EKSKLUZIVE/ “Besoj shumë te ky Partizan”, rrëfehet Lorenc Trashi: Mala dhe Kaçe janë lojtarë të jashtëzakonshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 19:15

EKSKLUZIVE/ “Besoj shumë te ky Partizan”, rrëfehet Lorenc Trashi: Mala dhe Kaçe janë lojtarë të jashtëzakonshëm

Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe futbollisti i Kombëtares, Lorenc Trashi, ka folur për sezonin e ri në Superiore, nisjen jo të mirë të Partizanit, merkaton e “demave”, si dhe për ndeshjet e Kombëtares, që aktualisht mban vendin e dytë në grupin e saj për kualifikueset e Botërorit.

Trashi

Në sfidën e radhës kundër Skënderbeut, Trashi thekson se Partizani nuk duhet të lërë më pikë dhe të reagojë pas humbjes me Teutën, ndërsa merkaton e bërë e cilëson pozitive duke veçuar dy mesfushorët, Ergys Kaçe dhe Esat Mala. Ndërsa për shanset që ka Shqipëria për t’u kualifikuar në Botëror, anësori i majtë u shpreh se lojtarët janë optimistë dhe kanë besim se mund të shkojnë larg, pasi nuk janë rastësisht në vend të dytë në një grup shumë të fortë.

Lorenc, Partizani e nisi me humbje sezonin e ri kundër Teutës. Çfarë rezultati prisnit?

Është ndeshja e parë e kampionatit dhe kundër ekipit kampion, por që nuk ndodhi që Partizani të merrte tri pikët. Nuk duhet bërë dramatike. Nuk e kam parë ndeshjen dhe nuk mund të jap dot një mendim më të detajuar se si kanë luajtur.

Çfarë nuk shkoi sipas jush në këtë sfidë?

Mendoj që Partizani bëri disa goditje në limitet e mbylljes së merkatos dhe lojtarët duan kohën e tyre të përshtaten. Me sa kam marrë vesh, paraqitja e Kaçes ishte e mirë, për aq minuta sa u aktivizua.

A mund të justifikohet humbja e Partizanit duke e ditur që është thjesht java e parë?

Po, edhe mund të justifikohet për arsyen se ka shumë lojtarë të rinj dhe siç e thashë edhe më lart duan kohën e tyre për t’u përshtatur me ekipin e ri. Gjithsesi, kam besim që do të bëjnë mirë në ndeshjen e radhës.

Partizani ka afruar 18 lojtarë gjatë verës, si ju duket merkatoja e “demave”?

Partizani ka ruajtur pak a shumë grupin e vjetshëm, por dhe ka afruar lojtarë të mirë dhe cilësorë si Ergys Kaçe, që ia dimë vlerat dhe mendoj që do ta ndihmojë shumë Partizanin. Unë kam besim tek aftësitë dhe zgjidhjet e profesor Ilirit. Dihen dhe vlerat e Malës dhe nuk e vë në diskutim që ai do të bëjë më të mirën. Është një vlerë për Partizanin të kesh të tillë lojtarë, pasi ai bën çdo rol në fushë dhe do të shihni që do e ndihmojë shumë ekipin.

lorenc trashi

A do të mund ta tregojë Partizani një marsh më shumë sesa sezonin e shkuar?

Patjetër që mund të tregojë më shumë, e ka grupin, i ka lojtarët dhe madje ka bërë merkato të mirë. Kam besimin që këtë vit do të bëjë më mirë se edicionin e shkuar.

Sa të vështirë do ta ketë Daja ndërtimin e ekipit nga e para?

Daja nuk e ka të vështirë sepse i di planet e veta dhe lojtarët i ka zgjedhur Daja vetë, kështu që aftësitë e trajnerit dihen dhe ai gjithmonë ka bërë mirë dhe vitin që kaloi ekipi luante shumë mirë dhe ka bërë kampionat të mirë duke parë problemet që kishte.

A duhet të reagojë Partizani kundër Skënderbeut dhe kush mund ta bëjë diferencën sipas jush?

Patjetër, Partizani nuk duhet të lërë pikë tani në fillim të kampionatit sepse këto pikë që i humb tani ndikojnë në fund të kampionatit. Duhet të marrë sa më shumë pikë dhe ta fillojë sa më mirë kampionatin, si dhe të tregojë që është Partizani ekipi për t’u mundur sepse kualitetet i ka brenda në grup. Diferencën e bën vetëm grupi, asnjë tjetër.

Ishit edhe pjesë e Kombëtares. Çfarë mund të na thoni më tepër për dy fitoret e fundit?

Përderisa jemi në vendin e dytë me kundërshtarë të fortë në grup, si Anglia, Polonia, Hungaria besojmë shumë të gjithë sepse ndryshe nuk do të ishim në vendin e dytë. Normalisht është shumë e vështirë, por ne do të provojmë deri në fund dhe do të jemi drejtpërdrejtë me çdo kundërshtar. Mundësitë janë, ju e shikoni vërehet ndryshimi i madh në Kombëtare. Kombëtarja tani luan futboll të bukur, luan futboll të hapur dhe mund të përballet me çdo kundërshtar të mundshëm.

trashi

Superiorja është një kampionat me cilësi në rritje apo mendoni se niveli ka rënë?

Personalisht mendoj që nuk e ka atë nivelin e para tri viteve. Kanë ikur shumë lojtarë cilësorë, mendoj se 70% e lojtarëve cilësorë e të fortë në çdo aspekt janë transferuar në kampionate të tjera dhe kjo do të thotë që është dobësuar disi kampionati.

Me aq sa keni parë, cili ekip e fiton kampionatin?

Me zemër dua ta fitojë Partizani, por nuk i kam parë ende ekipet të gjitha. Mendoj që Teuta do të jetë pretendente kryesore sërish edhe këtë sezon.

VERONIK ISTREFAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"