EKSKLUZIVE/ “Bllokojmë Asanin, Kukësi e ndal Partizanin”, Ibraimi: Kanë kundërsulm të shpejtë, Jasiri është më i rrezikshmi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Bllokojmë Asanin, Kukësi e ndal Partizanin”, Ibraimi: Kanë kundërsulm të shpejtë, Jasiri është më i rrezikshmi (E PLOTË)

Agim Ibraimi kishte gjashtë vite që nuk shënonte 10 gola brenda një kampionati. Për herë të fundit e ka bërë në kulmin e karrierës me Mariborin në Slloveni në sezonin 2015-2016. Fantazisti ishte në top-formë atë kohë, teksa vinte pas një sezoni ku kishte realizuar edhe 4 herë në Ligën e Kampioneve, madje mes këtyre golave ishte edhe ai ndaj Çelsit në fazën e grupeve.

Agim Ibraimi

32-vjeçari zgjodhi këtë sezon të vijonte karrierën te Kukësi, duke luajtur për herë të parë në Shqipëri, edhe pse ka pranuar se ka pasur mundësi të bëhej edhe pjesë e Partizanit në vitet e kaluara.

Megjithatë, për këtë kampionat mbresëlënës që po zhvillon, përshtypjet që i ka bërë niveli i futbollit shqiptar bashkë me çuditë që ka brenda tij, por edhe kryendeshjen Kukësi-Partizani, ku do të gjejë miqtë që ka pasur te Shkëndija e Tetovës, Ibraimi i tregon të gjitha në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Agim, së pari urime për këtë prezantim. Besoj se nuk e keni pritur të ishit golashënuesi i kampionatit?

Jo, të them të drejtën nuk e kam menduar fare këtë. Kur jam bërë pjesë e Kukësit, synimet kanë qenë të përbashkëta me klubin dhe për hir të së vërtetës nuk e kam menduar asnjëherë çështjen e golave.

Cilat janë ato gjëra që kur keni ardhur në fillim i keni menduar ndryshe dhe ndoshta më pas me kalimin e kohës jeni befasuar apo zhgënjyer?

Unë gjithmonë e kam deklaruar, se nuk më pëlqen që vendet jashtë Shqipërisë e etiketojnë Kategorinë Superiore si një ligë jo të pëlqyeshme. Mirëpo, unë jam i bindur se të gjithë ata futbollistë që vijnë nga jashtë dhe zgjedhin të luajnë këtu, kur shikojnë kualitetin dhe grindën që kanë lojtarët e ekipeve shqiptare, kuptojnë që me të vërtetë është ligë e mirë dhe e respektuar.

Ibraimi

Kjo ka qenë edhe befasia për mua, pasi si gjithë të tjerët që vijnë për herë të parë, ndoshta një moment edhe unë kam menduar se nuk është ndonjë kampionat i fortë dhe me nivel. Por, tani që e kam prekur, rezulton e kundërta. Mendoj është një ligë që duhet të renditet tek më të mirat në rajonin tonë, pasi ka lojtarë shumë cilësorë. Këtu ka të rinj, që një ditë kur të transferohen jashtë në klube më të mira, nuk do të zhgënjejnë.

U përshtatët shpejt me kampionatin shqiptar. Ka ndonjë sekret?

Të them të drejtën, unë e kam pranuar këtë ofertë me shumë seriozitet. Nuk kam ardhur në Shqipëri për të shëtitur, por me idenë se këtu mund të luaja edhe kur kam qenë një formë më të mirë se sot. E kam vlerësuar këtë transferim, prandaj dhe kam ardhur ta bëj punën me qejf dhe shumë entuziazëm. Duke pasur respekt për ligën dhe ekipin ku bëj pjesë, kam dhënë maksimumin në stërvitje dhe ndeshje.

Si do t’u përgjigjeshit zërave se Ibraimi ka ardhur në Shqipëri pas një karriere që po shkon në perëndim të saj, duke qenë se ju u larguat nga Shkëndija e Tetovës…?

Nuk kam asnjë dyshim për këtë, por s’më interesojnë çfarë thonë analistë apo të tjerë që paragjykojnë transferimin tim në Shqipëri. Unë kam luajtur në Serinë A dhe grupet e Ligës së Kampioneve, por nuk e kam aspak problem të bashkëpunoj me klubet shqiptare. Më gëzon fakti që këtu flitet shumë për futbollin shqiptar dhe kjo i bën mirë ngritjes së nivelit të ligës.

Vetëm nëse nuk flitet për këtë çështje, atëherë mund të ketë negativitet. Ne jemi aktorët, ata që bëjmë filmin në fushë dhe nuk kam asnjë problem me askënd që mendon ndryshe, por thjesht më duhet t’i falënderoj. Si të flasin mirë apo keq, i respektoj. Unë kam ardhur këtu me një synim ndryshe. Dua të jap maksimumin në fushë, të ndihmoj skuadrën dhe të rinjtë që kemi në klub, për të arritur objektivat personalë dhe kolektivë.

Kukësi ka pasur oshilacione të mëdha në këto 19 javë kampionat. Pse mendoni se ka ndodhur kështu?

Me eksperiencën prej 15 vitesh që kam në klubet jashtë vendit, duke parë edhe situatën në skuadër, unë mendoj se problemi më i madh i Kukësit ka qenë afrimi i shumë lojtarëve në një periudhë të shkurtër. Ky është problem madhor për t’u klimatizuar të gjithë së bashku, për të arritur atë konsolidimin në stërvitje dhe ndeshje. Duhet t’u jepet kohë lojtarëve për të kuptuar se si vepron apo, në cilin pozicion luan më mirë. Është fakt se automatizimi në ndeshje sjell edhe vazhdimësi apo unitet për të kapur objektivat e klubit. Mirëpo, na u desh pak kohë dhe së fundmi mendoj se e kemi gjetur ekuilibrin në grup. E njohim më mirë njëri-tjetrin dhe jemi të konsoliduar për të vazhduar me rezultatet që dëshirojmë.

Sa u përket golave të shënuar jeni ndër ekipet e para, por pësoni jashtëzakonisht shumë për një klub që ka objektiva madhorë. Nuk funksionon e gjithë skuadra në mbrojtje apo reparti difensiv ka pasur probleme individuale?
Ne nuk mbrojmë mirë si ekip. Nuk mendoj se është qasje thjesht e repartit të mbrojtjes. Duke nisur nga lojtarët e sulmit dhe deri në mbrojtje, nuk e kemi bërë mirë këtë fazë të lojës. Nuk kemi pasur balanca në skuadër. Hapësira që ka mbrojtja dhe distanca mes sulmit dhe këtij reparti, ndoshta ka qenë pak e tepërt. Këtu ndikoi edhe euforia që nga fillimi për të arritur ato objektiva si pretendent, prandaj mund të themi se nuk kemi qenë të bashkuar. Ka pasur një distancë të madhe mes reparteve dhe kanë munguar balancat.
Mirel Josa Kukesi
U ndryshuan tre trajnerë, çfarë mund të bëni më mirë me Mirel Josën?

Së pari duhet respektuar çdo trajner që vjen dhe e bën punën në maksimumin e tij. Ndryshimet dhe vendimet që janë të presidentit, duhen respektuar, pasi ne jemi aty për të ndihmuar skuadrën. Vërtet nuk jemi ne si lojtarë ata që paguajmë faturën, por i mbetet trajnerit për shkak të rezultateve. Ky është futbolli, pasi ne jemi ata që bëjmë edhe ngritjen e trajnerëve, por edhe në rastet më të këqija, që janë jo të pëlqyeshme për trajnerët. Falënderoj çdo trajner që kam pasur te Kukësi, pasi kemi pasur momente të mira me të gjithë. Tashmë është Josa, një trajner që ka dalë kampion me Skënderbeun dhe ka një eksperiencë të madhe edhe në Kupat e Europës. Unë e kam ndjekur nga larg dhe po punoj me të. Është një profesor mjaft serioz dhe kërkon që stërvitja të jetë e njëjtë si ndeshja. Ai kërkon prej çdo lojtari të japë në radhë të parë maksimumin në stërvitje, pasi më pas del ajo që do të japësh në ndeshje.

Të dielën luhet Kukësi-Partizani. Të dyja skuadrat kanë në përbërje lojtarë që kanë dalë kampion me Shkëndijën e Tetovës, duke filluar nga ju. Tashmë ju bashkoi Kategoria Superiore…

Po, natyrisht kjo është shumë interesante. Ne jemi te Kukësi, ndërsa ata te Partizani. Të tregoj që jemi ngacmuar, nuk mund të them sepse shihemi çdo ditë me njëri-tjetrin te kompleksi “Football Republic”, ku të dyja skuadrat bëjnë stërvitje. Të ishim pak më larg dhe mos të shiheshim përditë, ndoshta do të ishim ngacmuar më tepër. Tani na duket vetja sikur jemi përditë bashkë duke u përshëndetur.

Në karrierën e deritanishme nuk keni hasur më parë dy ekipe rivale që stërviten në të njëjtën fushë?

Jo, asnjëherë nuk më ka ndodhur kjo. Prapë, është diçka e veçantë, pasi nuk kemi çfarë fshehim. Gjithsesi, më duhet të përgëzoj Redi Jupin për kompleksin modern që ka ndërtuar. Ka jo vetëm fusha të mira, por edhe dhoma zhveshjes komode, si dhe gjëra të tjera që i nevojitet një klubi.
auto_auto_Partizani-Kukesi16132978721613481861
Partizani ju ka mundur dy herë me rezultate bindëse, çfarë prisni në këtë takim të fazës së tretë?

Edhe pse Partizani është pretendent për titull dhe ekipi që duket më afër vendit të parë, ne e shikojmë thjesht si ndeshje të radhës. Luajmë ndaj një skuadre që ka shumë kualitet, prandaj dhe do ta marrim me seriozitet të madh. Nuk duhet të bëjmë dallimin e një ndeshjeje nga tjetra sa i përket përqendrimit, sepse krijon problem tek ne. Edhe gjatë kësaj kohe që bisedojmë me ekipin, me rëndësi është se si do të funksionojmë ne në fushë, jo Partizani. Jemi futur në një fazë delikate të kampionatit dhe duhet të luajmë për të marrë patjetër rezultatin. Normalisht me lojë të mirë vijnë edhe rezultatet, por nuk duhet të harrojmë ndeshjen e fundit me Partizanin çfarë na ndodhi.

E keni fjalën për golat e shumtë që pësuat?

Shikoni, në atë ndeshje kemi qarkulluar më shumë topin, por kundërshtari shënoi golat dhe humbëm 4-1. Futbolli luhet për gola dhe ne si ekip duhet të jemi sa më tepër efektiv. Ka diçka që i druheni te Partizani? Kanë mjaft lojtarë cilësorë dhe ajo që ne duhet të kemi kujdes është faza sulmuese e tyre. Partizani ka një kundërsulm të mirë me Jasir Asanin, por edhe me Çinarin. Janë mjaft të shpejtë. Gjithashtu janë të rrezikshëm nga goditjet standarde, të cilat trajneri Daja i punon shumë mirë. Kaq mund të them, të tjerat i mbajmë për vete (qesh).

Ju keni luajtur me brazilianin Zhunior te Shkëndija, por jo me Ferhan Hasanin, të cilët janë sot të dy pjesë e Partizanit…

Zhunior është një futbollist shumë i fortë fizikisht, që vrapon pa pushim. Gjithë kohën te Shkëndija ka luajtur në krahun e majtë të sulmit me skemën 4-3-3. Një lojtar që ia bën shumë të lehtë punën mbrojtësit të majtë, pasi lufton shumë. Ndërsa me “Bubën” kemi luajtur bashkë në Kombëtaren e Maqedonisë. Është lojtar i momentit dhe ndihmon skuadrën me ato pasimet e sakta që bën. Nëse luan kundër tyre, sigurisht kujdesi duhet të jetë shumë i madh.
SHKENDIJA E TETOVES
Si i keni raportet me ish-ët e Shkëndijës?

Me të gjithë kam raporte të mira. Unë vazhdoj të kem kontakte edhe me pjesëtarët aktualë të Shkëndijës, duke filluar nga Armend Alimi, Besart Ibraimi etj. Gjithmonë e kam ndjekur Shkëndijën dhe do të vazhdojë ta bëj. Kam shumë shokë edhe Gledi Micin që kemi luajtur bashkë në Tetovë.

Mici ka parashikuar se Kukësi-Partizani del 1-1 dhe një gol do ta shënoni ju…

Ishalla i del fjala ta qerasim me një darkë pastaj.

Me një fitore ndaj Partizanit mund të ëndërroni kreun apo e shikoni mision të pamundur të kapni Vllazninë tashmë që jeni 11 pikë larg?

Ne nuk duhet ta mendojmë aspak këtë. Rëndësi ka për ne të marrim çdo ndeshje hap pas hapi. Duhet të japim maksimumin deri në frymën e fundit. Derisa kemi besim dhe motiv, s’kemi pse dorëzohemi. Mirëpo, nuk është momenti që ne të flasim për vendet e kreut. Ndaj Partizanit besoj se do të japim gjithçka për të fituar këtë takim. Mund të garantoj se do të japim më shumë se maksimumi.

Në këta 6 muaj në Shqipëri a ka diçka që ju ka bezdisur gjatë ndeshjeve apo stërvitjeve?

E vetmja gjë që nuk më ka pëlqyer dhe shyqyr Zotit nuk e kemi më, është vajtja dhe ardhja për stërvitje me autobus. Ka ende klube që e bëjnë këtë, por nuk arrij t’i kuptoj, pasi ne jemi profesionistë. Dikush ka nevojë të vijë më herët në stërvitje dhe të bëjë terapi apo ushtrime të tjera për nxehje të ndryshme, pasi duhet të kuptojmë që lojtarët nuk janë të njëjtë.

Futbollistët as gishtat e duarve nuk i kanë të njëjtë. Pas stërvitjes edhe unë kam qejf të bëj 20-30 goditje të lira, por nuk do të qëndrojë autobusi të presë mua derisa të mbaroj gjuajtjet. Kjo nuk është normale. Megjithatë, te klubi jonë tashmë kjo pjesë është rregulluar.

Më thoni një lojtar të kampionatit shqiptar që ka karakteristikat e tuaja dhe ju ka pëlqyer shumë?

Në Superiore ka shumë lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Meqë ju doni një emër patjetër, unë mendoj se më i rrezikshmi që kam parë unë është Jasir Asani i Partizanit. Një lojtar me kualitet të lartë, që nëse është në ditën e vet të mirë, e mbyll lojën në çdo moment. E ka treguar sa herë ka luajtur. Edhe në ekipin tonë ka lojtarë cilësorë si Taipi dhe Demiri, të cilët kanë luajtur në nivele të larta.
ibraimi
Po shënoni rregullisht, do të ishit i kënaqur ta mbyllnit këtë sezon me 20 gola?

Nuk e mendoj fare këtë pjesë, të bëhet çfarë të bëhet. Edhe kur vjen ndeshja, as e mendoj që do të shënoj ose jo. Jam 32 vjeç dhe kam shumë eksperiencë. Edhe lojtarë të tjerë nuk duhet të vendosin nën presion veten e tyre për këtë aspekt. Duhet të jenë të lirshëm në fushë dhe të japin atë që dinë më mirë.
Gjici
Cili është raporti juaj me presidentin Gjici?

Të them të drejtën, edhe pse kam dëgjuar shumë për presidentin Gjici, personalisht e kam takuar vetëm dy herë për aq kohë sa jam pjesë e Kukësit. Edhe kur ka ardhur, kemi pasur përkrahjen e tij maksimale. Kur kemi humbur na ka motivuar duke na thënë që të mos e ulim kokën, por të vazhdojmë të bëjmë kampionatin tonë. Gjici mendoj se e bën Kukësin të ketë sukses dhe kjo është një pikë kryesore e klubit.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"