Besnik Çela, kundër Lluka Heqimit: Brigeli nuk e rrezikoi Strakoshën, mjekët e Zvicrës dhanë garanci që mund të luante

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2021 | 20:23

Besnik Çela, kundër Lluka Heqimit: Brigeli nuk e rrezikoi Strakoshën, mjekët e Zvicrës dhanë garanci që mund të luante

“I vetmi trajner që vuri në rrezik jetën e një lojtari ishte Brigeli. Aktivizoi Strakoshën të dëmtuar rëndë dhe atëherë kam përjetuar një ankth të jashtëzakonshëm”. Kjo ishte deklarata e Lluka Heqimit, ish-mjekut të Kombëtares, tri ditë më parë për “Panorama Sport”.

Heqimi-Cela

I referohet një ngjarjeje pas dëmtimit të Foto Strakoshës në një ndeshje kundër Irlandës. Megjithatë, dikush tjetër e kundërshton me forcë këtë pretendim të ish-mjekut. Bëhet fjalë për ish-shefin e ekipeve kombëtare në FSHF, Besnik Çela, që për 12 vite shoqëroi përfaqësuesen shqiptare në çdo hap.  Ai thotë se Hans Peter Brigel e aktivizoi Strakoshën, pasi mori miratimin nga mjekët e specializuar.

Çela, a është e vërtetë që Strakosha rrezikoi jetën në ndeshjen me Zvicrën?

Jo, nuk është kështu. Më vjen keq se lexova edhe intervistën e doktor Lluka Heqimit, por nuk është kështu.

Pse?

Sepse Brigeli për asnjë moment nuk e sforcoi dhe nuk e “detyroi” Strakoshën të luante. Përkundrazi, Foto Strakosha iu nënshtrua edhe një skaneri të specializuar nga mjekë të zotë të kombëtares zvicerane dhe më pas ka luajtur.

Por, e vërtetë është që ai u dëmtua rrezikshëm kundër Irlandës së Veriut apo jo?

Po, pësoi një goditje sipër qafës dhe ato natyrisht që duan kujdes të shtuar. Foto u zëvendësua dhe në vend të tij u fut Beqaj.

Çfarë ndodhi më pas?

Ish-fizioterapisti i Kombëtares, Ahim Bulinger, e mori në patronazh dhe për tri ditë është marrë vetëm me Foton. Megjithatë, vetë portieri nuk e la me aq, sepse nuk donte të rrezikonte asgjë.

Çfarë bëri Strakosha?

Një ditë para ndeshjes Strakosha kërkoi një kontroll të imtësishëm dhe ne folëm me mjekët e përfaqësueses së Zvicrës. Ata kishin një klinikë të specializuar. Strakosha bëri skanerin dhe mjekët thanë se ai ishte gati dhe nuk kishte asnjë rrezik. Madje, mjekët zviceranë lëshuan edhe disa batuta pas skanerit.

Çfarë batutash?

Po mjeku i kombëtares së Zvicrës në një moment sinqeriteti tha: “Ndoshta si kundërshtarë që jemi, unë nuk duhet ta them këtë, sepse e di që portieri është një nga pikat tuaja të forta, por ai është gati. Mund t’ju thosha edhe që nuk është gati dhe ne të shpresojmë që ta kemi më të lehtë, por e vërteta është që nuk ka asnjë problem dhe mund të luajë”.

A pati ndonjë këmbëngulje të tepruar nga drejtuesit e FSHF-së për ta aktivizuarse s’bën Strakoshën?

Jo, jo, fare. Asnjë nuk ka ndërhyrë dhe vendimi përfundimtar është marrë vetëm pasi folën mjekët specialistë të Zvicrës. Madje, më kujtohet që për skanerin e Fotos kemi paguar te klinika, nuk na e kanë bërë falas. Pra, janë marrë të gjitha masat dhe është e pakuptimtë të thuash pas kaq vitesh gjëra që nuk qëndrojnë. Brigeli dhe stafi i tij mund të kenë pasur shumë të meta, por kurrë nuk rrezikonin me shëndetin e futbollistëve. Mendoj se është bërë gjithnjë maksimumi edhe më parë, sepse mbaj mend që nuk kishim fizioterapist, por vetëm një infermier, Lilo Papalilo. Më pas Neptun Bajko solli Ylli Mihalin.

Si e nisi punën Ylli Mihali?

E ka sjellë Neptun Bajko kur ka qenë trajner, sepse deri atëherë nuk kishim një fizioterapist. Ylli më pas pati fatin edhe të punonte me Ahim Bulingerin, fizioterapistin që e kishte sjellë Brigeli në stafin e tij dhe mësoi shumë gjëra nga ai. Më pas Ylli ishte perfekt në punën që bënte.

JETMIR HALILAJ

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ “Brigel i rrezikoi jetën Strakoshës”, rrëfimi i ish-mjekut të Kombëtares, Lluka Heqimi: Si e lanë refugjatët pa ngrënë Kombëtaren në Francë (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"