EKSKLUZIVE/ Mosmarrveshja me trajnerin, rrëfehet Ledjo Pano: Ja pse e la Panajoti futbollin në pikën kulmore të tij (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Mosmarrveshja me trajnerin, rrëfehet Ledjo Pano: Ja pse e la Panajoti futbollin në pikën kulmore të tij (E PLOTË)

Fiks 45 vite më parë, më 25 maj të vitit 1975, legjenda Panajot Pano bënte xhiron e fundit me uniformën e Partizanit në stadium. Pas tij, një djalë 7 vjeç e ndiqte si të mundej dhe mblidhte lulet që hidhnin tifozët në shenjë respekti ndaj një prej ikonave të futbollit shqiptar. 


ledio-pano

Ishte i biri, Ledjo, që gjithashtu u bë një futbollist i rëndësishëm dhe la gjurmë. “As që e dinte që më kishte nga pas. Ishte tej mase i emocionuar. Edhe unë nuk kam parë më kurrë një atmosferë të tillë, aq shumë dashuri, respekt dhe lot në tribuna”, thotë Ledjo Pano për “Panorama Sport”. Por si jetohet kur je biri i një legjende? Ke më shumë avantazhe apo pengesa? Si e përjetoi Panajoti i madh lënien nga futbolli dhe çfarë mendon Ledjo për polemikat e titullit të vitit 1989?

Në një rrëfim unik për gazetën, ish-futbollisti tregon detaje të pathëna më parë për raportin me të atin dhe u jep një përgjigje rivalëve të përjetshëm të Tiranës. “Partizani u dëmtua me qëllim në vitin 1989. Unë i kalova testet, por kur i bëra gol Apolonisë, më pezulluan”, tregon Ledjo.

Sot bëhen 45 vjet që Panajot Pano e ka lënë futbollin. Përpara kam një foton tuaj me babain, kur keni qenë 7 apo 8 vjeç… Sa e largët ju duket ajo ditë?

Mua nuk më duket larg sepse atë foto e shoh çdo ditë. Është pikërisht kjo foto që e mbaj në dhomë, por edhe në kuzhinë dhe e përjetoj çdo moment. Këtë çast e mbaj mend shumë mirë, sepse është një nga çastet që nuk do ta harroj kurrë sa të kem jetën. Edhe pse nuk jam shumë mirë me kujtesën, atë moment e kam të ngulitur thellë në memorie. Atë çast e tregoj gjithmonë me të njëjtat fjalë, me të njëjtat veprime. Kam qenë 7 vjeç.

 Ishim ulur në tribunë me mamanë time, me dajën, me gjyshen, me të afërmit tanë. Poshtë shkallëve ku qëndronim ne ishte pankina e Partizanit dhe në një moment ngrihet Bashkim Muhedini dhe mamaja më zbret te tribuna. Ai më merr dhe ishte pikërisht ky momenti që ndalon ndeshja dhe babi filloi vrapimin. Ai ishte te kornia dhe unë sa u nisa nga pankina, u futa në fushë dhe e ndoqa nga mbrapa. Tifozëria hidhte lule, unë i mblidhja. 

Ai nuk e dinte që më kishte nga pas. Unë si i vogël që isha, shihja tifozët që brohorisnin fort të ngritur në këmbë. Atë ditë kam parë entuziazëm dhe lot. Në momentin që arritëm përballë tribunës, Ahmet Shqarri del në fushë për t’i marrë babit një intervistë. Unë ndërkohë kisha në dorë tufën me lule dhe Shqarri më pyet: “Çfarë do t’i japësh babit?” Ndërkohë që unë i them: “Do t’i jap një tufë me lule”, dhe ia zgjas. Nuk kam për ta harruar kurë atë moment, të gjithë të përlotur, të gjithë në këmbë, brohoritje. Ishte një atmosferë shumë e bukur.

 

 

Panajot dhe Ledio Pano

Panajot dhe Ledio Pano

Për një sportist nuk është e lehtë përballimi i periudhës kur divorcohet me sportin. Si përballoi babai juaj dhe çfarë mbani mend ju nga ajo kohë?

Ka qenë një periudhë jo e lehtë, shumë e vështirë madje. Në atë kohë kur babi la futbollin edhe ndeshjet i shihte në televizor. Mbaj mend që ne e shihnim në kuzhinë. Ndërkohë që në korridorin e shtëpisë kishim një pasqyrë të madhe dhe mbaj mend që babi vishte uniformën dhe shihte veten në atë pasqyrë dhe shprehej se i vinte keq që e kishte lënë futbollin. 

Më pas, kur u rrita, kemi biseduar për këtë moment dhe arsyeja kanë qenë disa mosmarrëveshje që ai pati me trajnerin Ilia Shuke, që mori në atë kohë ekipin. Kjo e bëri që të linte futbollin. Ai e la futbollin në pikën kulmore. Ishte ende në kulmin e tij, nuk ishte në rënie. Kështu që, edhe mbresat i la të larta, ashtu siç ai ishte vërtet.

Si është të jesh bir i një legjende? Si është jeta e djalit të një ikone të futbollit, qoftë edhe jashtë sportit?

Unë asnjëherë nuk e kam trajtuar veten VIP sikurse duan shumë të tjerë ta trajtojnë duke bërë protagonistin. Nuk i gjykoj për këtë, secili ka mendjen e vet. Unë e kam pasur legjendën në shtëpi, por asnjëherë ai nuk i mëshoi kësaj, nuk ka dashur kurrë të thotë: “Unë jam legjendë”. Dhe besoj shumë që edhe unë këtë pjesë e kam prej tij. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të ekspozohem, por nuk e mohoj që është diç- ka shumë e bukur, e shkëlqyer të jesh djalë i një legjende si ai. 

Edhe të tjerë kanë shkëlqyer në sport, por ai ishtenjë njeri i përkryer, një baba edhe më i përkryer. Unë kurrë në jetën time nuk e kam dëgjuar të shajë ose ofendojë dikë as brenda në shtëpi më besoni, jo jashtë që nuk bëhej fjalë. Çdo njeri ka dashamirësit e tij, por edhe e kundërta. Babai im nuk tha kurrë një fjalë edhe për ata që e dinte mirë se simpatinë e tyre nuk e gëzonte.

 Ai ishte një njeri që të bënte për vete, i pastër, i çiltër, nuk dëmtonte kurrë njeri, ishte i drejtpërdrejtë. I shohim shpesh fotografitë e tij dhe të bie në sy se ai gjithmonë ka qenë i qeshur. Babai im dinte të jepte vetëm dashuri. Kjo dashuri na mungon shumë. Madhështinë e tij ne, mamaja, motra, unë e ndiejmë çdo ditë. Unë edhe sot dal në rrugë dhe njerëzit nuk më thonë Ledio, por djali i Panajotit. Kjo për mua është gjithçka nga madhështia e tij.

Kur babanë e ke një sportist të këtyre përmasave, dhe më pas i biri ndjek të njëjtin profesion si rasti juaj, shpeshherë ndesh me vështirësi edhe të padrejta. Dashur pa dashur njerëzit edhe sot thonë: “Është djali i filanit”. A ju ka bezdisur ndonjëherë kjo?

Të them të drejtën, këtë nuk e kam ndier shumë. Babai im nuk më ka ndërhyrë kurrë në kuptimin që të më thotë të bëj këtë ose atë. Më ka lënë të lirë. E thashë dhe më lart që ai me mirësjelljen e tij, me mënyrën si sillej, të bënte ty të ndiheshe një njeri i thjeshtë si gjithë të tjerët. Unë gjithmonë kam punuar të jap më të mirën time dhe kurrë nuk kam menduar që unë jam djali i Panajotit. Unë isha i vetëdijshëm se sado fort të punoja, nuk mund të bëhesha si ai. E dija mirë se deri ku mund të ngjitesha me aftësitë e mia. Asnjëherë nuk kam luftuar për të fituar më shumë vlera sesa kisha. 

Ledio-Pano

Tani do të them diçka që nuk e kam thënë asnjëherë. Në një moment, kur Bejkush Birçe u bë trajner i ekipit kombëtar, duhet të ketë qenë vitit ’89, nuk më grumbulloi. Unë isha pjesë e Kombëtares, por kur doli lista, emri im nuk ishte. Më kujtohet që në shtëpi duke biseduar, mamaja i thotë babit: “Fol me Bejkushin për ta grumbulluar Ledion”. Dhe unë ekundërshtova. “Jo, – i thashë, – nuk ka pse të flasë sepse nuk ia vlen që të grumbullohem për meritat e Panajotit, se jam djali i tij.

 Nëse Bejkushi mendon që unë nuk e meritoj, ky muhabet mbyllet këtu”. Dhe babi nuk shkoi, nedhe pse thellë mund të kishte dëshirë të fliste me Bejkushin për këtë. Kombëtarja do të shkonte në Poloni, nuk shkova. Ndoshta si baba e ndiente si detyrim të thoshte një fjalë për mua, por nuk e bëri. Unë dhe babi kemi pasur një marrëdhënie të fortë. 

E dëgjonim shumë njëri-tjetrin. Edhe ai më dëgjonte shumë, të jepte mendim, por edhe të merrte një mendim. Edhe në Greqi kur isha, më ka ndjekur. Vinte në stërvitje, më shihte, më jepte ndonjë këshillë, por nuk më ka tensionuar kurrë.

Ledjo, ju keni luajtur me Partizanin dhe i përkisni një brezi, për të cilin kohëte fundit ka pasur një diskutim sa i përket titullit të vitit 1989. Debati pastaj u spostua edhe në aspektin që cili ekip kryeqytetas ka qenë më i privilegjuar më shumë dhe cili më pak. Ka pretendim, qoftë nga ishtrajneri Bajko, qoftë edhe nga Musta. Ju, si mendoni, a ju penalizuan atë vit?

Ai moment ka kaluar, kështu që çfarë o që të themi tani, është shumë vonë. Por, për histori dhe këtë po jua them me shumë sinqeritet, në dy fazat e para kemi qenë 4 pikë para. Hymë në fazën e tretë dhe federata zgjodhi që të bëheshin normat, nuk e di për çfarë arsyeje.

Kola dhe Josa thonë që atë vit kampionati u bë me tri faza dhe ndaj u bënë tri herë normat…

Me tri faza mund të ishte, por që të zhvilloheshin normat përpara fazës së tretë nuk kishte arsye. Normat zhvilloheshin në gusht dhe në janar. D.m.th. pas fazës përgatitore të verës dhe në janar kur bëhej pushimi dimëror. Atëherë u vendos të bëheshin norma sa mbaroi faza e dytë. Partizani ishte para katër pikë nga Tirana dhe kishte një ekip shumë të mirë. E mbaj mend si sot, normat janë zhvilluar një ditë të shtune në mëngjes. Të dielën luhej kampionati. Partizani do të ndeshej me Apoloninë në Fier.

Nga ndeshja na ndanin 24 orë. Unë kisha problem 12-minutëshin, jo normat e tjera. Donin të penalizonin Arianin (Ahmetajn), Perlatin (Mustën) dhe Niko Frashërin sepse ata ishin të dënuar me 5 vjet edhe nga UEFA për ndeshjen e zhvilluar me Benfikën. Mua më penalizuan te 12-minutëshi. Për 20 metra nuk ma dhanë. Pas çerek ore unë e zhvillova prapë këtë test edhe me ndihmën e Shahin Berberit edhe unë e kapa 12- minutëshin. Të dielën Partizani luajti në Fier dhe fitoi 1-0 me një gol që e shënova unë. Ndërsa të hënën mua më pezulluan… Imagjinoni çfarë bëhej! Me këtë rezultat ne shkonim 6 pikë përpara Tiranës dhe Dinamos. Ndeshja u quajt e vlefshme, por unë u penalizova se nuk kisha kapur 12-minutëshin.

Këtë histori ia kanë bashkangjitur faktit që meqë Partizani ishte i dënuar për shkak të përballjes me Benfikën, nuk luante dot në Europë. Ju si mendoni?

Kjo nuk ka lidhje fare. Për mua nuk ka lidhje. I kam lexuar shkrimet në gazetë, por për mua të tjera ishin gjërat në Kombëtare, kush do të luante me të. Ishte momenti që do të ndryshoheshin brezat. Por Tirana ishte e fortë me Komitetin Ekzekutiv dhe bënte ligjin.

Ju thoni kështu, por ndërkohë, nga ata të Tiranës, përfshi këtu dhe Bylykun, pretendojnë që ligjin e bënte Partizani sepse kishte Presidiumin me vete…

Ndoshta nga vitet ’60 dhe ’65 Partizani mund të ketë pasur një potencial në ushtri me ministrin e asaj kohe, me Petrit Dumen, që ishte dashamirës i sportit dhe donte të ngrinte ekipin në majat më të larta sikurse dhe ndodhi. Por pas viteve ’80 nuk kishte shanse që Partizani të dominonte në futboll sepse Komiteti Ekzekutiv, Partia ishte shumë më e fortë. Pas ngjarjeve në ushtri, në dorë çdo gjë e mori Komiteti Ekzekutiv dhe bënte ligjin. Tirana ishte shumë e fuqishme.

Sipas jush, çfarë ndodhi me Benfikën?

Unë kam qenë në fushë. Atje ndodhi një kasaphanë. Po të shohësh videon, do të thuash se si ka mundësi të ketë ndodhur kjo. Partizani ka bërë ndeshjen më të bukur. Duke u nisur nga e hëna deri të mërkurën, kemi bërë një udhëtim skandaloz. Në aeroportin e Portugalisë ishte pesorëshi i fundit i torturës. Çdo gjë nisi nga Shkodra, ku nuk u akomoduam dot në hotel. Ndenjëm gjithë natën rrugëve sepse dasmorët në Shkodër kishin zënë dhomat e hotelit. Nga Shkodra shkuam në Titograd ku do të merrnim avionin për në Budapest.

LEDIO PANO

Aty ndenjëm në transit për të marrë avionin drejt Parisit. Në këtë të fundit mbërritëm në 01:30 të natës pa ngrënë, pa fjetur. Shkuam në hotel, por si shqiptarë që ishim, donim të shihnim edhe Parisin. Nga ora 02-04 shkuam të shihnim kullën “Eifel”. Pastaj shkuam në ambasadën tonë në 9 të mëngjesit, mendo sa kemi fjetur. Rrezikuam të na ikte avioni sepse u vonuam duke bërë pazar, ndërkohë që ato pesë orë në aeroportin e Lisbonës, pasi, sipas tyre, nuk kishim vizë, ishte fundi. Por, pavarësisht gjithë këtyre, ne kemi bërë një nga ndeshjet më të mira. Unë nuk e kam parë ndonjëherë Perlatin në atë formë të jashtëzakonshme. Nëse nuk dilte Perlati me të kuqe, ne nuk do të pësonim kurrë gol. Gjithë stadiumi fërshëllente kundra Benfikës dhe duartrokiste sa herë Perlati bënte pritje.

Ilir Lame ishte shumë i ashpër me arbitrin, madje tha që ishte i dehur ose i blerë. Sipas jush, ishte vetëm faji i arbitrit?

Kartoni i kuq i akorduar për Mustën ishte i padrejtë. Një nga sulmuesit përplaset te Perlati dhe arbitri jep faull për ne dhe të kuq për Mustën. Të gjithë u grumbulluam aty dhe Perlati fliste me duar, me idenë që çfarë bëra unë. Gjyqtari që ishte pas tij i jep të kuq. Në një moment Lefter Millo e godet pak arbitrin me grusht. Arbitri sheh Nikon që po debatonte me futbollistët portugezë dhe i nxjerr të kuqen, me mendimin se ky më ra. Më pas nxori Arianin, Ilirin që e kundërshtoi për një faull. Ne prisnim që Nandi të merrte një karton të dytë, që aty të mbyllej loja sepse mbetëm 6 vetë në fushë. I binim topit nga mesi i fushës dhe nuk kishte më kuptim, takimi shkoi 120 minuta. Fërshëllimat në stadium nuk kanë pushuar për Benfikën.

A i kërkuan Ocellit të dilte dhe ai me të kuq që të mbyllej ndeshja?

Jo. U bë një tentativë, por jo. Në një moment ka mundësi që gjyqtari të ketë nxjerrë karton tjetër të verdhë për Ocellin, por nuk e shënoi sepse i thanë që aty ndërpritej loja. Gjykimi ishte tendencioz në pjesën e dytë, sepse e para ishte normale, ku ne u mbrojtëm mirë dhe goli erdhi me autogol pas minutës 30. Çdo gjë ndodhi në pjesën e dytë. Eusebio, lojtari i tyre më i mirë, ishte në pankinë dhe sa filloi pjesa e dytë, çdo gjë mori për keq. Kur erdhëm këtu pastaj, na degjeneruan këta tanët. U dënuam dhe na mbajtën çdo gjë që kishim sjellë. Mbeti vetëm të na fusnin në burg. Reprezalja ishte e jashtëzakonshme.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"