EKSKLUZIVE/ “Bomber province”, nga Hima te Seiti dhe Faruku, ata që ekzaltonin gjysmën e Shqipërisë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 22:15

EKSKLUZIVE/ “Bomber province”, nga Hima te Seiti dhe Faruku, ata që ekzaltonin gjysmën e Shqipërisë (E PLOTË)

Historinë në sport nuk e kanë bërë vetëm kampionët e mëdhenj, por edhe talente, individë të spikatur, lojtarë të një klubi modest, jo të elitës, por me kontribut e shumë popullorë duke entuziazmuar një qytet në një të diel, ku futbolli ishte i vetmi argëtim.

Collage Maker-04-Feb-2023-08.35-AM

Një grup me futbollistë klasikë të kësaj kategorie, lojtarë të fortë, krijues, organizatorë, sulmues, shpirti i skuadrës, shënues, duke ndezur një tifozëri dhe një qytet që jetonte me golat e tyre, lider në fushë e jashtë saj. Por për një arsye apo tjetër mund t’u ketë munguar fama, jehona, janë lënë në harresë, e pak është folur për ta. Jo në objektiv, jo në qendër të vëmendjes, jo të trajtuar, preferuar, të anashkaluar nga klubet e mëdha, opinioni, shtypi, publiciteti i kohës, edhe pse kanë qenë protagonistë absolutë të kampionateve kombëtare, por vetëm nga fakti se luanin me një skuadër të thjeshtë, pa pretendime, e konsideruar “e dorës së dytë”. Ku janë sot, çfarë bëjnë këta futbollistë?

Të befasojnë kur i takon në qytetin ku banojnë, ulesh pi një kafe me ta, sheh që nuk kanë ndryshuar, gjithmonë të rrethuar nga admirues. Aty e kupton se nga ai komunitet nuk janë harruar. Ka shumë nostalgji për ta, pasi kanë lënë gjurmë dhe kanë shkruar një histori të çmuar për qytetin, klubin e tyre, emblema të fanellave, ngjyrave që ata mbajtën e u shërbyen në vite. Jo vetëm futbollistë virtuozë, por ambasadorë të vërtetë për qytetin e skuadrën, kanë qenë e mbeten edhe sot. Edhe pse ka kaluar shumë kohë.

MIHALLAQ TONA – Ylli i Kuq (Pogradec)

Nëse bëhet fjalë për lojtarin emblemë të Yllit të Kuq të Pogradecit, ai është Mihallaq Tona. Mesfushor, sulmues, golashënues për dy dekada. Një karrierë e lidhur vetëm me atë fanellë, numrin 8, ndonëse i pëlqyer dhe marrë nga Partizani vetëm në dy vitet e shërbimit ushtarak, në skuadrën ku luante edhe Panajot Pano.

Lojtar cilësor, i saktë në lojë, realizues sistematik, manovrues i të gjitha skemave taktike të liqenorëve, që kalonin në këmbë, fantazi e Mihallaq Tonës. E paharruar finalja e Kategorisë së Dytë, sezoni 1963- 1964. Nga 3-1 për Naftëtarin në 4-3 për Yllin e Kuq. Të tre gola të shënuar nga Tona.

I sjellshëm, korrekt, një emër simbol për brezat, tifozërinë, drejtues, sportistë, bashkëmoshatarë. Për qytetin një faqe sportive me vlerë, bashkë me historinë e klubit, edhe pse koha kalon dhe ai prej disa vitesh është ndarë nga jeta. Asnjëherë në Kombëtare.

NEVRUZ DUÇKA – Labinoti (Elbasan)

Fitues i Kupës së Shqipërisë me Labinotin e Elbasanit, në sezonin 1973-1974, në krah të legjendave Mihal Gjika, Fred Jorgaqi, Bashkim Rudi, Namik Hysi, etj. I zbuluar nga mjeshtri Shefqet Lamçe, me nuhatje goleadori, është një ndër shënuesit e dalluar të asaj periudhe dhe të historisë së klubit elbasanas.

 

WhatsApp Image 2023-02-03 at 22.03.49 (2) (1)

“Nokja”, i fortë si një “trung”, kështu e kanë vlerësuar. Fjalëpakë e punëshumë, një qytet priste dhe jetonte me golat e tij. Tejet i rrezikshëm në zonë, i shpejtë, befasues në manovrime, goditje. Me numrin 7, i respektuar nga të gjithë, mbrojtës, arbitra, i dashur nga spektatori. I marrë nga trajneri Loro Boriçi vetëm një herë në Shqipëri-Turqi 3-0, nëntor ‘71, duke zëvendësuar në pjesën e dytë Leshtenin. Ka disa vite që nuk jeton.

DURIM QYPI – 24 Maji (Përmet)

Janë tre vëllezër, por Durim Qypi, i ndarëtragjikisht nga jeta më 1993-shin), është ai më i veçanti për klubin e 24 Majit, skuadrën përmetare të futbollit të viteve ‘80. Kulmin e pati në sezonin 1981-1982, kur ai është protagonist absolut duke e nxjerrë në Kategorinë e Parë skuadrën e 24 Majit.

Ka qenë njeriu, futbollisti më popullor në atë zonë, krahinë, të famshëm e të njohur kudo, sidomos në zonën e jugut, ku nuk kishin rivalë e konkurrentë në këtë kategori. Një emblemë për qytetin e Përmetit, skuadër dinjitoze, e fortë dhe konkurruese në vitet ‘80-të, gjithmonë protagoniste në Kategorinë e Dytë, madje në një sezon, atë 1980-1981, edhe në të Parën.

I talentuar, futbollist popullor, nga të paktit e kësaj kategorie lojtarësh, i spikatur, i pëlqyer në mesvitet ‘70- ‘80. U transferua në Gjirokastër, ku edhe shkëlqeu në ato dy sezone që luajti aty. Autor i golit spektakolar ndaj 17 Nëntorit, me Luftëtarin nënkampion atë edicion. Edhe ky jashtë listave të ekipeve kombëtare të kohës.

DALI FARUKU – 31 Korriku (Burrel)

Futbollist, protagonist i 31 Korrikut, një karrierë me start në vitin 1977, shënues i rreth 200 golave, kur në sezonin 1983-1984 renditet në listën e goleadorëve me 14 gola. Me aftësi individuale të spikatura, nuhatës, goditës nga çdo distancë e pozicion me të dyja këmbët. I shkathët, driblues, i shpejtë, i paparashikueshëm, me intuitë të lindur.

Një qytet, madje deri edhe të burgosurit e burgut të tmerrshëm të Burrelit jetonin me golat e tij. I pëlqyer nga Loro Boriçi, që tenton ta afrojë te Partizani, por dhe nga Shyqyri Rreli që e grumbullon me përfaqësuesen ku luajnë Minga, Kola, Muça.

Stërvitet, luan në miqësore, por nuk udhëton jashtë shtetit. E pengon biografia. Pastaj transferimi “shock” në Lushnjë me Traktorin, edicioni 1987-1988, i veçantë për kohën. Është 10-ta më e njohur dhe popullore e historisë sportive të rrethit të Matit. Nuk ka ndryshuar. Edhe sot është po i njëjti Faruk. Pak kohë më parë një fushe sportive në Burrel i dhanë emrin e tij.

FEHMI RAMA – Besëlidhja (Lezhë)

Një tjetër i traditës, nga një skuadër jo “big”, por tejet i madh për historinë e klubit. Fehmi Rama, “Furtja” siç e kanë thirrur, njohur, talent absolut i Besëlidhjes së surprizave, ekipit simpatik të viteve ‘80. Sulmues, i fortë fizikisht, robust, driblues i jashtëzakonshëm, goditës i hidhur, shumë i rrezikshëm. Një stadium priste mrekullinë, mjafton që ai ta fuste topin në këmbë e tij.

Vështirë t’ia merrje. Ka shënuar në çdo nivel kategorie, veçanërisht në Lezhë ishte i papërmbajtur. Ndonëse me një staturë fizike jo të lartë, i frikshëm për të gjithë mbrojtësit, mbrojtjet, skuadrat, edhe ato pretendente.

Me numrin 11, idhull i qytetit, tifozërisë, shpirti i atij formacioni ku militonin, nga Nikolin Lorenci te Vasil Bicaj e Paulin Deda. Edhe ky jo i marrë në konsideratë, i pathirrur asnjëherë në përfaqësuese. Prej vitesh jeton në Maltë.

FATMIR HIMA – Lokomotiva (Durrës)

Çfarë lojtari. Një tifozëri e lidhur me emocionet që përcillte. Shpërthyes, driblues, shënues. Një stadium, ai në Durrës, priste me ankth e tension për të reaguar e shpërthyer nga entuziazmi në çastin e një goli të shënuar nga Mir Hima. Tradicionalisht sulmues i majtë, me numrin 11. Gjithmonë në vijën anësore pranë tribunës qendrore. Fizikisht i jashtëzakonshëm.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (13)

Një qytet përjetonte 90 minutat e Lokomotivës, të lidhura, të pandara edhe me Mir Himën. I vështirë për çdo kundërshtar, por dhe arbitrat. E gjithë karriera gati 20- vjeçare, 1970-1980, me një fanellë, atë durrsake, lider në fushë, në dhomat e zhveshjes, lojtar skuadre, për trajnerët, veçanërisht në momente delikate, kur duhej shërbimi i tij.

Edhe në transferta i tillë ka qenë. Nuk i hapte rrugë askujt. I anashkaluar, i pathirrur asnjëherë në Kombëtare, edhe pse të gjithë ia dinin e vlerësonin aftësitë profesionale, teknike, forcën, rrezikshmërinë, panikun që krijonte dhe atmosferën që ndizte.

SABAH MICI – FK Laçi

Sot ai bën fotografin dhe kur e takon sheh që ka mbetur po ai Sabah Mici. Si para ndeshjeve, gjatë shortit, një lider, emër i rëndë, me një histori të së njëjtës peshë nga pas. Një karrierë e nisur më 1985 me Industrialin, pastaj katër sezone me Kastriotin, për t’u rikthyer te FK Laçi në vitet e shkëlqimit, ku edhe e mbylli si kapiten i saj. Me numrin 9, në kufijtë e një miti, ka qenë për atë klub modest, në fushë e jashtë saj, i jashtëzakonshëm kur luante.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (5) (1)

Një skuadër, një tifozëri, një qytet, të gjithë prisnin “shpëtim” nga Mici. Protagonist në sfida epokale të zhvilluara në Laç, në ato të kategorisë inferiore, por edhe në ato të elitës ndaj SK Tiranës, Partizanit, Vllaznisë, Flamurtarit, etj. Nuk njihte kundërshtar, duke e tërhequr skuadrën në çdo rrethanë, situatë edhe në transfertë. Laçi i Sabah Micit, thonë kur bëhet fjalë për atë formacion rivalizues. I fuqishëm në lojën në ajër, me të dyja këmbët, i vështirë për t’u markuar. Asnjëherë në përfaqësuese, edhe pse i shquar në veprimtaritë kombëtare asokohe. Gjithmonë me numrin 9.

SHPËTIM KATESHI – Shkumbini (Peqin)

Një model në të gjitha drejtimet. Perla e futbollit shkumbinas. Kështu është vlerësuar kur u nda me futbollin, por edhe sot. Një Katesh, i pazëvendësueshëm, titullar dhe protagonist në ndeshje të vështira, të paharruara të çdo kategorie. I thjeshtë, tejet komunikues, korrekt, shumë popullor për atë qytet të vogël, me futbollin modest, por me traditë dhe pretendues.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (2) (1)

Kapiten, lojtar fushe, por edhe i dhomave të zhveshjes. Goleador në sezonin 1995-1996 me Shkumbinin në Kategorinë e Parë. Asnjë karton, i admiruar nga të gjithë, arbitra, kundërshtarë, spektatorë e trajnerë. Me profesion mësues historie, 20 vite karrierë, fillim e mbarim me zikaltrit shkumbinas, përkrah Maganit, Isait, Branicës, Nezhës, etj. Me një shkëlqim të veçantë, por asnjëherë i grumbulluar në Kombëtaret e kohës.

LUAN JAKUPI – Labinoti

Lan Jakupi, kështu e njohin e thërrasin edhe sot. Një goleador i shkëlqyer, tipik, kur u shfaq në futbollin shqiptar në mesvitet ‘80- ‘90 me skuadrën e Labinotit, të trajnerëve Dash Stringa e Astrit Sejdini. Dinak, i shpejtë, manovrues, njohës i mirë i zonës, i aftë të lirohet nga çdo markim, i vështirë për t’u mbuluar, ndaluar. Mjaftonte një devijim, një prekje vetëm kur topi i goditur nga Jakupi kishte përfunduar në rrjetë.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (1) (1)

Një ndër futbollistët e rrallë në këtë rol në historinë e klubit, i padiskutueshëm në një formacion, nga Branica, Tafani, Deliu, Asllani, Bilali, Peqini. Në 15 vite karrierë, pati fatin të pëlqehej, të luante edhe te SK Tirana, Teuta, Shkumbini, Bylisi, Erzeni deri edhe me Bulqizën.

Gjithmonë me 9, i paharruari Sefedin Allkja, radiokronisti kur nga Elbasani do të informonte: “Për Labinotin ka shënuar Jakupi…” Asnjëherë në Kombëtare, edhe kur e thirrën e larguan nga biografia. Ai Lan Jakupi ka mbetur edhe sot, i dashur për të gjithë ata që kanë jetuar me golat e tij.

SHKËLQIM MURATI – Erzeni (Shijak)

Një mbiemër që nuk do koment për pasionantët, qytetin e futbollin, jo vetëm shijakas. Dy vëllezër, Agimi golashënues, një ndër më kolosët në këtë rol në kampionatet kombëtare, protagonist absolut te Partizani, dhe tjetri, më i vogël në moshë, Shkëlqim Murati.

Me numrin 10, një jetë, një karrierë, një fanellë vetëm me Erzenin e viteve 1980-1990, skuadër sistematike në Kategorinë e Dytë. I talentuar, idhull për atë qytezë të vogël, por të futbollistëve të mëdhenj. Për atë klub, spektatorin, historinë, një pjesë e rëndësishme e saj është edhe Çim Murati. Punëtor, i palodhur, i pandalur në çdo sektor të fushës, gjithmonë vetëm duke vrapuar në rolin e mesfushorit, sulmuesit, pasimit final.

Një skuadër rreth kapitenit, i pakursyer në shërbim të saj. Korrekt, i dashur për të gjithë. Lider, tejet popullor, i admiruar, një mit për Erzenin e kohës, një figurë futbollistike e pazëvendësuar edhe sot. Asnjëherë në përfaqësuese.

SHPËTIM TOSKA – Korabi (Peshkopi)

I jashtëzakonshëm, i papërsëritshëm, asnjë tjetër si ai në atë zonë, në atë qytet, në atë skuadër: Korabi. Një 10, si numri që ka mbajtur, një memorial meriton për kontributin që ka dhënë te ky klub në vitet ‘80-‘90. “Toskagol”, më shumë se një “mbret”, idhull për tifozërinë. Golashënues, lider absolut skuadre, pjesëmarrëse në atë kategori të vështirë për nga kushtet, agresivitetin, rivalitetin e ashpër. Nuk ka qenë më shumë se 163 cm, por nuhatës, gola spektakolarë të shënuar brenda e jashtë zonës së 16-metrave, mjeshtër në goditjet standarde me të majtën e tij ndëshkuese.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (8) (1)

I paparë edhe në golat e realizuar me kokë, pavarësisht nga statura fizike. Se të vështirë e kanë pasur mbrojtësit për ta markuar. Nëse do të ishin të regjistruar golat e tij, do të kishim një shifër tronditëse. E hapi dhe e mbylli karrierën me Korabin vetëm në Kategorinë e Dytë, deri më 1992-shin për t’u aktivizuar e vijuar për pak kohë me një tjetër Korab, atë të Dibrës së Madhe. Asnjëherë i thirrur, as i grumbulluar në Kombëtare.

ALBERT HAXHIA – Sopoti (Librazhd)

Një karrierë me një fanellë, 15 vite me Sopotin e Librazhdit, një skuadër sistematike, protagoniste në Kategorinë e Dytë të kohës, atë të viteve 1980-1990, në ndonjë rast edhe në të Parën, por sporadike. Albert Haxhia ka qenë dhe mbetet lideri i asaj skuadre, i historisë së klubit librazhdas. Kapiten, sulmues, shënues, organizator, manovra niste dhe përfundonte me Bertin. I rrezikshëm për kundërshtarët, portierët. Një qytet, një tifozëri ishte e lidhur me të.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (12) (1)

Shpirt skuadre ka qenë. Edhe sot “Sopoti i Bert Haxhisë” thonë. Madje e nxori ekipin edhe në Kategorinë e Parë. Vetëm një herë i grumbulluar me kombëtaren “B”, më 2002-shin, i thirrur si futbollist i skuadrave të rretheve, por vetëm kaq. Gjithmonë me numrin 10, sot Bert Haxhinë e gjen trajner tek Orikumi. Tjetër pjesë e karrierës, por e pakrahasueshme me atë si lojtar.

SPARTAK QOSJA – Kastrioti (Krujë)

Ka shënuar 27 gola me të rinjtë, as 16 vjeç afrohet te të rriturit e Kastriotit nga trajneri Taip Çutra. Model, simbol i një skuadre, qyteti. Titullar, organizator, i palodhur, i pafjalë dhe i kudondodhur. Kapiten për 14 vite, i respektuar nga arbitra, kundërshtarë e tifozëri, tipik “njeriu skuadër”, ku janë edhe Ndreu, Ujka, etj. Shënues i shquar, edicioni 1991-1992, është autor i 19 golave pas Rrakllit me 25, Bozgos me 23 e Bilalit me 21 gola.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (4) (1)

Goli spektakolar nga 30 metra larg ndaj Partizanit në sezonin 1990-1991. Kampionati 1994-1995 kalon te Laçi, për t’u rikthyer pas dy edicionesh te Kastrioti me trajner Robert Jasharin. Në formacion deri më 2002-shin, kur e la futbollin në moshën 40-vjeçare. Gjithmonë me 11, një numër i pandarë në jetë, kur në moshën 2-vjeçare, nga 11 fëmijë të operuar për arsye shëndetësore, vetëm Qosja mundi të shpëtojë pas një ndërhyrjeje të vështirë të kryer nga mjeku Isuf Kalo. Në Kombëtare vetëm një herë, kur është golashënues, por sa e kanë grumbulluar.

ALEKSANDËR KOCI – Naftëtari (Kuçovë)

Goleador i shquar i Naftëtarit spektakolar të viteve ‘80. Një karrierë e lidhur me atë ngjyrë, atë fanellë, pa e ndarë numrin 7. Te kuçovarët evidentohet në moshë të re, viti 1974 i afruar nga trajneri Bejkush Birçe. Për të shpërthyer më 1977-ën, titullar deri më 1988-ën, kur edhe u largua.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (6) (1)

Nga më të shquarit e atij futbolli të bukur, i atij grupi simpatik, i skuadrës së befasive, gjithmonë në rolin e një protagonisti. Sulmues agresiv, i shpejtë, shpërthyes, nuhatës e finalizues, “vrasës i skuadrave të vogla e të mëdha”. Idhull i tifozërisë, qytetit, problem për çdo mbrojtës, kundërshtar, arbitra.

Në Kategorinë e Parë, sezoni 1982-‘83, me 14 gola renditet i dyti pas Bajazitit të Besës me 16. Edhe pse lojtar cilësor, i shquar e me kontribut në ato nivele, Sandër Koci është një tjetër futbollist, që nuk e provoi e as mbajti as edhe një sekondë fanellën kuqezi. Jeton në Greqi.

LUAN SEITI – Luftëtari (Gjirokastër)

Sulmuesi i golit me “helm”. Kështu e kanë cilësuar. Jo më shumë se 166 cm, me Luftëtarin e Hito Hitajn pastaj të Bahri Ishkës, ku edhe arriti majat. Ka qenë idhull për tifozërinë vendase për golat, ndonëse nën kontrollin, goditjet, mbulimet agresive të mbrojtësve. Një eksploziv i vërtetë robust, rezistent, me temperament, i palodhur, driblues, me një sprint të fortë, nuhatës, një alarm-sistematik, i rrezikshëm, i paparashikueshëm, i kudondodhur, njohës i mirë i zonës.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (7) (1)

“Njeriu i golit të pamundur”, as koha e keqe, as terreni i rënduar, nuk e kanë ndaluar të shënonte. Një karrierë e nisur dhe e mbyllur në Gjirokastër, me Luftëtarin 1975-1989 dhe numrin 8. I veçantë edhe për zemrën në krahun e djathtë. I dyti në renditje me 17 gola pas Kovaçit në sezonin 1979-1980. Me Kombëtaren pak minuta është aktivizuar, duke zëvendësuar Vasillaq Zërin në pjesën e dytë të takimit Shqipëri-Bullgari 0-2, EKB, në shtator 1981.

PËRPARIM KOVAÇI – Tomori (Berat)

Një tjetër numër 10, golashënuesi i shquar, jo vetëm i Tomorit, por edhe në historinë e golashënuesve shqiptarë. Sistematik në ato vite përkrah golashënuesve më të mirë të kohës. I fortë, nuhatës, i rrezikshëm, lojtar zone, nuk ka lënë klub as kundërshtar pa i ndëshkuar. “Kujdes Kovaçin, orientoheshin skuadrat, mbrojtësit”. As 170 cm, idhull i vërtetë për tifozërinë vendëse me gola spektakolarë të realizuar prej tij me të gjithë mënyrat: me të majtë, të djathtë, me kokë.

WhatsApp Image 2023-02-03 at 10.02.49 PM (3) (1)

Në Berat ishte i jashtëzakonshëm, në kufijtë e një legjende. Një qytet përjetonte, flinte e zgjohej me golat, fitoret, emocionet, çfarë ai i dhuronte. Protagonist absolut në sfida të rëndësishme të periudhës 1980-1990, të Tomorit ndaj ekipeve të mëdha kryeqytetase, atyre të rretheve, ato derbi, etj. I marrë si përforcim nga Flamurtari në Kupën Ballkanike, sezoni 1980- 1981, autor i dy golave vlonjatë: Një ndaj Velezh të Mostarit, portierit të famshëm, shqiptarit Enver Mariç dhe në Vlorë ndaj AEK të Athinës. Edhe Rim Kovaçi nuk e shijoi asnjëherë ngjyrën e përfaqësueses.

UVIL ZAJMI-PANORAMASPOR.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"