Ekskluzive/ “Bomba” e ish-shefit të gjyqtarëve: Shulku ndërhyn tek arbitrat, Meta vegël e sistemit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2018 | 18:00

Ekskluzive/ “Bomba” e ish-shefit të gjyqtarëve: Shulku ndërhyn tek arbitrat, Meta vegël e sistemit

Arsen Hoxha, ish-gjyqtari i shquar shqiptar me stemën e FIFA-s dhe më pas ish-drejtues në sektorin e arbitrimit në FSHF, ka qenë tepër kritik me episodet e ndodhura së fundmi në futbollin shqiptar, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë sërish vendimet e gabuara të xhaketave të zeza.

arsen hoxha

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai guxon të përmendë emra dhe të thotë se Kridens Meta i përket atij brezi gjyqtarësh që nuk kanë asnjë ndjeshmëri kur gabojnë apo kur situata nuk lidhet me urdhrat që marrin apo interesat vetjake.

Gjyqtaret seminar

 

Hoxha i lëshon një shigjetë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, duke i thënë se: “Nëse z.Shulku do të vendosë një ditë që të bëjë një shkrim mbi përdorimin e arbitrave nga zyrtarët e tyre dhe mënyrën e zgjedhjeve të të gjitha kategorive të organizuara në FSHF, fatmirësisht nuk do t’i dalë një shkrim i thjeshtë, por një roman me shumë fletë…”.

Zoti Hoxha, ç’mendim keni për arbitrimin deri në këtë fazë të kampionatit?

Në dy dekadat e fundit ka pasur një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si është konceptuar pozicioni i arbitrit në tre nga komponentët kryesorë të lojës siç janë:

1- Dallimi i lojës së fortë nga ajo burrërore.

2- Ndëshkimi i shkeljeve të ndodhura brenda zonës së penalltisë (16 metërshit)

3- Mënyra e kontrollit të disiplinës. Para dy dekadash, nga arbitrat kërkohej që të ishin krijues dhe inteligjentë, në mënyrë të veçantë në dallimin e lojës së fortë nga ajo burrërore, si dhe në lejimin e avantazhit. Në këto dy dekadat e fundit, kryesisht për të ruajtur shëndetin e lojtarëve, arbitrave iu kërkua që të dënonin pothuaj çdo shkelje që kryhej nga dëshira, pakujdesia apo forca e tepruar pa menduar shumë për lojën e fortë dhe avantazhin.

Ndërkohë edhe qëndrimi ndaj shkeljeve që ndodhin brenda zonës së penalltisë u kërkua të ishte më i ndjeshëm. Kështu funksionojnë sot arbitrat e nivelit të lartë në të gjithë botën.

Arsen-Hoxha

Po te ne si funksionojnë?

Çuditërisht, vetëm në vendin tonë, edhe pse teknologjia komunikuese midis tyre ka avancuar, pjesa kryesore e arbitrave e kanë humbur ndjeshmërinë për të gjykuar me objektivitet vendimet në këtë zonë…

Pse e thoni këtë?

E them sepse kushdo që i ka kushtuar pak kohë studimit të ligjeve të lojës, praktikës konkrete të gjykimit dhe që njeh mirë mënyrën se si trajtohen arbitrat shqiptarë nga zyrtarët e tyre, kupton se sa puna me ta bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe morale, se sa specialistët e komisioneve janë të lirë nga shefat e tyre që ta bëjnë me kompetencë detyrën e besuar…

E keni fjalën për ngjarjet e javës së fundit apo në tërësi?

Është sjellja e përgjithshme e tyre. Është mentaliteti. Duket qartë se në vazhdimësi do të shikojmë arbitra arrogantë, të përdorur, që do të abuzojnë me të drejtën arbitrare për të plotë- suar dëshirat e shefave apo edhe të tyret personale.

Gabime ka pasur edhe në kohën kur ju ishit disenjator z.Hoxha…

Po e vërtetë. Por ama të gjithëve duhet t’u kujtohet se kampionati i sezonit 2010- 2011, kur zhvilloheshin 7 ndeshje në javë, kishte aq pak arbitra sa ishte tepër e vështirë që të plotësoheshin arbitrat e javës. Por, gabimet e rënda u ndëshkuan mjaft ashpër nga komisioni përkatës. Njëri nga arbitrat e FIFA-s u dënua 5 javë për një 11-metërsh që u gjykua se nuk u dha në mënyrë të qëllimshme, por një arbitër tjetër i FIFA-s u dënua me 10 javë për një 11-metërsh të dhënë në mënyrë të gabuar dhe për menaxhim joprofesional të ngjarjeve që ndodhën pas atij vendimi.

Si ju duk gjykimi i Kridens Metës në ndeshjen Laçi-Flamurtari?

Pikërisht aty do të dal, pasi jo më kot ua solla shembullin pak më lart. Arbitri, që u konsiderua si më i miri deri në javën që gaboi tepër rëndë në ndeshjen Bylis-Flamurtari, ishte pikërisht arbitri Kridens Meta. Ai është edhe objekti kryesor i shkrimit të sotëm për fat të keq… Por diferenca është se në atë periudhë ky arbitër u dënua me 10 javë pezullim. Ndëshkim realisht shumë i rëndë në një kohë, e përsëris, që ishim në emergjencë për gjyqtarë. Por ama nuk u fal.

Arsen Hoxha studiu

Po thoni që tani ka ndryshuar mënyra e sjelljes nga Komisionet e Vlerësimit kundrejt arbitrave?

Qëllimi i përmendjes së rasteve të mësipërme është që të tërheqim vëmendjen për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me komisionet përkatëse që, edhe pse gabimet e disa prej arbitrave kanë qenë tepër të rënda, ata pas një ose dy javësh i shikon përsëri në aktivitet… Së fundmi, vetëm te dy ndeshjet e gjykuara nga arbitrat e FIFA-s: E. Jorgji, E. Hamiti, futur këtu edhe K. Metën, kemi parë shkelje arrogante të mbrojtësve ndaj sulmuesve, kemi parë kapje për mesi deri sa lojtari sulmues ka rënë në tokë, kemi parë raste kur sulmuesi është shtyrë apo mbajtur me arrogancë nga lojtari mbrojtës, kemi parë ndërhyrje flagrante ndaj kundërshtarëve të pandëshkuara me masën e duhur nga arbitrat. Çuditërisht, pjesa më e rëndësishme e arrogancës në futbollin tonë ka qenë arroganca e arbitrave, të cilët në mënyrë demonstrative e kanë përdorur të drejtën arbitrare jashtë çdo kriteri profesional të gjykimit.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë aspekt?

Të them të drejtën, shpeshherë më ka bërë përshtypje qëndrimi, mimika dhe gjestet e tyre. Ata kanë qenë shpërfillës ndaj interesave të sportdashësve, sportistëve dhe drejtuesve të tyre. Arbitri Kridens Meta mund të merret pa dyshim si përfaqësuesi më i zellshëm i këtij grupi arbitrash, që me arrogancë përdorin standarde të ndryshme gjykimi, jo vetëm në ndeshje të ndryshme, por edhe brenda të së njëjtës.

Pse jeni kaq i bindur?

Sepse ai s’e ka për asgjë që t’u kthejë kurrizin ngjarjeve që nuk i interesojnë t’i shohë. Koha e këtyre arbitrave ka ikur. Është më mirë të aktivizohen me kurajë arbitra të rinj dhe me shpresë se do të ruajnë dinjitetin e tyre moral dhe profesional se sa vegla në duart e shefave apo të interesave të tyre të vogla.

A keni një mesazh për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit?

Ne e kuptojmë se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit dhe Meritës e kanë shumë të vështirë të ndëshkojnë arbitrat, që me vetëdije gabojnë, përballë kërkesës së sekretarit të FSHFsë, kur ai u thotë: ‘Mos i ndëshkoni se kanë pasur porosi nga ne”, apo Komisioni i Caktimit të Arbitrave që detyrohen të humbasin pavarësinë në caktimin e tyre.

Po thoni se Ilir Shulku ndikon drejtpërdrejtë tek arbitrat dhe te vlerësimi i performancës së tyre?

Së pari, unë mendoj se duhet të ketë një pakt shumë të pastër midis “Kukullës që nuk thotë jo”, por që realisht është i gjithëpushtetshmi i fushës së arbitrimit dhe titullarëve kryesorë të FSHF-së. Këta të fundit duhet të qëndrojnë larg çdo ndërhyrjeje ndaj komisioneve. Së dyti, kam bindjen se nëse një ditë zoti Ilir Shulku në detyrën e ish-Shefit të Garave dhe aktualisht në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, do të vendosë të bëjë një shkrim mbi përdorimin e arbitrave nga zyrtarët e tyre dhe mënyrën e zgjedhjeve të të gjitha kategorive të organizuara në FSHF, fatmirësisht nuk do t’i dalë një shkrim i thjeshtë, por një roman me shumë fletë… Duke qenë se për futbollin ka shumë lexues të interesuar, do t’i duhet ta bëjë në shumë kopje, gjë që do t’ia shtojë edhe më shumë pasurinë atij. Kush e do futbollin, nuk duhet të heshtë. Komiteti i Arbitrave urgjentisht duhet të dalë si institucion i pavarur nga FSHF-ja!

BESAR BOZGO

  • Intervistën e plotë e lexoni në versionin print të gazetës “Panorama Sport”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"