EKSKLUZIVE/ Berberi “replikon” me Dostin: Nuk është çështje pule te Partizani, por punë… kontratash ( E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2021 | 22:47

EKSKLUZIVE/ Berberi “replikon” me Dostin: Nuk është çështje pule te Partizani, por punë… kontratash ( E PLOTË)

Nuk kemi përzgjedhur rastësisht Shahin Berberin për të analizuar situatën te Partizani. Jo vetëm si ish-mbrojtës kampion, por edhe sepse me ish-bomberin e Partizanit, Edmond Dostin, vetëm ai mund të “replikojë” kur vjen puna për stërvitjet me dy seanca në ditë, “kaloritë që ka një pulë”, çështjen e strategjisë së një klubi. Berberi ka dalë kampion me Partizanin në vitin 1993 dhe ka qenë shok skuadre me Edmond Dostin, që u shpall edhe golashënuesi më i mirë atë sezon. Ish-mbrojtësi thotë se Partizani e ka më shumë problem strategjie sesa çështje stërvitjeje. “Nuk do të thotë se po të bësh 2 stërvitje në ditë do të kesh sukses apo formë më të mirë. Ka lojtarë që nuk i përballojnë dot dy stërvitje, por është edhe rreziku që t’u ikë gjithë dita duke u përgatitur. Dikur, kur unë luaja futboll, kishim një shprehje: ‘Do bëjmë stërvitje apo do shkojmë në stërvitje?! Ka goxha ndryshim…”, thotë Berberi për “Panorama Sport”.

Shahin-Berberi1

Partizani ka bërë një start zhgënjyes, madje duke dhuruar edhe dy gola. Ju, si ishmbrojtës, mund të na thoni pse ndodh kjo?

Unë jam në Kroaci dhe pak njohuri kam për situatën e brendshme të klubit dhe të skuadrës. Nuk mund të flas dot me saktësi edhe për afrimet që kanë bërë, por starti i kampionatit për ekipet që bëjnë një fazë përgatitore solide, gjithmonë lë pak për të dëshiruar deri katër javët e para

Ish-shoku juaj i skuadrës, Edmond Dosti, bën apel që skuadra duhet të stërvitet dy herë në ditë, sepse lojtarët i kanë mundësitë për ta blerë një pulë dhe për të marrë ushqimin me kaloritë e duhura…

Stërvitja dy herë në ditë nuk do të thotë se është efikase. Varet, mund të bësh edhe një seancë stërvitore dhe mund t’i përmbledhësh të dyja. Po u stërvite dy herë në ditë, i zë gjithë kohën futbollistit dhe e lodh edhe në aspektin psikologjik. Varet edhe nga kushtet e tjera.

A ka të bëjë ushqimi që konsumojnë lojtarët?

Mokja (Dosti) përmend ushqimin, por edhe atëherë ushqimi, të paktën për Partizanin, ka qenë më i mirë se për gjithë të tjerët. Por, sërish mendoj se një seancë stërvitore duhet për aq sa kalori harxhon, duhet të kesh t’i gjitha: dhomën e zhveshjes ose diku ku mund të flesh. Nuk është çështje që ha një pulë apo nuk ha një pulë… Nuk është as fakti që ke kaloritë e mjaftueshme apo jo. Thjesht është pjesa e profesionalizmit në mendim, jo e stërvitjes.

Z. Berberi, pse këtu i bëjnë skuadrat, fitojnë titullin dhe pastaj i zhbëjnë ekipet?

Në Shqipëri e shohin si një pjesë të trampolinës ekipin kryesues. Në momentin që ekipi del kampion, hyjnë në lojë edhe menaxherët. Këta nuk janë për të ndërtuar një skuadër. Menaxheri gjithmonë e prish një skuadër, sidomos ato që janë kampione. Përfitojnë nga fakti që dalin kampionë sportistët e tyre dhe ata direkt hidhen në sulm për kontratë të re të majme. I duan pagat si në Europë, por andej ngrihen në mëngjes dhe thonë: “Kjo është puna ime dhe unë për këtë punë paguhem”. Ndërsa te ne nuk ekziston kjo. Mund të themi se edhe vetë njerëzit, ambienti që e rrethon klubin i prish sportistët.

Pse?

Sepse klubi i mban pranë që ata t’i thonë se çfarë duhet të bëjë më tepër për të arritur një formë optimale, por ndodh e kundërta dhe ata u thonë lojtarëve: “Ishe shumë mirë këtë javë dhe fajin e kishte një shoku yt ose tjetri i skuadrës…”. Kjo është gabim. Më thatë më lart që ushqimi i Partizanit ishte më i mirë se i klubeve të tjera. Po flasim për vitin ’93, kur ishin vite të vështira për Shqipërinë.

Pse mendoni se ka qenë më mirë ushqimi i Partizanit, çfarë kishit më mirë ju se klubet e tjera në atë periudhë?

Më mirë se klubet e tjera… Kompleksi “Dinamo” ishte bashkëkohor. Mund të themi se shumë pak e kishin në atë kohë kompleksin “Dinamo”. Por problemi është te doktorët, jo vetëm tek ushqimi….

Që do të thotë?

Gjithmonë klubi Partizani ka pasur një staf të kualifikuar doktorësh. Çdo meny kalonte nëpër dorën e tyre dhe ushqimi te ne nuk ishte sipas dëshirës së çdokujt. Dhe 90 për qind ishte me bazë menynë që bënin doktorët. Tani ka më shumë kulturë në këtë drejtim, se është interneti, ke mundësi të lexosh, mund të sqarohesh për çdo molekulë të trupit dhe qelizë. Pjesa tjetër është që, pa doktorë, pa staf të mirëfilltë, nuk mund të bësh dot asnjë gjë. Ngrihesh në mëngjes, mund të marrësh ushqim që trupi nuk ta do, organizmin nuk duhet ta ushqesh me to për një stërvitje ose diçka tjetër. Ndaj, them që ishte më mirë Partizani, sepse kishin doktorët më të kualifikuar për atë kohë, jo se klubet e tjera nuk i kishin. Dhimitraq Stratobërdha, një ish-futbollist, kampion dhe doktor te ne. Por, edhe trajnerët Sulejman Starova dhe Hasan Lika ishin shumë të interesuar dhe lexonin literaturë të huaj për ushqimin e sportistëve. Në këtë pjesë, ne ishim shumë të kontrolluar.

Dosti në batutën e tij thotë se brezi juaj mezi e siguronte ushqimin…

Mokja e thotë edhe për shaka se në atë kohë një sportist i Partizanit e kishte 230 lekë trajtimin. E kupton se ç’do të thotë kjo për atë periudhë, ta kishte këtë kuotë për një ditë?! Ne nuk e harxhonim dot. Ne me këtë bonus që kishim, ndihmonim dhe sportistët e tjerë që ishin elitarë të mundjes ose të shtangës. I ndihmonim me një pjesë të ushqimit tonë, ngaqë ne nuk e konsumonim dot gjithë atë sasi. Kjo, sepse ata e kishin diku 110-120 lekë duke llogaritur këtu që ishin kampionë të mundjes ose të shtangës. Mokja (Dosti) e ka ekzagjeruar pak te kjo pjesë. Mokja te dera e klubit e ka pasur shtëpinë. I pëlqente të merrte bukë me gjalpë e djathë dhe të gjuante penallti te fusha (qesh).

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Ish-bomberi i Partizanit këshillon të kuqtë: Futbollistët duhet të hanë një pulë të pjekur

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"