EKSKLUZIVE/ Bizhdili: FSHF-ja nuk është aq e pasur sa t’i ndihmojë të gjitha klubet, vuajmë nga ‘virusi’ financiar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2020 | 20:28

EKSKLUZIVE/ Bizhdili: FSHF-ja nuk është aq e pasur sa t’i ndihmojë të gjitha klubet, vuajmë nga ‘virusi’ financiar

Në kohë pandemie, kur e gjithë vë mendja është përqendruar te shëndeti, futbolli sikur është lënë në hije. Në fakt, nuk është kështu. Edhe tifozët shqiptarë e më shumë vetë futbollistët mezi po presin t’i kthehen fushës. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, është i shqetësuar për këtë situatë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për fatet e Besës, ëndrrën e Superiores dhe “pagën e luftës”.
Bizhdili Besa
Së pari, a keni kontakte me stafin dhe futbollistët? Si paraqitet gjendja te Besa?
Normalisht që po. Flas thuajse çdo ditë me ta, interesohem çfarë stërvitjeje bëjnë këto ditë të vështira. Jam i kënaqur, sepse shumica janë lojtarë të rinj dhe po vijojnë çdo ditë stërvitjen individuale. Pyetja e vetme që më bëjnë është: Kur do t’i kthehemi stërvitjes si skuadër? Kuptohet, këtë përgjigje do ta japë FSHF-ja, jo unë. Në fakt, sa më shpejt t’i rikthemi futbollit, aq më mirë do të ishte në aspektin sportiv, psikologjik. Do të ishte antistres.

Pas këtij sezoni nuk do të thoni se Besën e dëmtoi Koronavirusi, që nuk u ngjit në Superiore?
Jo, jo. Këtë sezon duket se na “zuri” Koronavirusi më herët, kur gabuam në disa takime. Kjo situatë na goditi jo në aspektin e objektivit, por në drejtime të tjera, më së shumti stafin dhe futbollistët.
besa
Keni thënë para çdo sezoni “do të jetë kampionati i Besës”, por keni dështuar. Kur do të bëhet realitet premtimi i Bizhdilit?
Dëshira ime ishte që vitin që ramë nga Superiorja që të riktheheshim, por jo çdo gjë varet nga dëshira ime. Kanë ndikuar një sërë faktorësh dhe nuk është momenti t’i përmend. Mund të them me siguri se këtë sezon kam afruar futbollistë të rinj dhe kam bërë gati Besën e sezonit tjetër. Ky është investimi më serioz, këta lojtarë kanë fituar përvojë dhe sezonin e ri do të kemi skuadrën që duam. Do të bëjmë edhe afrime të studiuara. Me këto lëvizje do të kemi garanci dhe besoj se po vjen momenti që Superioren ta bëjmë fakt të kryer.

FSHF-ja ka dhënë një pagë për ekipet e Superiores, por jo për ato që financohen nga bashkitë, siç është edhe Besa. Çfarë mendimi keni?
Ekipet shqiptare me kohë kanë qenë të prekura nga “virusi” financiar. Mungesa e ligjit për sportin ka lënë në vendnumëro çdo gjë. Vështirësi financiare kanë të gjithë, nga Superiorja tek e Dyta. Mirë do të ishte të merrnin ndihmë edhe klubet që mbulohen nga bashkitë. Të gjithë kanë nevojë, por duhet të jemi realistë. Nuk mendoj se FSHF është aq e pasur sa t’i përballojë të gjitha klubet. Nuk dua ta shfajësoj aspak, madje do t’i thosha faleminderit që ndihmon klubet.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"