EKSKLUZIVE/ Bëri historinë në Botëror, Alban Beqiri: Ja pse boksi olimpik është më i vështiri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2021 | 11:14

EKSKLUZIVE/ Bëri historinë në Botëror, Alban Beqiri: Ja pse boksi olimpik është më i vështiri

Alban Beqiri është kthyer si hero në atdhe, duke sjellë të parën medalje botërore në historinë e boksit shqiptar. 27-vjeçari nga Puka mahniti në Kampionatin Botëror që u mbajt në Serbi, ku u rendit i treti. Rezultati i Beqirit mund të kishte qenë edhe më i lartë, por siç dihet, boksieri u ngjit në ring për gjysmëfinalen me dëmtime serioze në shpinë dhe dorë. Pas mbërritjes në Tiranë, Beqiri ka rrëfyer emocionet e përjetuara. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai gjithashtu tregon edhe ndryshimet mes boksit olimpik, pra, atij amator dhe boksit profesionist.

ALBAN BEQIRI

Alban, çfarë ndjesie përjetuat duke u kthyer në Shqipëri me një medalje botërore?

Kthimi si medalist në Shqipëri ishte një emocion shumë i madh, të cilin nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Më bënë një pritje madhështore, në radhë të parë miqtë dhe shokët e mi, dhe ishte diçka e mrekullueshme. Tani në vazhdim kemi pritjet e tjera dhe shpresojmë që vendi ynë, shteti, qeveria ta vlerësojnë këtë arritje, pasi nuk jam vetëm unë, por ka shumë boksierë nëpër palestra, të cilët kanë perspektivë për rezultate të mëdha.

Sa e vështirë është të ndeshesh në këto kompeticione?

Është shumë e vështirë, pasi dihet që boksi është një sport burrëror dhe shumë i lodhshëm. Të jesh boksier i mirë duhet të kesh aftësi të larta sportive, le të themi duhet të jesh universal, pra, i përgatitur në shumë disiplina. Duhet të kesh gjithashtu një teknikë shumë të mirë për të garuar në nivele të larta.

Kampionati Botëror dhe Lojërat Olimpike klasifikohen te boksi amator, por jo të gjithë e dinë që bëhet fjalë për një nivel jashtëzakonisht të lartë…

Boksi amator ka emrin të tillë, por është një turne shumë më i fortë dhe shumë më i mirë. Njerëzit ngatërrohen nga fjala amator dhe më vjen keq që nuk janë në brendësi të kuptimit për këto kompeticione. Boksi amator është turne dhe këto evente janë ëndrra e çdo boksieri. Këtë e kanë shprehur edhe boksierë të famshëm botëror si Roi Xhonson, Mejuedhër apo Pakuajo, të cilët e kanë pasur ëndërr të marrin pjesë në Kampionate Botërore apo Lojëra Olimpike. Bëhet fjalë për një sport olimpik dhe çdo sportist në botë ëndërron të konkurrojë aty. Duhet një punë dhe një sakrificë e madhe, sepse do të sfidosh boksierët më të mirë të botës. Në këto evente është ajka e boksit të çdo shteti.

ALBAN BEQIRI

 

Ju keni konkurruar gjithashtu edhe në boksin profesionist, ku regjistroni 4 fitore me KO në po kaq ndeshje të zhvilluara. Mund të na tregoni ndryshimet me boksin amator?

Në Kampionatin Botëror të Boksit Amator që u mbajt në Serbi kishte yje të boksit profesionist, të cilët konkurruan dhe nuk arritën të fitonin. Kështu që dua të theksoj që bëhet fjalë për një kampionat shumë të fortë dhe nuk ndahet profesionizmi nga amatorizmi. Boksi olimpik, pra ai amator, është boksi më i fortë, ku nuk ke shans të fitosh nëse nuk ke nivel. Në boksin profesionist e ke çdo gjë vetë në dorë, duke nisur që nga zgjedhja e kundërshtarëve. Gjithashtu, datën e cakton vetë kur të jesh gati, ndërkohë në Botërore apo Olimpiada gjithçka është me short dhe është e detyrueshme të marrësh pjesë, edhe pse mund të mos jesh në gjendje të mirë fizike për shkak të dëmtimeve. Përballesh me boksierë elitarë që përfaqësojnë shtetet e tyre. Kush është më i zoti fiton, ndërsa humbësi shkon në shtëpi. Është një betejë.

Çfarë duhet të presim nga Alban Beqiri në të ardhmen?

Do të mundohem me shpirt të luftoj ashtu sikurse kam bërë gjithmonë. Por, siç dihet, është shumë më e vështirë ta ruash titullin sesa ta fitosh. Kjo gjë do të më bëjë që të stërvitem dhe të punoj edhe më fort, për të arritur rezultate edhe më të mëdha, pasi në botëror nuk e pata mundësinë të luftoj për vendin e parë për shkak të dëmtimeve. Por ju premtoj që herën tjetër, në të tilla evenimente do të jap maksimumin dhe do të futem për të arritur vendin e parë.

Sa të rëndësishme janë fazat përgatitore dhe mbështetja e premtuar?

Është shumë e rëndësishme, sepse ne me këto sakrifica dhe këto kushte stërvitjeje nuk mund të krahasohemi me mënyrën se si përgatiten kundërshtarët tanë të shteteve të tjera. Edhe vetë kur e mendoj habitem, që me këto kushte kemi arritur të ngremë flamurin shqiptar në Kampionatin Botëror, duke fituar një medalje historike. Edhe pse nga brenda e prisja dhe jam shumë i lumtur që e fitova, duke mposhtur kampionë të vërtetë. Tani që jam përballur më këta rivalë, kam fituar edhe një eksperiencë të madhe. Mënyra e stërvitjes është shumë e rëndësishme dhe apeli im për shtetin është që të bashkëpunojë shumë me vendet e tjera për të na krijuar kushtet që të stërvitemi me kampionë të vërtetë gjatë fazave përgatitore. Mendoj që kjo është një nga gjërat më kryesore për ta rritur edhe më shumë nivelin e çdo sportisti.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"