EKSKLUZIVE/ Bujar Qamili “zbret” në fushë: Pabesi me Vllazninë, ja si më ngacmojnë tifozët e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 23:10

EKSKLUZIVE/ Bujar Qamili “zbret” në fushë: Pabesi me Vllazninë, ja si më ngacmojnë tifozët e Tiranës

Në Shkodër tema e ditës është Vllaznia. I madh dhe i vogël nuk po e besojnë se skuadra është me një këmbë në Kategorinë e Parë. Këtë situatë po e përjeton shumë keq edhe “Mjeshtri i madh”, Bujar Qamili.

Këngëtari i njohur shkodran, që ka kënduar edhe atë që cilësohet si himn i Vllaznisë, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” mundohet të komentojë këtë moment kritik. “Futbolli në Shkodër është fe, po ndodh një katastrofë”, thotë ndër të tjera këngëtari.

Bujar Qamili

Zoti Bujar, si një tifoz i thekur i Vllaznisë, që e ndiqni në çdo takim, çfarë do të thotë për ju fakti që skuadra shkodrane është me një këmbë në Kategorinë e Parë?

Ndihem si mos më keq. Unë, por jo vetëm, ende nuk dua që të besoj se Vllaznia do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë në sezonin tjetër. Kemi mbetur totalisht pa fjalë, sidomos pas takimit me Partizanin sepse shpresat ishin ende reale. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë katastrofë që po na ndodh. Është një qytet që po vuan në këto momente të paimagjinueshme për të gjithë ne. Më besoni, kam qëndruar pa fjetur një natë, por kam parë shumë shokë të mi tifozë që e ndiejnë si unë. Kam takuar shumë njerëz në rrugët e Shkodrës dhe më kanë thënë se jemi pa fjalë, pa gjumë dhe me lot në sy. Të gjithë diskutojnë për këtë Vllazni, që po shkon drejt greminës.

Sipas jush, kush duhet të mbajë përgjegjësi në këtë situatë, që për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë, pasi Vllaznia po lufton për mbijetesë disa sezone radhazi…?

Të gjithë nga pak në klubin Vllaznia janë përgjegjës për këtë që po ndodh. Bashkia e ka bërë të veten, pasi ka hedhur lekët. Por, edhe ajo ka të vetat sepse nuk diti të kërkojë llogari dhe për të vënë me shpatulla pas murit ekipit dhe stafin teknik.

Për këtë situatë, unë dua të bëj një krahasim sa i përket një thënieje të një kënge kosovare, ku ndër të tjera thuhet: “Kur s’ka mashkull në shtëpi, rritet bari mbi çati”. Kjo i shkon fiks situatës te Vllaznia. Por skuadra nuk është pa gjë, ajo mban peshën kryesore. Siç themi ne shkodranët, ia ka bërë vetes në njëfarë mënyre, por më shumë neve më duket se po e përjetojmë keq. Nuk mbeti këtë sezon asnjë ekip pa i marrë pikë Vllaznisë, me përjashtim të Lushnjës. Me të gjitha skuadrat e tjera kemi lënë pikë në Shkodër. Pra, faji është i të gjithëve, me përjashtim të ne tifozëve, që e ndiejmë këtë rënie në maksimum.

Fakti që trajneri Gjoka dha dorëheqjen pas ndeshjes ndaj Partizanit, mendoni se nuk ka më asnjë shpresë apo besoni te një mrekulli?

Së pari, më duhet të them se stafi teknik tregoi pabesi në këto momente të fundit. Pra, trajneri Gjoka e la në baltë Vllazninë në momentet më decizive. Kësaj skuadre i mungoi gjithçka, duke filluar nga paraqitja në fushë. I mungoi përgatitja fizike mbi të gjitha. Kësaj i thonë si të marr unë një grup orkestrantësh dhe të dalë në skenë pa bërë asnjë ditë prova.

bujar qamili

Për çfarë ju vjen më shumë keq nëse Vllaznia bie nga Superiorja?

Në shkurt të vitit tjetër klubi feston 100-vjetorin e themelimit. Nuk ka ku shkon më keq, që një festë të tillë ta bëjnë në Kategorinë e Parë. Më keq nuk bëhet sepse më mirë të kishim rënë më përpara sesa në këtë vit jubile për klubin që është djep i futbollit. Ne ishim përgatitur për të bërë diçka të bukur, por tani nuk na bëjnë më as duart e as këmbët. Nuk gjej ende fjalët e duhura për të shprehur atë që ndiej në shpirt. Ne po e bëjmë fakt që Vllaznia ka rënë, por pse të mos shpresojmë edhe në këto dy ndeshje. Pavarësisht se tani jemi të varur nga këmbët e të tjerëve, nëse shpëtojmë, atëherë duhet t’ia dedikojmë të tjerëve. Ne ia bëmë vetes në njëfarë mënyre, por më shumë se për çdo gjë, më vjen keq për ata tifozë dhe për këtë popull, që pa Vllazninë dhe pa artin, nuk mund të jetojë.

Në sezonin e kaluar zbriti Tirana dhe duket sikur Vllaznia u “mallkua” pas asaj ndeshjeje. Ju kanë ngacmuar së fundmi miqtë tuaj nga kryeqyteti?

Të jem i sinqertë dhe këtë nuk e them për hipokrizi, por në këto ditë duke qenë se po bëj prova për recitalin e 20 majit në Tiranë, në paraqitjen time skenike ka ndikuar ajo që po ndodh me Vllazninë. Gjatë provave shumë herë më kanë ngacmuar, duke më vënë në momente pauze edhe këngën e Vllaznisë. Por, me humor dhe me dhimbje, miqve të mi u jam përgjigjur kështu. “Ju të Tiranës e keni provuar para nesh, por u kthyet shpejt. Edhe ne atë do bëjmë”.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"