Ekskluzive/ Belica: Partizani do rikthehet më i fortë, virusi ka vetëm një të mirë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2020 | 18:08

Ekskluzive/ Belica: Partizani do rikthehet më i fortë, virusi ka vetëm një të mirë…

Egzon Belica, një nga “shtylla” e Partizanit, në intrevistën e dhënë për “Panorama Sport” tregon edhe anën e mirë që ka sjellë izolimi nga epidemia e Koronavirusit. Mbrojtësi nga Struga u bë baba pak ditë para shpërthimit të epidemisë dhe sipas tij, gjithë vëmendja familjare është përkushtuar te vajza e vogël. 29-vjeçari tregon se për futbollistët është një periudhë e vështirë, që do të ketë ndikim kur ata të kthehen në normalitet.

Në foton më poshtë, mbrojtësi i Partizanit, Egzon Belica me bashkëshorten dhe vajzën:Belica me familjen

Belica e pranon se Partizani nuk po bën një sezon të mirë, por shpreson që me rikthimin në aktivitet, ku kanë mbetur edhe 10 ndeshje, kampionët në fuqi të arrijnë objektivin minimal, pjesëmarrjen në Europë. Për “Panorama Sport” Belica thekson se ky sezon kërkon një analizë të hollësishme, ku të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga gabimet e bëra. Në fund, Egzon Belica shpreson që aventura me Partizanin të jetë sa më e gjatë, pasi ndihet mjaft mirë në familjen e kuqe.

Egzon, së pari si jeni me shëndet dhe si po e kalon këtë periudhë karantine?

Ju falënderoj për pyetjen dhe ju them se ne jemi të gjithë mirë. Dëshoroj dhe ju uroj edhe ju si staf dhe të gjithë lexuesit të jenë mirë gjithashtu. Jo vetëm në këto kohëra pandemish dhe sëmundjesh, dua të them se shëndeti është mbi të gjitha, prandaj kujdes dhe të ruajmë veten sa më shumë.

Sa e vështirë është për një futbollist që të rrijë i mbyllur për gati një muaj?

Është e vështirë për të gjithë besoj. Por ne sportistëve na është bërë e vështirë pak më shumë, sepse puna e jonë na kërkon që të jemi jashtë shtëpisë. Duke qene e pamundur dhe me ambientet e shtëpisë jo çdoherë të përshtatshme është bërë mjaft e vështirë. Unë uroj dhe shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt, sepse të them të drejtën është bërë problem për të gjithë, jo vetëm për ne si futbollistë.

Si jeni përgatitur gjatë kësaj periudhe dhe kjo ndërprerje do të ndikojë te futbollistët kur të rikthehen në aktivitet?

Sipas mendimit tim, patjetër që do të ndikojë. Me një muaj minimumi jashtë fushave do të duhet pak kohë për të rimarrë veten. Por, që ky proces të jetë më i lehtë mundohemi të bejme stërvitje në ato ambiente shtëpie që kemi mundësi. Ne stërvitemi bashk si ekip të paktën 5 herë në javë së bashku me stafin dhe përgatitësin atletik me një program online dhe shpresoj që sadopak të na mbajë në formën tonë sportive.

egzon belica

Karantina mund të merret disi për mirë nga ju, pasi si baba i ri keni pasur kohën e mjaftueshme për të qëndruar pranë bashkëshortes dhe vajzë së vogël…

Një gjë të mire do e kishte edhe kjo situatë. Nuk duhet të shohim vetëm anët e vështira të saj. Të paktën tani kemi mundësinë të jemi shumicën e kohes pranë njerëzve tanë (për mua vlen pak më shumë). Shpresoj që situtata të ndryshoj për mirë dhe jeta të vazhdojë në normalitet dhe t’i gëzohemi ditëve të mira bashkë me anëtarët e rinj të familjes.

A ju jepet të bëni punë shtëpie, apo keni mësuar në këtë periudhë izolimi?

Po mundohem të ndihmoj deri në atë pikeë sa të mos prish diçka apo të mos bëj ndonjë dëm më të madh (qesh). Por duhet ta pranoj tani, më shumë po i gëzohemi gocës së vogel dhe gjithë vëmendja është përkushtuar te ajo. Punët e shtëpisë mund të presin.

A jeni që sezoni të mbyllet duke i luajtur javët e mbetura, pasi nëse mbyllet këtu, i bie që Partizani të mbetet pa Europë?

Unë shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe ne të rikthehemi atje ku duhet, te aktiviteti, te stërvitjet si dhe te ndeshjet. Janë edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, ndaj është çdo gjë ende në lojë. Jam i sigurt që do rikthemi më të fortë nga kjo situat dhe ta mbyllim këtë sezon, që deri tani nuk është nga ata sezonet më të mira për ne.

Si një nga lojtarët më me përvojë në skuadër, mund të na sqaroni se çfarë ka ndodhur këtë vit me Partizanin, ku nga ekip kampion tani rrezikon të mbyll një sezon pa asnjë objektiv të realizuar?

Siç e thashë edhe më lart ky nuk është sezoni që ne kishim menduar. Mendoj se s’duhen anashkaluar këto muaj dhe ky sezon, por duhet nxjerrë mësim prej tyre dhe të përmirësohemi të gjithë, që sa më shpejt të kthejmë Partizanin aty ku ishte vjet.

Partizani është krenuar në vitet e fundit për mbrojtjen solide, por në pjesën e dytë të sezonit aktual, ky repart ku bëni pjesë edhe ju, ka pasur shumë probleme dhe keni pësuar shumë gola. Çfarë ka ndikuar?

Po është e vërtetë që Partizani këtë vit ka pësuar më shume gola se vitet e tjera, gjë për të cilën  nuk mund të jemi krenar. Sezonit aktual është mirë t’i bëjmë një analizë të hollësishme ne si lojtarë dhe të shikojmë ku kemi gabuar. Nuk besoj se diçka ka ndikuar, por di të them se fitojmë dhe humbasim të gjithë bashkë.

egzon belica

Pas fitimit të titullit kampion me Partizanin rinovuat sërish, mund ta dimë se cila do të jetë e ardhmja e Egzon Belicës?

Kontratën me ekipin e Partizanit e kam deri në vitin 2021, kështu që deri atëherë do të jem ketu. Pastaj nuk është se vendos vetem une.  Dëshira do ishte e madhe të qëndroja gjatë se jam ambientuar shume mirë, por për këto gjëra vendos klubi. Gjithsesi, besoj se ka edhe mjaft kohë deri atëherë. Detyra jonë është që të kthejmë skuadrën në rrugën e duhur.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"