EKSKLUZIVE/ Bushiç “i shkel syrin” Maganit: Kam biseduar edhe me Kukësin, tek Tirana luaj vetëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2018 | 22:48

EKSKLUZIVE/ Bushiç “i shkel syrin” Maganit: Kam biseduar edhe me Kukësin, tek Tirana luaj vetëm…

Kukësi, Trepça ’89, Flamurtari apo një aventurë në Malajzi. Tomislav Bushiç është i dyzuar për të ardhmen, ndërsa sheh një “ftohje” të marrëdhënieve me klubin vlonjat, edhe pse e mbylli sezonin si kapiten i kuqezinjve.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, sulmuesi kroat komenton zërat më të fundit të merkatos. Ai pranon se është gati për të punuar me Gugash Maganin në klubin mitrovicas, ku prej gjashtë muajsh drejton peqinasi. Në fund flet edhe për Tiranën.

bushic-imami

Bushiç, si është situata me Flamurtarin dhe a keni biseduar me drejtuesit për të ardhmen, pasi flitet për kushte të reja në kontratat për sezonin e ri?

Nuk di të them për situatën në klub dhe di vetëm informacionet që janë publikuar në media së fundmi. Gjithashtu, nuk di asgjë rreth rregullit për përqindjen e kontratave. Kam mbetur gjithashtu i surprizuar për shifrat e kontratës që janë raportuar për mua vitin e fundit.

Çfarë doni të thoni me këtë, nuk keni qenë lojtari me pagën më të lartë pas Alvesh?

Mbase kam qenë, por jo në atë shifër që është raportuar. Nuk është e vërtetë çfarë është deklaruar për pagën time. Nuk e di se kush mund ta thotë këtë. Nuk është korrekte për të gjithë lojtarët që të flitet se kush ka ‘x’ pagesë, apo ‘y’ pagesë. Di të them vetëm që kam qenë profesionist me ta që nga dita e parë deri në të fundit.

E konsideroni të mbyllur aventurën me Flamurtarin?

Gjithçka mund të ndodhë, nuk di ta them momentalisht. Isha atje për dy vite dhe u ndjeva mirë, në marrëdhëniet me të gjithë njerëzit në qytet. E di që nuk morëm rezultatet që deshëm dhe mbase klubi tani kërkon një tjetër futbollist në vendin tim. I mirëkuptoj. Nëse nuk do të rikthehem, do të mbes një tifoz i tyre. Isha kapiten duke qenë një futbollist i huaj dhe ka qenë krenari kjo gjë.

hrkac bushic

Emri juaj është lakuar në kampionatin kosovar, pikërisht në skuadrën e ish-trajnerit tuaj, Maganit. Si është e vërteta për Trepça ’89?

Është e vërtetë që më ka telefonuar profesori dhe kemi biseduar. Ai më ka propozuar një projekt mjaft të mirë të klubit për të luftuar për titullin kampion. Më ka treguar gjëra pozitive për skuadrën dhe njerëzit atje. Të shohim gjatë ditëve të merkatos, por unë personalisht jam gati për të punuar sërish me Maganin. Kam punuar dy herë dhe kam vetëm fjalë pozitive dhe respekt për të.

Po nga klubet e Kategorisë Superiore keni pasur ndonjë ofertë konkrete?

Kam biseduar me Kukësin… Gjithashtu kam edhe disa zëra në këtë fillim merkatoje. Nga ana tjetër, kam një ofertë konkrete në Malajzi, pikërisht nga klubi FA Penang dhe mbetet për t’u parë. Këto ditë do të nis përgatitjet individuale për të qenë gati për sezonin e ri.

Po në lidhje me Tiranën, do të ishit i gatshëm të riktheheshit?

Në Tiranë do të vija vetëm që të luaja kundër tyre (qesh…). Megjithatë, jam i lumtur që ajo skuadër u rikthye në Superiore, pasi pa të nuk është e njëjta ligë.

Pra, gati për Partizanin dhe jo për Tiranën?

Në lidhje me këtë, mund të them vetëm që jam i kënaqur që futbolli shqiptar do të ketë sërish një derbi të madh mes këtyre dy ekipeve. Është diçka e këndshme. Te Tirana nuk mund të rikthehem për hir të historive të së shkuarës. Ndërsa për Partizanin nuk mund të them asgjë, pasi nuk kam asnjë kontakt.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"