EKSKLUZIVE/ Biseda me Halilin, Mema: Nuk hapja dot televizorin pas Luftëtarit, ja pse nuk e lë Tiranën (e plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 22:10

EKSKLUZIVE/ Biseda me Halilin, Mema: Nuk hapja dot televizorin pas Luftëtarit, ja pse nuk e lë Tiranën (e plotë)

GJakrat janë qetësuar! Ardian Mema është vetë më i kthjellët. Ka lënë pas ndeshjen me Luftëtarin, por pranon se renditja e Tiranës e alarmon. Shpreson që skuadra e tij të reagojë në sfidën me Skënderbeun dhe për këtë ka besim të plotë në grupin që ka në dispozicion. Mema në intervistën e tij për “Panorama Sport”, sqaron përse ndryshoi mendje pas deklaratave në televizion për një largim të mundshëm nga Tirana.

Mema

Trajneri i bardhebluve foli për Majkëll Ngonë, por edhe çështje të tjera që shqetësojnë Tiranën. Nga ana tjetër, Mema pohoi se të gjithë kanë përgjegjësinë që u takon, ndërsa nga ana tjetër zbuloi se në janar kërkon lojtarë më të mirë se ata që ka në dispozicion. Ja intervista e plotë me Ardian Memën.

Pas pesë javësh në krye të Tiranës, si duket situata?

Po përsëritet e njëjta histori ku luajmë mirë dhe pësojmë gol, gjë të cilën ua kam thënë futbollistëve edhe dje. Edhe pse folëm pak, pasi analiza do të bëhet në ditët në vijim, u thashë që nuk ka më kuptim, fjalë apo edhe justifikime, që ne luajmë mirë dhe humbasim. Duke nisur nga unë i pari e të gjithë me radhë, të gjithë kemi gabimet tona.

E prisnit këtë situatë dramatike, sidomos për pikët që duhet ta pranojmë, mungojnë?

Gjëja që kam menduar nga ndeshja në ndeshje ka qenë fitorja. Këtu tregohem i drejtë. Gjithsesi, fitorja nuk vjen duke parashtruar dëshira. Kjo vjen në sajë të punës së mirë, lojës së mirë dhe fatit. Te Tirana loja e mirë ka ekzistuar dhe puna është bërë mirë dhe këtë e tregojnë lojtarët në lojë. Puna e trajnerit këtu duket, te mënyra sesi interpretojnë lojtarët ndeshjen. Ne e kemi pësuar nga gabime që vijnë nga mospërqendrimi. Ndeshjen ua kemi dhënë ose falur ne kundërshtarëve. Merita nuk është e ekipit kundërshtar që ka luajtur më mirë se ne dhe e ka fituar ndeshjen. Ne jemi zhytur në një krizë besimi, sepse luajmë mirë, por bëjmë shumë gabime. Kjo ka sjellë edhe krizën e rezultateve.

Ama kriza e rezultateve e ka sjellë gjendjen e renditjes së kampionit, tani jeni të tretët nga fundi. Të gjithë janë të frikësuar se mos përsëritet sezoni i dy viteve më parë?

Kjo është një situatë që të tremb. Kur shikon tabelën e klasifikimit, është e frikshme.  Edhe pse statistikat i respektoj, nuk duhet bërë krahasimi me atë vit. Kanë qenë një sërë faktorësh ndryshe dhe atë sezon Tirana nëse nuk gaboj, nuk fitoi për rreth 13-15 ndeshje. Nuk dua të mendoj ato kohë. Dua të shoh përpara, sepse nga momenti në moment, po pres kthesën. Po e pres në çdo mënyrë. Gjithsesi, kemi dy javë kohë përpara. Do të analizojmë të pesta ndeshjet dhe që nga ditët në vazhdim do të shohim çfarë nuk shkon.

Jua kam thënë edhe më parë (duke marrë rastet e Turtullit, Likës, apo edhe të tjerëve), mos ndoshta djemtë janë të ngarkuar psikologjikisht nga fakti që mund të gabojnë dhe humbasin vendin e titullarit në ekip…

Në asnjë mënyrë. Unë jam shumë miqësor me lojtarët dhe kjo konstatohet shumë kollaj. Si në fushë dhe analizat jashtë, mendoj se trajneri duhet të jetë shumë dashamirës me futbollistët. I thjeshtë, i drejtpërdrejtë, por pa ushtruar presion, sepse po t’u bëja presion futbollistëve ky do të ishte gabimi im fatal. Në këtë situatë që është ekipi, nuk kam luksin të bëj presione të tilla, sepse nuk ekziston. Sigurisht gjërat do t’i themi ashtu siç janë. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë me lojtarët dhe nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje, prej meje dhe tyre. Gjithçka duhet të jetë e sheshuar. Këtu brenda flitet gjithçka. Jashtë jam unë mburoja, që presioni të jetë mbi mua dhe jo mbi lojtarët.

Ngoja është rikthyer. Do të jetë në vazhdim te Tirana?

Majkëlli është rikthyer në ekip. Gjithçka ka ndodhur pas një takimi mes meje dhe presidentit. Kemi pasur një bisedë të shkurtër me presidentin dhe u vendos kështu. Lojtari ishte i dënuar pa afat, por është stërvitur te skuadra “B”. Jam mirinformuar për të. Do të vazhdojë të jetë pjesë e Tiranës. E kam thënë edhe më parë, që unë këtu nuk jam për të ndëshkuar lojtarë, por për të bërë punën që duhet. Ngo apo shumë të tjerë si Ngoja, duhet të kuptojnë se disiplina në ekip është e shenjtë. Nuk del askush mbi disiplinën. Kjo është çështje e mbyllur. Nëse ndokush e përsërit do të marrë atë që meriton dhe që e provoi edhe Ngoja. Pas ndeshjes me Luftëtarin, qartësisht ishit i zhgënjyer si në fytyrë dhe në deklarimet që bëtë pas ndeshjes.

Çfarë ndodhi që ndryshuat mendje dhe qëndruat?

Kur shkova në shtëpi, s’guxoja të hapja televizorin. Zakonisht i shoh emisionet, por nuk ma bënte zemra atë ditë. Ishin të shumtë ata që më telefononin dhe më sugjeronin shiko aty, dëgjo atje, por meqë kisha folur pas ndeshjes, nuk doja të dëgjoja komentet. Kush më njeh, e di mirë që fjalën që them e mbaj. E them me pastërti, ajo deklaratë imja m’u duk e nxituar dhe e momentit. Jam nga ata që i dal problemit përballë, nuk ia fus vrapit apo “braktis anijen”. Menjëherë takova edhe presidentin. Më ka dhënë besim të plotë, duke më thënë që asnjëherë të mos e vë në dyshim qenësinë te Tirana. Megjithatë, kjo pjesë kaloi, por unë e them publikisht që një trajner qëndron në punë, nëse ka rezultate. Nëse nuk ka rezultate, secili sheh rrugët e tij. Kjo është e padiskutueshme.

Pa përmendur emra, në cilët reparte Tirana do të riparohet në janar?

Problemi im janë dëmtimet dhe grupin nuk e kam stërvitur asnjëherë të plotë. Nuk kam pasur mundësinë e zgjedhjes dhe zgjidhjes. Do të afrojmë, gjithmonë nëse jam unë e gjërat shkojnë mirë, por nuk mund të them në cilët pozicione do të punohet. Nuk është moment për t’i thënë, kjo edhe në respekt të lojtarëve që po punoj. Mundet që mos të merret askush dhe të punojmë me këta lojtarë. Dua të them diçka. Janari është i shkurtër dhe blerjet në këtë muaj gjithmonë dështojnë, ose të paktën në 90 për qind të rasteve. Vetëm fati mund të sjellë ndonjë lojtar të mirë. Janari është për një-dy lojtarë, por shumë cilësorë dhe të bëjnë diferencën me pjesën aktuale të skuadrës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"