EKSKLUZIVE/ Bicaj rikthehet në Korçë, Skënderbeu tenton ish-sulmuesin që shkoi në grupet e Ligës së Europës me bardhekuqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 22:56

EKSKLUZIVE/ Bicaj rikthehet në Korçë, Skënderbeu tenton ish-sulmuesin që shkoi në grupet e Ligës së Europës me bardhekuqtë

Mund të quhet e mbyllur tashmë. Pas zhbllokimit të merkatos së bardhekuqve, Ditmar Bicaj do të jetë goditja e parë zyrtare e Skënderbeut. Ashtu sikundër e njoftoi një ditë më para gazeta “Panorama Sport”, Ditmar Bicaj dhe Skënderbeu kanë rënë dakord për një bashkëpunim të ri duke bërë që lezhjani të rikthehet sërish si bardhekuq, atje ku ka pasur edhe periudhën më të mirë të karrierës së tij.
bicaj shkalla

Gjithçka është mbyllur pasditen e së dielës kur Takaj dhe Bicaj janë takuar dhe kanë dalë në një konkluzion të përbashkët për të vijuar bashkëpunimin pas një shkëputjeje disavjeçare. Bicaj kishte kohë që ishte një lojtar i lirë dhe tunduese ishte një ofertë nga Tajlanda, por nisja e kampionatit në fund të muajit tetor duket se ka stepur lezhjanin që duke parë edhe interesimet e ekipeve të tjera ka zgjedhur Skënderbeun si klubin më të përshtatshëm. Madje, Bicaj ka kërkuar që të mos diskutojë aspak për pagën, por ka pranuar të firmosë edhe për një çek të bardhë nëse do të ishte nevoja.

HEBAJ DHE PLAKU PËR SULMIN

Pas përforcimit të mbrojtjes me Ditmar Bicajn dhe interesimit për Harallamb Qaqin duket se korçarët do të kërkojnë të mbushin edhe “gropat” në repartin e avancuar. Pas largimit të Bregut, Gripshit dhe Krasniqit, sulmi duket se ka mbetur bosh dhe ka nevojë për afrime të reja. Në kushtet në të cilat ndodhet klubi, dy janë pistat që Takaj po ndjek me shumë interes. E para është ajo e Rubin Hebajt. Sulmuesi shkodran, i cili u bë pjesë e Teutës në muajin janar duke firmosur për gjashtë muaj, duket se është një nga dëshirat e Skënderbeut.

Sebino Plaku

Afrimi i Krasniqit duket se përmirësoi marrëdhëniet mes dy klubeve, por mbi të gjitha mbylli hapësirat e Hebajt duke e lënë në stol. Në kushte të tilla shkodrani duket se pas Europës mund të mendojë largimin dhe Skënderbeu është gati për të përfituar. Në anën tjetër ndodhet jo pa shumë interes edhe pisa e një tjetër ish-i. Sebino Plaku pas mbylljes së aventurës në Kosovë te Gjilani, tashmë është pa ekip dhe po kërkon një destinacion të ri për të vijuar karrierën.

Të shumta janë klubet që kërkojnë shërbimet e Plakut, por mes tyre së fundi është futur edhe Skënderbeu. Marrëdhëniet e mira mes Takajt dhe Plakut, por edhe harmonia që Sebino mund të gjejë në Korçë janë një faktor më shumë për këtë kalim. Gjithsesi, pritet të shihet se ku Skënderbeu dhe Takaj do të synojnë më shumë për të përforcuar ekipin në prag të sezonit të ri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"