EKSKLUZIVE/ Bllokohen llogaritë e Flamurtarit, “shpërthen” Idrizi: Turp, t’i paguajë Gjika. Janë edhe 6 mijë euro për Rubion dhe Gjokën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 0:43

EKSKLUZIVE/ Bllokohen llogaritë e Flamurtarit, “shpërthen” Idrizi: Turp, t’i paguajë Gjika. Janë edhe 6 mijë euro për Rubion dhe Gjokën (E PLOTË)

Hallet nuk kanë të sosur për Flamurtarin. Dje në klubin vlonjat ka mbërritur një shkresë zyrtare nga një përmbarues privat për pagesën e një detyrimi të prapambetur dhe që është qira shtëpie e ish-futbollistëve. Bëhet fjalë për një detyrim prej 436 mijë lekësh të rinj.

Flamurtari2

“Panorama Sport” disponon ekskluzivisht letrën që mban datën 4 shkurt të këtij viti dhe që vetëm dje ka mbërritur në Vlorë. Me anë të këtij urdhri, përmbarimi vendos bllokimin e llogarive bankare të klubit. Ndër të tjera, në shkresën zyrtare thuhet: “Urdhër për vënie në sekuestro konservative. Përmbaruesi Ardian Gjoka, pas vendimit të Gjykatës së Vlorës që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në datën 13.12.2018.

Kreditor është Elaurand Naka, debitor klubi i futbollit Flamurtari dhe objekti kthim shume 436 mijë lekë. Debitori klubi i futbollit Flamurtari ka marrë njoftimin për lajmërimin e ekzekutimit vullnetar të detyrimit dhe nuk i janë përgjigjur respektimit të afatit dhe kërkesave të këtij lajmërimi.

Në këto kushte, referuar nenit 527 të K.Pr.Civile, duhet të fillojë ekzekutimi i detyrueshëm duke vënë sekuestro mbi kreditë e debitorëve futboll klub Flamurtari në masën që do të jetë e nevojshme për shlyerjen e detyrimit”, thuhet në urdhrin e përmbarueses private.

faksimileme logo

REAGIMI

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka reaguar ashpër ndaj këtij urdhri, duke kërkuar pagesën e kësaj shume nga ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Sipas Idrizit, bëhet fjalë për një detyrim të vitit 2012 dhe është qira banese e ish-futbollistëve.

“Na ka ardhur një borxh që nuk është aspak detyrim imi, por i vitit 2012 dhe për këtë na kanë bllokuar kontot. Ka cipë apo nuk ka cipë ky që e ka pasur klubin në atë kohë? Unë i bëj thirrje të vijë t’i paguajë tani në mënyrë urgjente. Dili për zot firmës tënde! A ke qenë ti në sezonin 2012-2013? Hajde paguaje të na zhbllokohen kontot. I bëj thirrje: Dili një orë e më për zot kësaj situate.

Ti thua se e kthen në maja Flamurtarin dhe je qelibar, e ke lënë pa borxhe, hajde tani dili për zot Flamurtarit. Boll na dhe leksione morali, hajde tani paguaje këtë detyrim. Unë tani do të paguaja detyrimet që kam ndaj këtyre lojtarëve, por po na del kjo gjë tjetër dhe na bllokon llogaritë. Hajde një orë e më parë zotëri ta paguash”, u shpreh fillimisht Idrizi.Sinan-Idrizi

BORXHET 

Administratori Sinan Idrizi thotë se ka edhe borxhe të tjera të prapambetura, duke thënë se duhen paguar shtëpitë me qira ku janë akomoduar ish-trajnerët Hulian Rubio dhe Ernest Gjoka. Idrizi thotë se detyrimi për ta shkon në 6 mijë euro. Administratorit duket se i ka ardhur në “majë të hundës” nga kjo situatë dhe zbulon se ka komunikuar me kryebashkiakun Dritan Leli. “Kam folur dhe vendosur në dijeni kryetarin e bashkisë Dritan Leli për këtë situatë. Por ne kemi edhe një rast tjetër nga viti 2012 ku ka fituar gjyqin një tjetër person.

Bëhet fjalë për qiratë e banesave ku kanë qëndruar ish-trajnerët Rubio dhe Gjoka. Ky detyrim shkon në 6 mijë euro. Madje, është komshiu i tij (i referohet Gjikës) një kat me lart. Thotë që do të na ndihmojë edhe Rrapo Taho. Të vijë të na ndihmojë, të na gjejë ca lekë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"