EKSKLUZIVE/ Bie pista ruse, ja skenarët për Bregun. Takaj tregon se si po punohet për transferimin e lojtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 21:32

EKSKLUZIVE/ Bie pista ruse, ja skenarët për Bregun. Takaj tregon se si po punohet për transferimin e lojtarit

Skënderbeu, veç kampionatit, ku kërkon ngjitjen në shkallët e renditjes, po vijon me interes maksimal edhe pistën e transferimit të Dejvi Bregut jashtë vendit. Shitja e tij do t’i bënte punë klubit, pasi do të siguronin financa, por edhe për të mos e humbur vlonjatin me parametër zero.dejvi bregu

Kontrata e sulmuesit vlonjat me Skënderbeun mbaron në muajin maj dhe pas mbylljes së kampionatit, Bregu del në treg si një futbollist i lirë, duke bërë që korçarët të mos fitojnë asgjë. Për këtë arsye, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dhe stafi i tij, janë duke bërë çmos për të mbyllur brenda shkurti shitjen e Bregut. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije se pista ruse për transferimin e lojtarit ka rënë. Oferta që korçarët prisnin nga rusët nuk erdhi asnjëherë dhe për pasojë kalimi ngriu përfundimisht.

PISTAT E TJERA – Me dështimin e transferimit të Bregut në Rusi, duket se klubi korçar ka të tjerë ase nën mëngë dhe po punon fort për shitjen e lojtarit jashtë vendit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se janë edhe tri pista të nxehta ku klubi po punon, kryesisht në kampionate ku merkatoja mbyllet në fund të shkurtit. Skënderbeu po qëndron hermetik për sa i përket transferimit të Bregut, duke mos dashur të zbulojë asgjë, pavarësisht insistimeve të shumta.dejvi bregu

“Panorama Sport” mëson se shanset që Bregu të kalojë jashtë janë shumë të mëdha dhe bëhet fjalë për një destinacion mes Bullgarisë, Ukrainës dhe Polonisë. Në Ukrainë, merkatoja mbyllet më 28 shkurt, në Bullgari në 29 dhe në Poloni më 2 mars. Kjo i jep Skënderbeut kohën e nevojshme për të punuar në lidhje me sigurimin e këtij transferimi.

TAKAJ – “Asgjë nuk është bërë ende në lidhje me transferimin e Bregut. Jemi duke punuar në ato shtete ku merkatoja mbyllet më vonë. Ky është një plus i madh për ne, pasi jo vetëm na jep mundësinë që të punojmë të qetë në lidhje me transferimin e Bregut, por do të kemi mundësi që lojtarin ta kemi pjesë të grupit edhe për disa ndeshje deri në mbylljen e transferimit të tij”, u shpreh presidenti Ardjan Takaj për “Panorama Sport”.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"