EKSKLUZIVE/ Blindohet Kukësi, dy goditje “big” në merkato për verilindorët (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 14:57

EKSKLUZIVE/ Blindohet Kukësi, dy goditje “big” në merkato për verilindorët (VIDEO)

Kukësi bën goditje dyshe në merkato. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se verilindorët kanë mbyllur marrëveshjen me dy futbollistë, një qendërmbrojtës portugez, si dhe një boshnjak për majën e sulmit. Bëhet fjalë për Tiago Ferreira dhe Jovo Lukiç, dy futbollistë me të dhëna të mira, të cilët do t’i bashkohen ekipit të Skënder Gegës me të mbërritur në kryeqytet pas mbylljes së fazës përgatitore në Turqi.

ferriera-lukic

Burimet theksojnë se palët kanë mbyllur të gjitha detajet dhe mbetet vetëm prezantimi zyrtar për të veshur përfundimisht fanellën e verilindorëve.

Në fakt, vetë Gega pati deklaruar për gazetën pak ditë më parë se ekipi kishte nevojë edhe për tri përforcime për t’u konsideruar i kompletuar dhe me ardhjen e Ferreirës dhe Lukiçit, duke llogaritur edhe anglezin Lejton që është në provë, mund të thuhet se përfundimisht verilindorët janë gati për sezonin e ri.

PORTUGEZI – Tiago Ferreira është një lojtar që vlerën aktuale në treg e ka 400 mijë euro, ndërkohë që më herët ka vlejtur 1.2 milionë euro, të dhëna që tregojnë se Kukësi ka afruar një lojtar cilësor në skuadër. 29-vjeçari e ka nisur karrierën me moshat e Infestës në kampionatin portugez, për të vijuar më pas me Boavistën dhe shkuar te moshat e Portos, duke bërë hapin e madh në karrierë.

Për dy sezone militoi në radhët e Porto B, për të shkuar në kampionatin belg me Zulte Varengen, me këta të fundit që paguan 250 mijë euro për kartonin e tij. Rikthehet pas një viti në Portugali me Madeiran dhe më pas provon një aventurë në kampionatin rumun, Universitatea Kraiova. Së fundmi, militoi edhe në kampionatin hungarez me ekipin e MTK Budapest dhe në Iran me ekipin e Traktorit.

ferreira

Ferreira ka qenë edhe kontigjent i kombëtares U-21 të Portugalisë, çka tregon në njëfarë mënyre edhe potencialin e këtij futbollisti. Madje, në vitin 2011 ka shkuar deri në finalen e Botërorit me 21-vjeçarët, ku janë mundur nga Brazili në shtesa me tre gola të Oskarit.

Nga ana tjetër, 29-vjeçari mund të konsiderohet si një lojtar polivalent, ku përveç dy pozicioneve në qendër të mbrojtjes luan edhe në të majtë, gjithashtu edhe në mesin e fushës si shkatërrues. Të dhëna këto që kanë bindur verilindorët të mos presin gjatë po të mbyllin menjëherë marrëveshjen me portugezin.

BOSHNJAKU – Jovo Lukiç, vetëm 23 vjeç, konsiderohet si e ardhmja e sulmit boshnjak, madje shpesh e kanë etiketuar si Edin Xhekon e ri, kjo edhe në sajë të karakteristikave dhe ngjashmërisë.

Ka qenë pjesë e kombëtares U-21, madje edhe e kombëtares së parë të Bosnjës, duke u aktivizuar në një ndeshje. Prej tri vitesh Lukiç është pjesë e ekipit boshnjak, Borak Banja Luka, në të cilën këtë sezon që sapo ka nisur ka arritur të luajë edhe në një ndeshje.

Në dy sezonet e tij të fundit me këtë skuadër, ku njëherë u shpall edhe kampion i vendit, ka shënuar nga tetë gola, duke treguar se ka një marrëdhënie të mirë me golin.

lukic

Lukiç është një sulmues “pykë” i mirëfilltë, ndërsa një vit më parë ndaj tij ka pasur një interes nga dy gjigantët e futbollit turk, Gallatasaraj dhe Trabzonspor apo edhe Partizani i Beogradit në Serbi. Vlera e tij aktuale në merkato është 400 mijë euro, ndërsa më herët ka milituar në skuadrat e vendit të tij si FK Krupa apo Zvijezda.

Mbetet për t’u saktësuar formula e ardhjes së tij te Kukësi, nëse do të jetë huazim apo do të lihet i lirë nga ekipi i Borak Banja Luka, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"