EKSKLUZIVE/ “Bum” rinovimesh te Teuta, ja 6 lojtarët që pranuan të qëndrojnë edhe një vit në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 14, 2020 | 11:15


EKSKLUZIVE/ “Bum” rinovimesh te Teuta, ja 6 lojtarët që pranuan të qëndrojnë edhe një vit në Durrës

Afrimi i dy sulmuesve, Blerim Krasniqi dhe Aldrit Oshafi, ishte vetëm fillimi për merkaton e Teutës. Drejtuesit e klubit, Edmond Hasanbelliu dhe Ardian Bardhi, po punojnë fuqishëm për të konfiguruar në pak ditë skuadrën që do të jetë gati për ndeshjen e parë të Ligës së Europës më 27 gusht ndaj Beitar Jerusalemit në stadiumin “Niko Dovana”.

teuta me kupen

Klubi durrsak, pasi ka mbyllur marrëveshjet me sulmuesit e ardhur nga Skënderbeu dhe Luftëtari, dje ka konfirmuar edhe gjashtë firma shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për 6 titullarë, të cilët kanë rinovuar kontratën me Teutën. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se kapiteni Renato Arapi, mbrojtësi i krahut të djathtë Bllagoja Todorovski, mesfushorët Emiliano Vila, Fabjan Beqja, Florent Avdyli, si dhe sulmuesi Lorenco Vila, kanë rinovuar marrëveshjen me klubin edhe për një vit.

Kësisoj, rinovimet e 6 lojtarëve të rëndësishëm të sezonit të kaluar, që u kulmua me fitimin e Kupës së Shqipërisë, tregojnë se planet e klubit janë për të ruajtur grupin në masën 80%, duke konfirmuar objektivat madhorë që ka në kampionatin tjetër. Zyrtarisht nga “djemtë e detit” janë larguar emra si Idelino Gomes Kolibali, Sherif Kallaku, Arlind Kalaja dhe Xhonatan Lajthia. Veçanërisht ai që ndihet më shumë është largimi i fantazistit Kallaku, i cili shënoi 14 gola me Teutën në kampionatin e fundit.

ZAMIR QYPI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com