe pse ndoshta tani nuk duket ashtu, për mendimin tim Partizani i vjetshëm ishte më i fortë se sivjet. Ndoshta në fund të sezonit do të më bindin për të kundërtën.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"