EKSKLUZIVE/ “Besojini Dajës”, Pinari kundër rrymës: Partizani ia del edhe pa merkato (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 21:32

EKSKLUZIVE/ “Besojini Dajës”, Pinari kundër rrymës: Partizani ia del edhe pa merkato (E PLOTË)

Ish-kapiteni i Partizan it, Luan Pinari, nuk e shikon të zymtë atmosferën dhe të ardhmen e të kuqve në sezonin e ri, ndonëse merkatoja mbetet e bllokuar. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ishmbrojtësi pohon se “demat” e kanë grupin dhe nisur nga situata e krijuar rreshton anët pozitive që duhet të shfrytëzojnë. Ai ka besim se me një ekspert si Ilir Daja në stolin drejtues, të bëhet e mundur që kampionët e para dy viteve të zgjohen sërish, si dhe te spikatja e elementit të ri. Ndonëse ekipi ka pasur nevojë për përforcime, kryesisht në fazën mbrojtëse, Pinari e shikon Partizanin si konkurrues, por i mëshon shumë fatit që të kuqtë duhet të kenë sa u përket dëmtimeve, pasi bëhet fjalë për një grup të cunguar.

 

luan pinari 10 year challenge

Partizani e ka të bllokuar merkaton, si i shikoni të kuqtë në sezonin e ri pa asnjë përforcim?

Ekipi është, normalisht që ka pasur nevojë për përforcime. Por bllokimi i merkatos ka edhe një të mirë, sepse mund të evidentojë elementin e ri që është te Partizani. Ka edhe një të mirë tjetër, ndoshta largon edhe presionin që ekziston gjithnjë te një ekip i madh si Partizani. Ndaj që në këtë drejtim do të punojnë më të qetë.

Ju e shikoni të mirën tek elementi i ri, por mangësitë ekzistojnë më shumë në mbrojtje. Si një ishmbrojtës, si mund t’ia dalë Partizani në fazën defensive që të jetë solid?

E kam ndjekur situatën në zhvillim të Partizanit dhe sigurisht mbrojtja mbetet reparti me numrin më të paktë të lojtarëve. Ka lojtarë që janë të nivelit të mirë dhe një të ri si Dajçi, i cili ka dhënë shenja pozitive në fund të kampionatit të shkuar. Por kanë nevojë për më shumë eksperiencë. Me pak fat dhe po të jenë të kujdesshëm, plus faktit që kanë një trajner si Daja që di t’i ruajë formacionet dhe ekuilibrat, deri në janar kur mund të kenë shpresë për merkato, mund t’ia hedhin me këta elementë që kanë.

Partizani

Me këta elementë që ka, a mundet Partizani të jetë konkurrues me Tiranën, Kukësin apo pretendentët e tjerë?

Po ta shikojmë në letër, mund të themi se ka mangësi. Por duke besuar te një nisje e mirë e kampionatit, si dhe trysnia e ulët, që është ndryshe nga Tirana e të tjera, këtë duhet të shfrytëzojë Partizani. Pra, me rezultate të mira në start, me pak fat te rastet e dëmtimeve, që të mos e cenojnë më shumë organikën, besoj se do të jetë konkurrues. Fatin, kryesisht në aspektin e dëmtimeve, e shikoj si përcaktues për Partizanin në pjesën e parë të sezonit.

Ku besoni më shumë, te grupi apo eksperienca e trajnerit?

Ndërlidhja që trajneri Daja di t’u bëjë skuadrave them se ky grup do të bëhet akoma më i fortë, pasi dihet se situata është e vështirë te Partizani. Trajneri ka treguar se di t’u marrë më të mirën lojtarëve që ka në dispozicion.

Shpikjet e Dajës në lëvizjen e roleve të disa lojtarëve mund të jenë efektive në vazhdim?

Normalisht trajneri në këtë periudhë kërkon të shikojë disa lojtarë, të cilët mund të bëjnë mirë edhe në role të tjera. I bën këto lëvizje për faktin se e di se ka një organikë të cunguar. Në ndeshje të veçanta, për arsye kartonësh apo dëmtimesh, do t’i duhet që të improvizojë ndonjë lojtar në rol ndryshe dhe këtë gjë trajneri po e praktikon tani, që të mos jetë i papërgatitur.

Është i treti sezon radhazi që trajnerit Daja i bie të punojë me klube me probleme. Te Flamurtari dhe Skënderbeu ia ka dalë, por a ndikojnë psikologjikisht apo mund të lodhet trajneri duke punuar vazhdimisht në situata jonormale?

Shpresoj gjithmonë që Partizanit t’i hapet merkatoja, ndonëse është një situatë ndryshe nga klubet e tjera që përmendët. Partizani ka grup dhe hallka të shëndosha si klub. Ndaj, duke ditur se Daja ka pasur arritje me këto ekipe në fund të kampionateve, besoj se te Partizani mund të arrijë diçka më shumë, pasi situatat janë të ndryshme. Të kuqtë i shikoj në luftë për një nga dy objektivat madhorë, kampionat ose Kupë.

Duke pasur profil më të ulët në këtë sezon, Partizani mund të arrijë të bëjë edhe surprizën?

Unë i këtij mendimi jam dhe Partizani këtë profil të krijuar dhe presionin e ulët duhet ta shfrytëzojë. Dihet që në start e gjithë vëmendja do të jetë te Tirana, Kukësi apo Teuta. Ndaj shpresoj te ecuria e mirë në start dhe te ngjitja graduale gjatë rrugës. Partizani nuk mund të quhet surprizë, pasi dihet se për çfarë klubi bëhet fjalë. Nuk do ta quaja surprizë, por të papriturën e sezonit.

Si ish-lojtar dhe tani trajner, a shikoni çekuilibra në radhët e të kuqve?

Për momentin ekipi e ka një bosht të mirë, duke filluar që nga porta, qendërmbrojtësi, mesfusha dhe sulmi. Por varet se si do të jetë gjatë rrugës. Nëse dëmtimet do të jenë të pakta, besoj se Partizani do të ecë shumë mirë në kampionat. Kur të krijohen problemet, shikohen çekuilibrat dhe zhbalancimet që mund të ketë një ekip.

Duke ditur aftësitë e trajnerit, kush mendoni se mund të shpërthejë te Partizani këtë sezon?

Nuk mund të them shpërthim, por lojtarët që kanë dalë kampionë do të jenë përsëri në formë, apo ndonjë element i ri që mund t’i jepet mundësia dhe besimi nga trajneri Daja. Mendoj se dy-tre lojtarë do të jenë bazë te ky ekip.

U prit shumë nga sulmuesit vjet, por dihet rezultati. A mund të “rilindin” ata me metodat dhe skemat e Dajës?

Me aq sa kam parë në këtë periudhë dhe me punën që është bërë, ka shenja se me trajnerin Ilir Daja edhe sulmuesit mund të jenë më rezultativë. Për mënyrën se si e përgatit trajneri ndeshjen, them se edhe sulmi do të jetë më efikas.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"