EKSKLUZIVE/ Bojkoti i Superiores, ish-gjyqtari Arsen Hoxha: UEFA nuk bie viktimë, janë shpikje shqiptare… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2020 | 18:53

EKSKLUZIVE/ Bojkoti i Superiores, ish-gjyqtari Arsen Hoxha: UEFA nuk bie viktimë, janë shpikje shqiptare… (E PLOTË)

Arsen Hoxha, ish-gjyqtari i shquar shqiptar që prej vitesh jeton në SHBA, është kundër bojkotit të klubeve. Sipas tij, këtë nismë po e dirigjon FSHF-ja, e cila edhe pse ka të drejtë të këmbëngulë për ligjin e sponsorizimeve, nuk mund të kërkojë kurrsesi heqjen e taksimit për futbollistët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hoxha deklaron gjithashtu se kjo është një nismë që nuk do të gjejë mbështetje as në organizmat ndërkombëtarë të futbollit siç janë UEFA dhe FIFA.

arsen hoxha

Për mungesë akordi midis palëve, bojkoti i futbollit po vazhdon. Mendoni se këtë situatë do ta zgjidhë vetëm UEFA?

Kërkesat e Ligës Profesioniste, të dirigjuara nga FSHF-ja, në një pjesë të mirë të tyre janë të drejta, sidomos në ligjin e sponsorizimeve, por nuk besoj se drejtuesit e lartë të UEFA-s do të bien viktimë e tyre.

Në ç’kuptim?

Nuk besoj që të ketë asnjë shembull të vetëm në botë ku shoqata të veçanta, siç është edhe kjo e futbollit te ne, të kërkojnë t’i zgjidhin kërkesat e veta me ultimatume dhe aq më keq edhe me bojkotim të aktivitetit futbollistik të vendit. Imagjinoni për një moment sikur të gjitha shoqatat që janë të regjistruara në organet e drejtësisë dhe që njihen zyrtarisht nga shteti, të paraqitnin secila kërkesat e veta dhe si rrugëzgjidhje të mos gjenin dialogun, por bojkotin dhe arrogancën… A e imagjinoni dot se çfarë situate do të krijohej?

A mund të inkurajojë UEFA precedentë të tillë?

Kurrsesi që jo. Ashtu siç nuk u mbështetën nga politika botërore, praktikat thellësisht të gabuara të braktisjes së parlamentit nga politikanët tanë, ashtu nuk do të mbështeten edhe bojkotet sportive nga drejtuesit e lartë të futbollit europian apo botëror. Këto janë shpikje shqiptare dhe janë tipar dallues për drejtuesit arrogantë dhe me mungesa në formimin e kulturës qytetare. Tipari kryesor i emancipimit shoqëror është zgjidhja e problemit me marrëveshje, bashkëpunim, kompromise dhe lëshime reciproke, por kurrsesi me ultimatume. Mosplotësimi i të gjitha kërkesave që sporti ka nevojë sot, diktohet edhe për një arsye shumë të fortë.kategoria superiore

Cila është kjo arsye?

Shteti ynë i ardhur nga një varfëri absolute ka bërë shumë, madje fare shumë për të ndryshuar vetveten dhe kjo ka ndodhur si kur është qeverisur nga të djathtët, ashtu edhe nga të majtët. Të gjithë dëshirojnë që për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti shteti të kontribuojë edhe më shumë, por asnjë drejtuesi sportiv, futbollisti apo sportdashësi nuk i lejohet që të mendojë në mënyrë të njëanshme. Të gjithë duhet të mendojmë edhe për invalidët, të moshuarit me pensione nën nivelin e mbijetesës, për spitale, rrugë e shumë gjëra të tjera që na mungojnë. Në këtë kuptim shtetit i duhet të plotësojë urgjentisht disa nevoja më të rëndësishme se ato të sportit, që për fat të keq janë shumë.

Mbështetët vetëm ligjin e sponsorizimeve, po për të tjerat çfarë mendoni?

Kërkesa e katërt, që ka të bëjë me taksimin mbi të ardhurat, më duket shumë e gabuar dhe në njëfarë kuptimi edhe fyese për çdo sportist. Tatimi dhe taksat kudo në botë janë të përcaktuara me ligj. Ato janë pagesa që personat fizikë e juridikë të një vendi, në bazë të të ardhurave ose të pasurisë që ata kanë, të konsumit të mallrave e të shërbimeve që përfitojnë, të bëjnë në favor të buxhetit të shtetit.

Këto pagesa përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe kjo afërsisht shkon në mbi 90% të të ardhurave të saj, që më pas përdoret nëpërmjet investimeve apo pagesave, në shërbim të të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Nëse unë sot do të isha futbollist dhe individë të veshur me pushtet, nëpërmjet ligjeve parimisht jo të drejta. mua dhe shokëve të mi sportistë do të na përjashtonte nga këto detyrime, do të ndihesha tepër i fyer që unë të përjashtohesha nga taksimi mbi të ardhurat.

Pse kështu?

Sepse në thelb do të thotë se çdo futbollisti t’i hiqet mundësia që ai të japë kontributin ekonomik në shërbim të shtetit të vet që të mos kontribuojë në mbrojtjen e vendit, në investimet, në politikat sociale e të tjera. Dhe e gjithë kjo, vetëm për faktin se është futbollist?! Çdo sportist që përjashtohet nga ky detyrim do të ndihet i fyer kur shikon se nëna, babai, vëllai e motra, të cilët marrin mesatarisht nga 300 euro në muaj, paguajnë rregullisht detyrimin mujor dhe ai që merr 3000-6000 euro jo. Secili e zgjedh vetë profesionin e tij dhe në raport me produktin e punës së vet edhe shpërblehet. Në këtë kuptim nuk ka rëndësi nëse je punëtor, sportist apo zyrtar. Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë si në të drejtat ashtu edhe në detyrimet. Mendoj se edhe vetë drejtuesit e lartë të futbollit botëror nuk do të bien kurrë dakord me kërkesa të tilla që në parim nuk qëndrojnë dhe disa të tjera që janë jashtë mundësive reale të shtetit tonë.

Nëse këto kërkesa nuk janë të përshtatshme, sipas jush, pse nuk miratohet ligji si në Kosovë?

Po, mund të jetë një zgjidhje edhe ajo. Nëse Kosova pas miratimit të një pakete ligjore për sportin, të kopjuar nga vende perëndimore, ka nisur të ketë sukses, atëherë mund ta marrin si shembull.

Ju thoni se qeveria ka prioritete të tjera më të rëndësishme se sporti, po kur bëhet fjalë për mbijetesë, dhe ndërkohë kemi gjysmat e klubeve me bilanc negativ, si mund të zgjidhet?

Të heqin dorë nga rrogat e shtrenjta, nga futbollistë të paguar me miliona dhe t’i bëjnë hyzmet produktit vendës, sepse edhe duke paguar lojtarë nga 6 mijë euro rrogë, edhe duke u ankuar në fund që nuk ke para, nuk shkon.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"