EKSKLUZIVE/ “Bënte si Murinjo por ka qenë mbledhës topash”, Gjici shpërthen në akuza kundër Longos: Në Vlorë desh e therën si kec

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2022 | 21:41

EKSKLUZIVE/ “Bënte si Murinjo por ka qenë mbledhës topash”, Gjici shpërthen në akuza kundër Longos: Në Vlorë desh e therën si kec

Safet Gjici ndihet shumë i rënduar dhe nervo zuar për ato që ka lexuar një ditë më parë në “Panorama Sport”, ku ish-trajneri i tij te Kukësi, Diego Longo, akuzonte se më parë paguheshin nga 2 mijë euro nga të rinjtë për të luajtur në ekipin e parë. Në reagimin e tij ekskluziv për gazetën, Safet Gjici, i thotë të gjitha për ish-trajnerin e tij, të cilit refuzon t’i përmendë edhe emrin, duke nënkuptuar se ka bërë gabimin më të madh që i ka dhënë besim, që sipas tij Longo nuk e meritonte. Gjici nuk zbulon emra se cilët ishin dallaveraxhinjtë që fliste ai edhe Longo, por të gjithë reagimin e tij e lidh me besimin që i dha dikujt, që sipas tij, nuk e meritonte.

gjici-1-600x450

“Është mashtrues ai, gënjeshtar, pipino… E di si është puna e këtyre tani, e la ekipin pa shkuar në Europë, bëri gjënë më të keqe. Unë si president nderi i ekipit, sepse nuk kam qenë aty, se po të isha aty nuk do të guxonte të rrinte më shumë se tre muaj me atë menaxhim që i bëri skuadrës. Por, ishte një trajner që klubi i dha një mundësi, sepse vjen nga bota e jashtme dhe e morëm me idenë të bëjmë një punë në ekipin e Kukësit. Mori një ekip që ka qenë një herë kampion, disa herë nënkampion, fitues i Kupës dhe Superkupës, dhe vjen Longo na tregon neve se cila është skuadra e Kukësit. Do t’i thosha atij zotërisë të shkojë dhe ta mbyllë gojën dhe të mos e dëgjoj më edhe si emër, se ai nuk është trajner”, nis bisedën për gazetën Safet Gjici.

Më tej, presidenti i nderit vijon edhe me justifikimet që sillte Longo për mungesën e rezultateve. “Ju e keni parë besoj se çfarë ka thënë nëpër studio televizive, kur kishte ndeshje fliste për dritat që mungonin te kompleksi i Redi Jupit. E imagjinoni, merrej me gjëra të rëndomta që nuk kishin lidhje me rezultatet, vetëm për të justifikuar mungesën e rezultateve fliste në atë mënyrë dhe klubi e ka duruar, ashtu si edhe unë, sepse edhe unë kisha përgjegjësi për atë, sepse bashkia ka pasur aksione deri dje aty dhe e kemi duruar jashtë mase. Me një eksperiencë zero në Superiore, i dhamë një ekip që ka fituar shumë. Ai thoshte: mora një ekip që vitin e kaluar ishte në vendin e 6-të dhe e solla në vendin e tretë. Ku është vendi i tretë sivjet”, vijoi më tej Gjici

DALLAVERAXHINJTË Në lidhje me faktin që Longo ka pohuar se ai ia ka bërë të ditur presidentit dhe klubit se cilët janë dallaveraxhinjtë në skuadër, Gjici e konsideron një gënjeshtër. “Është gënjeshtër ajo që ka pohuar që i kam thënë presidentit apo klubit për dallaveraxhinjtë. Asnjëherë nuk ka thënë me emra konkretë. Por, kur nuk arriti asgjë, as Europën, me një sezon të dështuar, ku iu plotësuan të gjitha kushtet. Në dy fazat e para nuk i kishte këto ai, pse i nxori tani ku në 13 ndeshje nuk mori asnjë fitore. Ishim 13 pikë para Partizanit, erdhi e kaloi dhe i mori vendin e tretë. Ky së bashku me stafin e vet, ata dy bishtat që kishte, doli trajner totalisht i dështuar. Ky zotëri është me probleme shëndetësore, nuk është puna te problemi i rezultatit.

Longo

13 ndeshje pa asnjë fitore ekipi i Kukësit, ishte diçka shumë e rëndë. U mundën me katër apo pesë gola. Nuk e njeh vetëm ai ekipin e Kukësit që erdhi dje dhe për herë të parë i besuam një ekip që kalonte gjithë ato ture në Europë e me ata trofe dhe ia besonte një trajneri me eksperiencë zero në Superligë. Nuk fliste për anën teknike të ndeshjes, por fliste që nuk ka gjatë ditës drita te kompleksi. Ishte joserioz, pa karakter. Unë e kam takuar gjithsej tri-katër herë dhe na tregon tani që paska dallavere të tilla në klub që na i paska treguar dhe klubi mori masa për këto dallavere me dy mijë euroshe.

I kishte hequr me kohë klubi ata. Të ishte e vërtetë kjo, ai do të shkonte te klubi dhe do të thoshte: filani, filani bën këto. Është gënjeshtar, absolutisht nuk ka thënë gjë. Unë i kam kapur vetë gjërat në fund tani që dolën sipër njëri-tjetrit të gjithë. Prandaj më vjen inat, se si mund të flasë një njeri në këtë mënyrë që është i dështuar dhe ka bërë një sezon të dështuar. Ai merrej me kontratat e ekipeve të tjera kundërshtare. Kur ka thënë për disa persona ata nuk kanë qenë pjesë e stafit të tij njëherë. Nuk donte më Rraman Hallaçin në klub, e largoi që në fillim. Nuk dua Jonuzin, e largoi. Çfarë ka dashur i ka larguar dhe ka mbajtur stafin e vet. Për të justifikuar sezonin e dështuar, dhe klubi ka humbur shumë këtë sezon. Mori lojtarë në janar që ishin të dështuar, i mori ky vetë personalisht. Dhe në fund i largoi po vetë. Ky është një njeri që nuk kupton nga futbolli, ka probleme serioze, e mora nga hiçi si ndihmësi i 15-të i Luçeskut, i bëmë kontratën nuk e realizoi”, sqaroi me tej Gjici.

DURIMI I pyetur pse klubi nuk e shkarkoi pas gjithë këtyre problemeve, Gjici pohoi se e duruan për shkak se ishte një trajner i ri dhe i huaj, ndaj i dhanë mbështetjen. Madje, duke vijuar me akuzat, Gjici pohon se Longo nuk donte ta fitonte ndeshjen e fundit me Tiranën. “Ky është problem, e duruam shumë si klub, me mendimin se është trajneri i ri, i huaj dhe ta mbështesim. Klubi duroi deri kur arriti të marrë atë që mori, sezon totalisht i dështuar, humbje totale për klubin. Ka pasur një kontratë, ku duhet të merrte titullin kampion, Kupat e Europës dhe pagat do t’i merrte kur të realizonte objektivat së bashku me premiot, sepse ashtu e mori përsipër. Jo vetëm që nuk i realizoi këto, por ndeshjen e fundit me Tiranën as nuk donte ta fitonte, është e çuditshme.

Pra, një njeri kaq cinik, shpifës, akuzues për të tjerët, duke shpërdoruar besimin e klubit dhe bëmë gjithë ato shpenzime. Mirë stadiumin, po kërkoi autobus të ri, ia plotësuam. Infrastrukturën ia plotësuam. Shkonte në stërvitje dhe ngatërrohej andej, po na vijnë spiunët na vëzhgojnë ndeshjet, duke kërkuar nëpër male për të hequr spiunët! Po verifikonin Murinjon atje. Edhe ky zotëria bënte si Murinjo, ku nuk kishte as tre muaj që merrte një ekip në Superligë. Një ekip që i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar, thoshte që e kam marrë vjet në vend të gjashtë dhe e kam nxjerrë në vend të tretë, të cilin në fund nuk e kapi dot. Për çfarë mund të besohet më ky palo mashtrues dhe ju lutemi mos më merrni më për këtë njeri, sepse ky njeri është i papërgjegjshëm, ka probleme te truri. Nuk është trajner profesionist, ngatërrohej me analistët në studio për budallallëqe kot për të mbuluar humbjen e ndeshjes”, vijon kryebashkiaku i Kukësit.

GJICI 1

AKUZAT Gjici vijoi më tej me akuzat ndaj ish-teknikut të tij, duke përmendur në tërësi edhe trajnerët e huaj që shpesh krijojnë alibi për mungesën e rezultateve. “Njeri joprofesionist, pa karakter, pa moral, njeri që nuk ka lidhje me këtë punë. Ai ka qenë një mbledhës topash atje, ndihmës i 15-të atje ku ka qenë, i dha besimin klubi me mendimin për t’i dhënë pak hapësirë një trajneri nga jashtë dhe t’i japë besimin një të riu, ky nuk e justifikon. Kishte qenë njëherë te Vlora para ca vitesh, më thotë dikush, e kishin kapur dhe desh e therën si kec. Ishte budalla komplet, jam habitur, sepse njeriu ndien njëfarë përgjegjësie mbi veten. Thotë me veten, ju më mbajtët, më duruat këtu, faji është imi. Nuk mban përgjegjësi fare, fajin e kanë të tjerët sipas tij.

E patë ju edhe trajnerin e Vllaznisë çfarë bëri. Kur ishte mirë Vllaznia vjet, nuk foli për fushat, sivjet që nuk ishte mirë foli për fusha patatesh. Këta trajnerë do të na tregojnë ne stadiume me standarde europiane. Të jenë trajnerë këta me emër në Europë dhe të thuash hajde se po kërkojnë kushte, por këta janë mbledhës topash. Në vend që t’i kërkojë falje klubit, që bëri gjithë atë dështim, ndërsa klubi ka shpenzuar shumë dhe tani tallet me këto deklarata. Ai është një trajner që nuk meriton as kategorinë ZH, me aq sa kam parë unë. Është njeri që nuk dëgjon specialistët, merret me fjalë kafenesh dhe thashetheme. Unë e kam mbrojtur të them të drejtën, por ai u ngatërrua me të gjithë dhe nuk e dëgjova njëherë të thoshte që këtë ndeshje e humba unë, është përgjegjësia ime”, përfundoi prononcimin e tij Safet Gjici.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ “Ia dhashë unë Gjicit listën e të pandershmëve”, shpërthen Longo: Turp, te Kukësi lojtarët paguanin 2 mijë euro për… (E PLOTË)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"