EKSKLUZIVE/ “Bërryla pa fund e faulle”, shfryn Zhan Viktor: Partizani na sakatoi, e merituam pikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 13:18

EKSKLUZIVE/ “Bërryla pa fund e faulle”, shfryn Zhan Viktor: Partizani na sakatoi, e merituam pikën

Pas pikës së kthesës që morën me Partizanin, Skënderbeu është gati për ngjeshjen. Sot luhet Kupa e Shqipërisë dhe stafi teknik i ka bërë mirë llogaritë: kundër Veleçikut do të ketë “rrotacion” të zgjeruar.

Zhan Viktor Skenderbeu

Migen Memelli do t’u japë mundësi lojtarëve të stolit në këtë transfertë, ndërsa titullarët do të jenë tërësisht të përqendruar te java e tretë e kampionit. Në Korçë duan maksimumin e pikëve ndaj rrogozhinasve.

Fitorja mungon, ndaj këtë 90-minutësh e shohin si mundësinë më të mirë. Të lehtë nuk do ta kenë, ndonëse përballen me një ekip debutues. I këtij mendimi është Zhan Viktor, një nga “gladiatorët” e barazimit kundër Partizanit.

PARTIZANI

Braziliani, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, analizon fillimisht takimin e fundit dhe hapur e thotë se u masakruan. “Ishte një takim delikat dhe i vështirë, pasi luanim ndaj një skuadre cilësore që ka pretendime madhore në këtë sezon. Për këtë arsye kishim punuar fort gjatë gjithë javës dhe gjithçka e vumë në zbatim. Besoj se nga sa u pa, nuk pati ndonjë ndryshim të madh që të favorizonte të kuqtë, pasi zhvilluam një lojë gati perfekte.

Barazimi duket se ishte rezultati më i drejtë i këtij takimi. Edhe pse kundërshtarët krijuan raste, u ndëshkuam nga një vendim shumë i dyshimtë që u cilësua si 11-metërsh nga arbitri. Nuk ishte vetëm ky moment ai që vlen për t’u diskutuar në këtë ndeshje pasi ka pasur edhe momente të tjera që mund të ndikonin në vijimin e takimit. Këtu e kam fjalën për disa faulle që ose nuk janë parë si të tilla, ose janë anashkaluar duke mos u konsideruar si të rrezikshme.

Zhan Viktor

I pari ishte një goditje me bërryl ndaj meje që më detyroi të qëndroja jashtë për disa minuta dhe për më tepër nuk u ndëshkua nga arbitri as u akordua faull në favorin tonë. Rasti i dytë ishte goditja që mori Vangjeli, i cili ka një frakturë në afërsi të syrit, shkaktuar nga Zhunior i Partizanit, nëse jam i saktë, sërish për një goditje me bërryl. Këto ndërhyrje janë të ndëshkueshme dhe mund të ndikonin në vijimin e lojës. Gjithsesi, ajo që ka ikur tashmë nuk kthehet, prandaj duhet të shohim vetëm përpara”, theksoi fillimisht Zhan Viktor.

EGNATIA

Edhe pse Egnatia është kundërshtari i radhës në kampionat, korçarët e kanë hë për hë mendjen te Veleçiku. Braziliani mendon se duhet të kalohet ndeshja e parë e turit të parë të Kupës së Shqipërisë e më pas të “shkarkojnë” që të gjitha energjitë te rrogozhinasit.

“Para se të mendojmë për javën e tretë, kemi një tjetër takim për të luajtur të vlefshëm për Kupën e Shqipërisë. E rëndësishme është që të marrin një rezultat që na siguron kalimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni dhe më pas të mendojmë për kampionatin, prandaj jemi të përqendruar te Veleçiku.

Për sa i përket Egnatias, është një skuadër që nuk e njohim shumë, pasi këtë sezon siguroi kalimin në elitë. Do ta studiojmë mirë nga ndeshjet e zhvilluara deri më tani, por gjithsesi mbetet një skuadër për t’u vlerësuar maksimalisht. Sapo i morën barazim Tiranës dhe kjo nuk ishte një rastësi. Asnjë kundërshtar nuk është më i lehtë dhe secili kërkon impenjim maksimal”, përfundoi prononcimin e tij 26-vjeçari i mesfushës.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"