EKSKLUZIVE/ “Biznesmeni që ringjalli Vllazninë iu propozua edhe Laçit”, menaxheri Grillo: Ju tregoj Mirsad Jonuz (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 23:40

EKSKLUZIVE/ “Biznesmeni që ringjalli Vllazninë iu propozua edhe Laçit”, menaxheri Grillo: Ju tregoj Mirsad Jonuz (E PLOTË)

Mirsad Jonuz është personazhi kryesor sot në Shkodrën e futbollit. Pas një sezoni në Kategorinë e Parë, Vllaznia po shijon kreun e renditjes në Superiore dhe një meritë të madhe për këtë ka pa dyshim trajneri i lindur në Maqedoni.

mirsad jonuz

Emri dhe mbiemri i tij të krijon përshtypjen se ka origjinë shqiptare, por Jonuz është 100% boshnjak. Në vitet e fundit 57-vjeçari është përfolur jo pak herë si kandidat për pankinat e disa skuadrave shqiptare. Megjithatë, vetëm në muajin korrik të këtij viti vendosi të merrte drejtimin e Vllaznisë.

Trajneri që ka si kulm të karrierës së tij kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, duke qenë në krye të saj nga viti 2009 deri në 2011, ka krijuar një lidhje të fortë me Shqipërinë kur takoi për herë të parë menaxherin Kostandin Grillo, i cili është njëkohësisht një prej komentatorëve më të njohur në vend.

Kosta Grillo, Mirsad Jonuz

“Ka qenë nëntori i vitit 2010 kur u takuam për herë të parë. Luante Shqipëria me Maqedoninë në Korçë. Biseduam dhe ruajtëm kontaktet, pasi unë si menaxher kisha interes ta propozoja në disa klube në Qipro. Në vitin 2012, sapo ishte larguar nga drejtimi i Maqedonisë, e kontaktova direkt dhe ndërmjetësova kalimin e tij te klubi qipriot, Nea Selamina. E mori skuadrën me 7 pikë në fund të tabelës, por e shpëtoi nga rënia dhe iku më pas si hero”, tregon Grillo ekskluzivisht për “Panorama Sport” për kontaktin e parë që ka pasur me trajnerin e Vllaznisë.

OFERTA NGA KUKËSI DHE BIZNESI FASON

Por kush është Jonuz dhe pse qëndroi gjashtë vite pa punë pasi iku nga klubi qipriot. Grillo rrëfen edhe prapaskenën e shtatorit të vitit 2013.

Kosta Jonuz

“Pas largimit nga Nea Selamina, e kam propozuar direkt te Kukësi. Fola me presidentin Safet Gjici dhe e mirëpriti, duke parë edhe CV-në e tij. Jonuz erdhi nga Maqedonia dhe biseduam për orë të tëra në qytetin e Kukësit me zotin Gjici. Mbaj mend në atë kohë sapo ishte shkarkuar Armando Cungu. Ramë dakord për gjithçka dhe paga e Jonuzit do të ishte 3500 euro në muaj. Mirëpo, në momentet e fundit, kur dhe do të nënshkruhej zyrtarisht kontrata, zoti Gjici kërkoi të shtonte si pikë në marrëveshje kushtin për t’u shpallur kampion. Pra, që Jonuz të merrte përsipër shpalljen kampion të Kukësit. Trajneri u habit nga kjo klauzolë, duke e cilësuar të çuditshme. Menjëherë u tërhoq dhe bisedimet nuk vazhduan, pasi nuk mund të pranonte një marrëveshje të tillë”, zbulon Grillo, i cili jep edhe disa detaje të panjohura për trajnerin aktual të kuqebluve.

mirsad jonuz

“Mirsad është një njeri i jashtëzakonshëm, shumë punëtor dhe mbi të gjitha serioz. Një xhentëlmen i vërtetë, që të imponon respekt. Dikush mund të mendojë se ka ardhur në Shkodër për para, por gabohet. Po ju zbuloj se ai është pronar i një biznesi fason prej shumë vitesh, që merret me prodhimin e shportave dhe disa produkteve të këtij lloji. Fabrika në pronësi të tij është në qytetin e Kumanovës, aty ku ai ka shumë miq shqiptarë. Jonuz ka mjaftueshëm të ardhura që duke e krahasuar me punën e trajnerit, as që nuk mund të vihen në peshore. Pushoi për pesë vite dhe këtë verë mendoi se oferta e një klubi me emër si Vllaznia duhet të merrej në konsideratë pas një pauze të tillë. Në sezonin e kaluar Mirsadi mund të ishte edhe trajner i Laçit, por drejtuesit e klubit kurbinas menduan për një tjetër alternativë pas largimit të Besnik Prengës”, rrëfen menaxheri i njohur për gazetën.

Kosta

Ndërkohë, menjëherë pas fitores së Vllaznisë ndaj Kukësit, Jonuz udhëtoi drejt Katarit, aty ku është ftuar për të marrë pjesë në një seminar me trajnerë nga e gjithë bota. Të mërkurën do të rikthehet në Shkodër për të vijuar punën, duke ëndërruar për një sezon me Vllazninë në majë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"