EKSKLUZIVE/ Borxhi në Tatime, shpërthen Sinan Idrizi: Nuk paguaj! Do çoj dosje në SPAK

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 9:15

EKSKLUZIVE/ Borxhi në Tatime, shpërthen Sinan Idrizi: Nuk paguaj! Do çoj dosje në SPAK

Sinan Idrizi kërcënon se do të çojë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) një dosje voluminoze me abuzime të bëra ndër vite te Flamurtari. E ndërsa nuk pranon të japë më shumë detaje, administratori lë të kuptohet se bëhet fjalë për kontrata që në kohën kur klubi menaxhohej nga Bashkia e Vlorës.

Sinan-Idrizi

Edhe pse borxhi ndaj Tatimeve ka shkuar në 1.8 miliardë lekë, ai e thotë troç që nuk do t’i paguajë dhe me ironi thekson se tani e tutje do të deklarojë paga 1-dollarëshe për lojtarët.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubit ndalet edhe tek ekipi. Ai paralajmëron se ka ndërtuar një grup për Superiore dhe sqaron se Xhevahir Sukaj do të jetë drejtor sportiv. Merkaton e lë ende të hapur, ndërsa evidenton se pret një tjetër të huaj.

Flamurtari ka afruar disa lojtarë me eksperiencë, ju vetë si e vlerësoni merkaton e bërë deri më tani?

Janë djem të shkëlqyer. Mbi të gjitha janë me karakter të lartë. Kjo ka më shumë rëndësi për mua. Pra, mbi të gjitha janë njerëz me norma që dinë të respektojnë fanellën. Patjetër që ju i keni parë edhe vetë. Pjesa më e madhe e atyre që kanë ardhur në këtë merkato janë lojtarë që kanë qenë edhe më parë te ne. Profesionalizmi i tyre nuk diskutohet. Këtë sezon kemi ndërtuar një ekip për në Kategorinë Superiore.

Do të keni edhe ndonjë surprizë të fundit në merkato?

Në fakt, ende nuk e kemi mbyllur merkaton. Presim edhe një lojtar, ndoshta do të jetë i huaj. Ndërsa në janar do të rikthehen te Flamurtari dy ish-futbollistë që i kemi pasur këtu dhe që sot luajnë jashtë Shqipërisë dhe kanë qenë bazë për ekipin. Ata kanë shfaqur dëshirën e tyre për të ndihmuar në ringritjen tonë.

Si qëndron e vërteta me Xhevahir Sukajn, do të vijë apo jo në Vlorë?

Patjetër që Sukaj do të jetë në Vlorë. I kam propozuar që të marrë detyrën e drejtorit sportiv dhe të ndihmojë ekipin edhe si futbollist, pasi është një njeri profesionist, bashkë edhe me lojtarët e tjerë që kemi afruar.

Resulin ende nuk po e prezantoni si trajner. Do të jetë ai drejtuesi i pankinës?

Patjetër që po. Dritan Resuli është trajneri i Flamurtarit. Çështja e prezantimit është nga ato burokracitë që keni ju qejf (qesh). Resuli po vijon punën me skuadrën dhe tashmë ka marrë edhe ndihmësin që do të ketë në krah.

Çfarë do të bëni me borxhin e madh në Tatime?

Nuk paguaj më tatime. Nuk kam përse, kur nuk ka rregulla të qarta loje. Ose, do deklaroj rroga lojtarësh 1 dollar. Do them se kanë ardhur vullnetarë. Do dëgjoni të reja tani… Nuk ka më!

Për çfarë të rejash flisni?

Duroni dhe do t’i dëgjoni. Kam gati një dosje të tërë që do ta depozitoj në SPAK (Prokuroria e Posaçme). Kemi të bëjmë me një krim të rëndë financiar. Mos më kërkoni më hollësira. Do t’jua them në momentin e duhur.

Çfarë planesh keni për projektin “Vlora Sport”?

Do të fillojmë shumë shpejt investimet. Këto ditë me këto jam marrë. Kemi inspektuar bashkë me projektuesit e zbatuesit vendin ku do të ndërtohen fushat me gjithë infrastrukturën e duhur. Pritet që të miratohet projekti.

Por, më çudit një gjë. Ky ligji i sportit… Nesër (sot) na vijnë në doganë uniformat e reja të ekipit. Sponsori ynë teknik këtë sezon do të jetë “Diadora”, por na duhet që të paguajmë në doganë 20%. A mund të më thoni se çfarë lehtësirash janë këto për ne që investojmë në sport? Nuk e di! Vazhdojnë problemet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"