EKSKLUZIVE/ “Boll e durova”, Gjici flet pas shkarkimit të Duros: Unë e kam fajin që ekipi pëson gola gjithnjë në fund?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2020 | 13:20

EKSKLUZIVE/ “Boll e durova”, Gjici flet pas shkarkimit të Duros: Unë e kam fajin që ekipi pëson gola gjithnjë në fund?!

Dy pikë në tri ndeshjet e fundit dhe humbja e kreut të renditjes i kanë kushtuar trajnerit Shpëtim Duro shkarkimin nga Kukësi. Ka qenë vetë klubi verilindor që ka njoftuar dje vetëm një orë pas ndeshjes në Durrës, vendimin për ta larguar trajnerin. “Shpëtim Duro nuk do të jetë më trajner i Kukësit. Klubi ka vendosur ta shkarkojë teknikun për shkak të mungesës së rezultateve. Fillimi jo i mirë i fazës së tretë dhe sidomos ndeshjet ndaj Bylisit, Tiranës dhe së fundmi ndaj Teutës kanë bërë që Duro të shkarkohet. Pas 24 javësh kampionat, Kukësi renditet në vendin e dytë me 4 pikë larg kreut.duro gjici

Klubi falënderon Duron për gjithçka ka bërë te Kukësi dhe i uron suksese në të ardhmen”, citohej në njoftimin zyrtar të klubit në faqen zyrtare në “Facebook”. Ndërkohë, “Panorama Sport” kontaktoi dje në mbrëmje vetë presidentin Safet Gjici, i cili është njëkohësisht është kryetar i Bashkisë së Kukësit. Gjici shfaqi zhgënjimin e tij, duke sqaruar edhe arsyet pse vendosi ta largonte trajnerin kur mbeten për t’u luajtur edhe 12 ndeshje kampionat. Në një situatë kur nuk mund të largojë lojtarë, kreu i klubit theksoi se “divorci” me trajnerin ishte i pashmangshëm.

Zoti Gjici, pse vendosët ta largonit trajnerin në këtë moment delikat të kampionatit?

Normalisht prej rezultateve kam vendosur ta largoj trajnerin. Rezultatet vijnë nga puna që bën.

Nuk jeni i kënaqur nga puna e Duros?

Shikoni, ne vijmë pas një serie rezultatesh negative. Në Ballsh pësojmë gol në 20 sekondat e fundit, më pas kalojmë në avantazh me Tiranën dhe përmbysemi për dy minuta. Vijmë te ndeshja me Teutën, ku pësojmë fillimisht e përmbysim më pas. Kur duhet ta mbyllnim ndeshjen me fitore, sërish pësojmë gol në fund. Nuk shkon kështu. Jemi në momentin kyç të sezonit, por nuk ka problem fare. Më mirë të bënim këtë shkarkim tani, sesa në fund fare, kur nuk do të kishim çfarë të rregullonim, sepse gjithçka do të mbyllej. Madje, e kam duruar shumë trajnerin në këtë situatë… Nuk kam se çfarë të bëj më shumë.

Keni gjetur mirëkuptim për çështjen e kontratës me Duron apo nuk e keni menduar këtë për momentin?

Nuk janë këto detaje që mund t’i them tashmë. Janë hapa që s’mund t’i bëj publikë. Kemi njoftuar zyrtarisht për shkarkimin e tij, kaq.

OK, a mund të na thoni se kush do të jetë trajneri i ri i Kukësit?

Jo, nuk e kam menduar fare se kush do të jetë. Duhet të presim dhe të shikojmë se çfarë do të bëjmë.Safet Gjici

Thatë që jeni i zhgënjyer, por sa përgjegjësi kanë lojtarët në këtë situatë?

Unë kam shumë kohë që jam i zhgënjyer me gjithçka në skuadër. Kam pritur reagimin e ekipit dhe trajnerit. S’kam parë asnjë reflektim dhe asnjë analizë nga trajneri për situatën. Tri gabime rresht, pa llogaritur këtu ndeshjen në Gjirokastër dhe barazimin me Skënderbeun. Sigurisht që përgjegjësi të madhe kanë lojtarët, por unë nuk mund t’i heq ata në këtë moment. Trajneri ka përgjegjësinë për të menaxhuar lojtarët, prandaj dhe paguhet për të drejtuar ekipin.

Nga të gjithë futbollistët jam i pakënaqur. Ta kesh ndeshjen në dorë ndaj Teutës dhe sërish të mos marrësh tri pikë, kjo nuk shkon. Nuk dinë të mbajnë rezultatin dhe kjo është alarmante. Nuk mund të futem në detaje teknike, pasi s’më takon të them se ka pasur probleme me zëvendësimet. Fakti është që skuadra edhe sot (dje) pësoi e para, e ktheu rezultatin dhe pastaj sërish nuk diti ta mbante.

Tirana është katër pikë para Kukësit tashmë. Sa besim keni se mund të përmbyset kjo situatë?

Sigurisht që unë kam shumë besim, por këtë do ta tregojë fusha. Secili shikon punët e veta. Kukësi tashmë ka probleme me veten, as me Tiranën apo skuadër tjetër. Bravo u qoftë atyre që kanë pasur një ecuri të mirë, por mua nuk më tremb kjo. Një ekip si Kukësi nuk mund ta përmbysë rezultatin dhe më pas të pësojë sërish gol. Kjo është e papranueshme. Kush e ka fajin këtu, e ka presidenti? Besimi im për titullin kampion është absolut. Në lojë janë edhe 36 pikë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"