EKSKLUZIVE/ Bëmat e Flamurtarit, Lutaj: E gdhimë me filma erotikë në Suedi dhe ndalëm Goteborgun ( E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2020 | 0:10

EKSKLUZIVE/ Bëmat e Flamurtarit, Lutaj: E gdhimë me filma erotikë në Suedi dhe ndalëm Goteborgun ( E PLOTË)

Koha e Koronavirusit dhe për më tepër karantina ka nxitur shumë futbollistë të rikthehen pas në kohë, duke kujtuar me nostalgji momentet më pikante nga karriera e tyre.

Lutaj

Në sezonin 1990-1991 Flamurtari u shpall kampion për herë të parë dhe luajti në Kupën e Kampioneve me Goteborgun, teksa në Vlorë ndeshja u mbyll 1-1, ndërsa në Stokholm të Suedisë me shifrat 0-0. Edmond Lutaj është një nga protagonistët e Flamurtarit të atij viti, ku pasi u shpall kampion, luajti ndeshjen e fundit në Suedi, e më pas nuk pranoi të kthehej në Vlorë.

Ai vazhdoi karrierën si futbollist e më pas si trajner, në shtetin nordik. Sot, 29 vite më pas, Lutaj tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” të pathënat e grumbullimit në Suedi të Flamurtarit më 17 shtator 1991. I kontaktuar nga gazeta, ish-trajneri i vlonjatëve u pyet edhe për situatën aktuale. Lutaj mendon se kampionati duhet të rinisë dhe verdiktet t’i japë fusha, ndërsa i bën thirrje kryeministrit Rama dhe FSHF-së që t’i ndihmojnë klubet financiarisht.Zoti Lutaj, u bënë dy muaj pa futboll.

Ju mbani mend nga karriera si lojtar dhe trajner të jetë ndërprerë kaq gjatë kampionati?

Jo, asnjëherë. Kjo që po ndodh tani është e pazakonshme dhe mendoj se do të ngelet e dokumentuar në librat historikë.

Në Shqipëri precedenti i fundit është në mars të vitit 1997, kur futbolli u ndërpre tre muaj për shkak të trazirave në vend… Të jem i sinqertë, nuk kujtoj shumë gjëra nga ai kampionat, sepse unë jetoja jashtë shtetit dhe mundësitë për të ndjekur aktualitetin në Shqipëri për emigrantët ishin të limituara. Ndërsa sot kemi mundësi të tjera për t’u informuar. Megjithatë, unë mbaj mend që një pjesë e shoqërisë tallej me ne që ishim emigrantë shqiptarë. Na thoshin: “Hajde budallenj që jeni ju që robtoheni në emigrim. Ne këtu po i fitojmë lekët qyl”. Por, fatkeqësisht, qyli nuk zgjati për shumë kohë. Këtu u referohem firmave piramidale të asaj kohe.

Si mendoni se duhet të veprojë FSHF këtë sezon nëse nuk është i mundur vazhdimi i këtij kampionati?

Mendimi im është që kampionati duhet të zgjidhet në  fushë. Shqipëria për fat të mirë dhe për masat që u morën, mund të them që e përballoi me sukses epideminë. Gara duhet të rifillojë dhe verdiktin ta japë fusha, përndryshe do të jetë një kampionat me hije, që do të kontestohet.

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka thënë se nuk mund të vazhdohet në këto kushte kur lojtarët kanë dy muaj pa stërvitje. Sipas tij, duhet të nisë kampionati në shtator dhe të shtohet numri i ekipeve. Si ju duket kjo ide?

Për një gjë jam dakord me Dajën, që ka vështirësi ta fillosh kampionatin pas gjithë kësaj pauze të gjatë. Kjo gjë nuk është optimale, por edhe situata është e pazakontë, prandaj duhet pranuar që kampionati të përfundojë në fushë. Për sa i përket idesë që asnjë ekip të mos bjerë nga kategoria, madje të rritet Superiorja me dy klube të tjera, nuk më duket e drejtë. Ky është mendimi im, edhe pse kjo ide shkon në kundërvajtje me interesat e Flamurtarit, ekipit ku unë jam rritur dhe shkolluar dhe që për momentin rrezikon të bjerë nga kategoria.

edmond lutaj

E prisnit këtë rrënim të Flamurtarit?

Flamurtari ka pasur probleme pothuajse gjithë kohën, por mua nuk ma ka marrë mendja që situata do të përkeqësohej kaq shumë. E ardhmja e Flamurtarit duhet të jetë në duart e ndonjë biznesmeni të suksesshëm vlonjat, që e do fanellën kuqezi. Duhet një person që blen klubin dhe afron sponsorë të fuqishëm. Flamurtari ka histori, ka një qytet si Vlora me të ardhme dhe ka kapital.

Qeveria nuk e ka mbështetur sportin deri më tani. Ju bën përshtypje kjo?

Unë e shpreh hapur simpatinë për punën e mirë që po bën kryeministri Rama për vendin tonë, megjithëse ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen përmirësuar. Për sa i përket qëndrimit që ka mbajtur kryeministri për ta lënë sportin jashtë paketës ekonomike, e ka gabim dhe duhet ta ndryshojë mendimin. Po, është e vërtetë që klubet kanë gënjyer me taksat dhe kontratat, por ama ju zoti Rama e keni ditur dhe i keni lejuar. Tani duhet t’i ndihmoni se kanë nevojë. Mos e justifikoni veten me gabimin qe kanë bërë klubet, sepse edhe ju po bëni gabim dy herë. Ndryshoje mendimin zoti kryeministër, se nuk është i drejtë. Dhe diçka tjetër për federatën, i them të dërgojë disa lekë më tepër për të mbështetur klubet me pagat, se kanë nevojë dhe ta lërë pak më vonë stadiumin e Kukësit.

Në këtë periudhë shumë ish-lojtarë janë bërë nostalgjikë për momentet pikante të së kaluarës. Na tregoni historinë më humoristike që keni përjetuar kur keni qenë pjesë aktive e futbollit?

Mirë, atëherë po ndaj diçka me lexuesit, por ama po marr rrezikun për t’u përballur me shokët e vjetër se po nxjerr disa sekrete të grupit. Po ju tregoj një episod të vitit 1991, kur Flamurtari ishte në Stokholm të Suedisë dhe ne do të përballeshim në turin e parë të Kupës së Kampioneve kundër Goteborgut. Një ditë para ndeshjes ne u akomoduam në hotel si zakonisht. Në mbrëmje kryem stërvitjen e zakonshme dhe u kthyem në hotel. Duke ngrënë darkën, diçka po pëshpëritej.

Më pas, të gjithë lojtarët u mbyllën në dhomat e tyre. Si zakonisht, regjim shtrati para ndeshjes. Te nesërmen del fjala që kanalet televizive kishin programe erotike. Shumë lojtarë kishin pasur vështirësi me gjumin. Në korridoret e hotelit atë natë nuk kishte asnjë këmbë njeriu. Dukej sikur kishte rënë Koronavirusi dhe ekipi ishte vetizoluar, por armiku ishte dikush tjetër, erotika.

lutaj

Lutaj gjatë ndeshjes kundër Goteborgut më 18 shtator të vitit 1991

Të nesërmen çfarë bisede konsuamuat me njëri-tjetrin për këtë?

Bobo (qesh)! Kur doli llafi, të gjithë menduan se si do të shkojë puna e ndeshjes pas kësaj nate të pazakontë. Por, për fat të mirë ekipi u paraqit shkëlqyer në fushën e lojës. Flamurtari bëri një ndeshje shumë të bukur, duke marrë një rezultat pozitiv 0-0 për ndeshjen e kthimit, edhe pse u eliminua pas dy barazimeve.

Pas asaj ndeshjeje ju nuk u kthyet më në Vlorë, si është historia?

Në fakt, ne ishim tre futbollistë që e kishim vendosur që në Shqipëri që do të qëndronim në Suedi dhe nuk do të ktheheshim në Vlorë. Isha unë, Bashkim Shaqiri dhe Gramoz Murati. Ditën që ekipi do të kthehej për në Shqipëri, ne shkuam tek autobusi dhe u përshëndetëm me shokët dhe stafin e më pas u larguam. Ndarja nga ekipi ishte një moment i vështirë në shumë aspekte. Ne nuk njihnim njeri në Suedi. Meraku se si do të na shkonte puna, largimi nga familja, shoqëria dhe skuadra ishte i madh. Me pak fjalë, ishte një moment dramatik. Ne u ndamë me ekipin me lot në sy.

Si u ambientuat në Suedi dhe sa i mbajtët kontaktet me shokët e ekipit?

Me shumë vështirësi në fillim, sa u sistemuam. Kontakti me shokët në atë kohë ishte i kufizuar vetëm nëpërmjet telefonit. Mundësitë e komunikimit ishin shumë të pakta. Të flisje në telefon duhet të lidheshe nëpërmjet postës. Interneti nuk ekzistonte. Unë edhe sot jam i befasuar për arsye se mendoja se do të ndaleshin më shumë lojtarë. Gjendja në Shqipëri ishte dramatike para se të niseshim për në Suedi. Anijet niseshin nga Vlora drejt Italisë të mbushura plot me njerëz që po largoheshin për një jetë më të mirë.

ERMAL SIKA 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"