Ekskluzive/ Borxhet, mbrojtësi serb akuzon Tiranën: Nuk më paguan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2016 | 9:46

Ekskluzive/ Borxhet, mbrojtësi serb akuzon Tiranën: Nuk më paguan

Dejan Karan nuk është pjesë e Tiranës në këtë moment, edhe pse klubi u pat thënë zyrtarisht tifozëve bardheblu dy muaj më parë se ai nuk ishte larguar përfundimisht.

dejan karanMadje, mbrojtësi serb thotë se arsyeja që nuk kthehet në ekipin kryeqytetas është borxhi që i ka Tirana. “Nuk më kanë shlyer rrogat e fundit.

Ramë dakord që pasi të më shlyenin paratë që më detyrohen, atëherë do të mund të flisnim për një bashkëpunim. Askush nuk më ka telefonuar nga Tirana sepse e dinë se më parë duhet të më shlyejnë rrogat”, ka deklaruar futbollisti serb në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Dejan, Tirana i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri prej disa ditësh, ndërsa ju nuk jeni paraqitur. Mund ta dimë pse nuk i jeni bashkuar ekipit për sezonin e ri?

Për momentin, nuk do të kthehem te Tirana. Kjo është situata aktuale, pasi në dy muajt e fundit Tirana ka pasur kohën e mjaftueshme për të plotësuar marrëveshjen që kemi pasur. Kështu që pa u plotësuar kjo marrëveshje, nuk ka kthim prapa.

A mund ta dimë se cila është marrëveshja që keni vendosur me Tiranën para se të largoheshit?

Marrëveshja është kjo: Të më paguajnë një pjesë të parave që më kanë dhe më pas të hyjmë në bisedime për një sezon tjetër.

Sa është shuma që Tirana ju detyrohet juve në këtë moment?

Kjo është çështje personale dhe nuk dua që gjërat e mia private t’i bëj publike. Mund të them vetëm kaq, Tirana duhet të më paguajë mua si fillim dhe më pas mund të flitet për kthimin tim. Gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen. Di që ata kanë nisur përgatitjet prej ditësh, por askush nuk më ka telefonuar.

Pra, askush nuk është kujtuar nga klubi për t’ju thirrur që të riktheheni te Tirana?

Unë kam pasur telefonata me persona të ndryshëm, por më ka munguar ajo telefonatë ku do të më bëhej ftesa për të ardhur dhe nënshkruar kontratën me Tiranën për sezonin e ri. Pra, askush nuk më ka njoftuar për t’ju bashkuar ekipit. Mbase këtu ndikon edhe marrëveshja që kam pasur me ata para se të largohem, që si fillim duhet të më paguajnë, pastaj të ulemi e të bisedojmë.

Po nga ndonjë klub tjetër shqiptar keni pasur ofertë?

Jo, asnjë. Ofertat i kam nga shtete të tjera dhe prioritet për mua mbetet Hungaria, ku kam luajtur para se të vija te Tirana. Dëshira ime është që të gjej një ekip në një shtet afër vendit tim. Gjithsesi, ka ende kohë për të menduar për të ardhmen, pasi merkatoja është e hapur deri në fund të gushtit. Për momentin, jam lojtar i lirë.

Ju thoni që jeni lojtar i lirë, por para se të largoheshit për arsye dëmtimi, klubi i Tiranës ka deklaruar se ju jeni nën kontratë edhe për sezonin e ri?

E tillë ishte situata asokohe, por dua të sqaroj se kontrata ime me Tiranën ka përfunduar në qershor, kështu që në këtë moment unë nuk kam kontratë jo vetëm me Tiranën, por me asnjë klub tjetër. Kontrata ime me Tiranën ka përfunduar, por edhe deklarata e asaj periudhe qëndronte, pasi ende isha lojtar nën kontratë me bardheblutë. Isha pjesë e klubit deri në qershor, ndërsa unë u largova më herët. Por për të vazhduar për sezonin e ri ne duhet të bisedonim dhe të binim dakord për kushte të tjera kontraktuale.

Pra, që të vazhdonit me Tiranën kërkohej nënshkrimi i një kontrate të re?

Përpara se të flitej për kontratë të re, sipas marrëveshjes që bëmë, Tirana duhet të më paguante mua, pastaj të flisnim për një tjetër bashkëpunim. Pra, pa marrë pagesat e sezonit të fundit, nuk mund të hyja në bisedime për edicionin e ri. Kështu që unë mbetem i hapur dhe në pritje. Kush e di? Mbase ata më telefonojnë për të vijuar bashkëpunimin, sipas asaj marrëveshjeje që kemi rënë dakord para disa kohësh. Gjithçka varet nga Tirana. Unë jam lojtar i lirë dhe jam i hapur edhe për oferta nga klube të ndryshme. Aktualisht po shqyrtoj disa që më kanë mbërritur nga disa vende .

Pas disa ditësh, Tirana do të jetë në Zllatibor, Serbi, për fazë përgatitore. Shpresoni se mund t’i bashkoheni ekipit atje?

Kam dëgjuar se ata do të mbërrijnë atje më 17 korrik. Nëse do të më paguanin, sigurisht që do t’i bashkohesha me dëshirë Tiranës. Për momentin, e kam shumë të vështirë të flas për çdo gjë. Kaq mund të them aktualisht rreth Tiranës.

Para se të largoheshit, ju keni dhënë deklarata kontradiktore. Mund ta dimë pse vepruat ashtu?

Dua të sqaroj diçka, se largimi im nga Tirana ka pasur lidhje me dëmtimin tim, kjo ka qenë primare, ndërsa problemet financiare kanë qenë në planin dytësor në atë periudhë. Për këtë arsye, dola që të sqaroj edhe pozicionin tim në një intervistë televizive para largimit nga Shqipëria. Pra, dëmtimi ishte shkaku kryesor, pasi për financat duhet të prisja deri në fund të sezonit.

Po te noteri pse ishit një ditë para largimit, pasi një fakt të tillë ju e keni shprehur vetë për “Panorama Sport”?

Te noteri isha për të mbyllur gjërat sipas rregullave, por edhe të mbroja paratë që më detyrohej Tirana. Pra, te noteri isha për të mbrojtur kushtet kontraktuale që më lidhnin me Tiranën. Ka qenë një marrëveshje dypalëshe ajo që u nënshkrua te noteri, pasi aty kanë qenë prezentë edhe përfaqësues të klubit. Aty ne nënshkruam atë marrëveshjen që thashë në fillim, pasi doja të isha i sigurt për paratë e mia. Besoj se u kuptuam, te noteri kam qenë për të mbrojtur paratë që më takojnë nga kontrata me Tiranën.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"