EKSKLUZIVE/ Bode i përgjigjet Gjikës për akuzat e titullit të 2011-ës: Ai sheh fantazma (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 27, 2020 | 23:58


EKSKLUZIVE/ Bode i përgjigjet Gjikës për akuzat e titullit të 2011-ës: Ai sheh fantazma (E PLOTË)

Skënderbeu-Flamurtari rindizet afro një de kadë më pas. Në sezonin 2010-2011 skuadrat luftuan për titullin deri në fund dhe ishin korçarët ata që u shpallën kampionë. Mjaftoi një “mea culpa” e ish-arbitrit Lorenc Jemini për një penallti të gabuar të dhënë në favor të Skënderbeut atë sezon, që të nisnin polemikat nga protagonistët e kohës tashmë që kanë kaluar nëntë vite. Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka thumbuar ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode. Sot ekskluzivisht për “Panorama Sport” vjen edhe përgjigjja e Bodes, i njohur si mbështetës i Skënderbeut. “Nuk kam bërë ndonjë mëkat, por me sa duket, Gjika merret akoma me fantazma të kohës së shkuar. Në realitetin shqiptar bën mirë dhe gjen keq”, ka thënë ish-ministri.
Bode123

Zoti Bode, në këtë periudhë pandemie njerëzit janë bërë nostalgjikë për të shkuarën dhe shpesh kanë rikthyer në kujtesë momentet më pikante. Së fundmi është hapur një debat për sezonin 2010-2011, kur Skënderbeu fitoi titullin…
Po, pse tani u kujtuan të merren me atë që ka ndodhur në vitin 2011…?! Më duken budallallëqe…

Gjithsesi, për “Panorama Sport” ka folur së fundmi ishkryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, duke përmendur emrin tuaj si të lidhur ngushtë me Skënderbeun atë sezon…
Unë mbaj mend që digjnin fotografi nëpër stadiume në atë kohë në Vlorë apo diku tjetër, por di të them se nuk jam takuar asnjëherë me Shpëtim Gjikën. S’kam pasur lidhje fare me ato që pretendohen. Unë kam qenë tifoz i Skënderbeut dhe nuk e di se çfarë të keqeje ka këtu dhe pse duhet të lidhet emri im me histori që nuk kanë asnjë të vërtetë?! Po, ajo që mund të them është se kam ndihmuar në atë periudhë klubin e Skënderbeut që të ndërtojë fushën e stadiumit. Kam qenë deputet i Korçës dhe kam mbështetur klubin për aq sa më takonte.

Gjika ju ka cilësuar si sponsor i Skënderbeut dhe i aleancës kundër Flamurtarit, prandaj dhe kërkon nga ju që të rrëfeheni tani që kanë kaluar nëntë vite…
(Qesh) Nuk kam bërë ndonjë mëkat unë. As kam lidhje fare me atë histori. Kjo është kot më kot… Përfshirja e emrit tim është një histori që vazhdon pa asnjë bazë. Ndoshta s’kanë çfarë të bëjnë… Nuk kam asnjë koment për një gjë që mendoj se s’kam lidhje. Gjika merret me fantazma të kohës së shkuar akoma, nuk di çfarë të them më tepër. Unë kam qenë thjesht një tifoz i Skënderbeut dhe si deputet i zonës, natyrisht që isha i interesuar të kishte sa më shumë aktivitete sportive dhe kulturore në Korçë. Nuk kam ndërhyrë asnjëherë unë për të dëmtuar dikë për interesa të dikujt tjetër.
gjika-770x470
Gjithashtu ish-kryebashkiaku i Vlorës thekson se tani është momenti që ju të flisni, pasi pretendon se keni kaluar nga krahu i tij politik…
Nuk është Gjika apo ndonjë njeri tjetër që më kalon mua në krahun tjetër politik. Nuk jam nga ata unë që i ndryshoj bindjet politike. E vërteta është që unë në këtë moment jam jashtë politikës, kaq.

Ju jeni i ndërgjegjshëm se nuk keni bërë asnjë ndërhyrje që diktonte garën në ato vite kur Skënderbeu dhe Flamurtari rivalizonin për titull?
Po mirë more, kanë kaluar kaq vite, Gjikës nuk i ka thënë ndonjë njeri që ka folur me mua… Pse nuk ka dalë dikush të thotë që ka biseduar me mua për të më kërkuar një favor në sport, rezultate ndeshjesh apo diku tjetër? Po çfarë thoni more?! Le të gjejnë një njeri dhe të më thonë se unë jam ngatërruar me këto punë në politikë apo sport. Nuk jam unë një person që kam frikë ndonjë njeri. Le ta gjejnë një njeri dhe të thonë që unë jam ngatërruar me këto gjëra…

Sa e ndiqni tashmë futbollin shqiptar?
Nuk para shkoj në stadiume, por në televizor ndjek ndonjë ndeshje të kampionatit shqiptar. Të jem i sinqertë, nuk jam afër situatave dhe s’mund të them diçka konkrete as për Skënderbeun.

Për çfarë ju vjen më shumë keq në historinë që bëri Skënderbeu dhe fundin me një dënim të rëndë nga UEFA?
Shikoni, në realitetin shqiptar bën mirë dhe gjen keq. Kjo është diçka e njohur tashmë në vendin tonë. Megjithatë, unë nuk kam asnjë lloj pishmani apo gjynahu në këtë histori. Çdo njeri shikon punën e vet, por ka raste që i ngatërrojnë me politikën disa gjëra që nuk kanë lidhje.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com