EKSKLUZIVE/ “Bomba” e Partizanit, ofertë Ilir Dajës për stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 2, 2020 | 0:00


EKSKLUZIVE/ “Bomba” e Partizanit, ofertë Ilir Dajës për stolin

Partizani është i fokusuar tek arritja e objektivit minimal sezonal, që është sigurimi i një bilete për në Ligën e Europës. Kjo është detyrë për lojtarët dhe stafin teknik me në krye trajnerin Adolfo Sormani. Ndaj, këto 5 ndeshje të mbetura janë periudhë prove për të gjithë, lojtarë dhe staf.

ILIR DAJA

Sa i përket merkatos, klubi deri tani ka zyrtarizuar vetëm shitjen e Lorenc Trashit në Kuvajt, ndërsa lëvizjet e tjera mbeten pas kuintave. “Panorama Sport”, nga burime pranë të kuqve ka mësuar edhe disa nga lëvizjet që po bëjnë drejtuesit e Partizanit për përforcimin e skuadrës. Parimisht, trajneri Sormani ka edhe dy vite kontratë me “demat”, por nga lëvizjet që po bëjnë drejtuesit lë të kuptosh se italiani nuk e ka të gjatë në drejtim.

Gazeta ka mësuar nga këto burime se drejtues të lartë janë vënë në kontakte me trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja, për ta bindur që të marrë drejtimin e “demave të kuq”. Emri i Dajës u lakua edhe në dimër, pas shkarkimit të Franko Lerdës, por duket se Partizani nuk heq dorë nga trajneri 53-vjeçar, që njihet si një ekspert i Kategorisë Superiore.

 

Ilir Daja

Sipas këtyre burimeve, “Panorama Sport” ka mësuar se në këtë lëvizje është përfshirë vetë drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, i cili për ta bindur duhet të pranojë edhe disa kushte të teknikut. Për Ilir Dajën po zhvillohet një betejë e madhe në merkato, pasi të tria klubet që e synonin në dimër, e duan edhe tani, ku bëhet fjalë për Partizanin, Tiranën dhe Shkëndijën e Tetovës. “Sportmedia.mk” e ka bërë thuajse fakt të kryer që Ilir Daja do të jetë trajneri i ri i Shkëndijës së Tetovës duke zëvendësuar Ernest Gjokën që i mbaroi kontrata.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com