EKSKLUZIVE/ Belica: Partizani asnjë presion, do festojmë fitoren në stadiumin e ri (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 23:20

EKSKLUZIVE/ Belica: Partizani asnjë presion, do festojmë fitoren në stadiumin e ri (E PLOTË)

Egzon Belica ëndërron një gol në derbi, por më shumë do fitoren. “Ta bëjë kush të dojë golin, rëndësi ka që të marrim tri pikë të premten”, thotë lideri i mbrojtjes së Partizanit në një intervistë enkas për “Panorama Sport”. Ai tregon arsyet pse skuadra ka treguar oshilacione gjatë kampionatit, ndërsa nuk i zë besë krizës që po kalon Tirana. “Nuk mund ta cilësojmë veten si superfavoritë, thekson qendërmbrojtësi.

Belica konferenca per shtyp

Egzon, një derbi në stadiumin e ri. E bën kjo edhe më të veçantë për ju Partizani-Tirana?

Stadiumi i ri është si një inspirim më vete për ne. Jemi shumë më të motivuar edhe për këtë fakt, pasi vërtet do të jetë një ndeshje shumë e veçantë. Presim sa më shumë tifozë për t’u kënaqur së bashku. Jemi gati që tifozëve të Partizanit t’ua shpërblejmë me një fitore.

E ndieni veten superfavoritë këtë herë apo nuk ndikojnë problemet që ka aktualisht Tirana? 

Unë mendoj se nuk duhet marrë parasysh gjendja e ekipeve, sepse mund të luajë vendi i parë me atë të fundit, por sërish mbetet derbi dhe mbi të gjitha i paparashikueshëm. Me këtë dua të them se kur vjen puna për një ndeshje derbi, ndryshojnë gjërat dhe nuk kanë lidhje pozicionet në tabelë për momentin apo vetë situatat që po kalojnë skuadrat. Kjo ndeshje nuk shihet si të tjerat, por nga ana tjetër unë mendoj se Tirana nuk është në një situatë të keqe. Kanë grumbulluar mjaft pikë, kështu që vijmë të dyja skuadrat në këtë ndeshje pas humbjeve që kemi pësuar në kampionat. Nuk mund ta cilësojmë veten si superfavoritë.

egzon belica

 Këtë herë te cilat skuadra mendoni se është më tepër presioni i rezultatit? 

Unë jam i bindur se presioni te ne nuk ekziston. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë. Jemi të ndërgjegjshëm se vijmë nga një ndeshje jo e mirë në Ballsh, ose më saktë pas një pjese të parë të mirë dhe një 45- minutëshi të dytë të keq. Kemi gjëra për të përmirësuar, por mendoj se kemi punuar mirë gjatë javës. I kemi bërë analizat tona dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë të premten.

Keni ditur të ringriheni gjithnjë në këto gjashtë vitet e fundit kur është luajtur derbi, cili është sekreti i suksesit në përballjet me Tiranën?

Një derbi asnjëherë nuk është ndeshje e lehtë. Është e vërtetë që Partizani e ka treguar veten në derbi edhe kur po kalonte një moment të vështirë apo vinte pas ndonjë humbjeje. Kemi ditur si të rikthehemi dhe unë shpresoj se të njëjtën gjë do të bëjmë edhe këtë herë. Pas atij rezultati të keq me Bylisin, besoj shumë te fitorja në derbi.

Çfarë ju bind më tepër se e kaloni me sukses edhe këtë derbi? 

Jemi kampionët në fuqi dhe vijmë në këtë ndeshje sërish si kryesues. Duhet të futemi në fushë me kokën e qetë, pasi jemi me meritë të parët. Unë mendoj se kemi një ekip më të mirë dhe me një kontingjent cilësor. Këtë herë do të kemi disa mungesa, por Partizani mbetet Partizan dhe besoj se kushdo që të luajë, do të japë më të mirën.

Shpesh keni gjetur golin nga goditjet standarde, e mendoni se ka ardhur koha që edhe ju të shijoni rrugën e rrjetës në derbi?

Do të jetë kënaqësia ime më e madhe nëse shënoj në derbi. Goli në të tilla ndeshje është diçka e veçantë, shpresoj të ndodhë.

Ka diçka që ju shqetëson përpara kësaj ndeshjeje?

Nuk më tremb asgjë. Futbolli ka të papriturat e veta, por ne jemi Partizani dhe nuk i druhemi asnjë kundërshtari. Thjesht i respektojmë ata dhe mundohemi ta përgatisim ndeshjen sa më mirë. Jemi pa presion dhe thjesht kërkojmë të jemi sa më të qetë.

Nga ky Partizan është pritur që të bëjë një shkëputje nga ndjekësit, për vetë cilësinë që ka si ekip. Pse kaq shumë oscilacione, çfarë ka ndikuar?

Kjo është e vërtetë, sepse opinioni, specialistët dhe tifozët tanë kanë pritur që ne të ishim të shkëputur në krye. Megjithatë, këtë sezon kampionati ka pasur disa surpriza. Kanë ndodhur gjëra të papritura, por gjithsesi prapë ne jemi në vend të parë dhe shpresojmë ta mbajmë deri në fund këtë pozicion.

Unë mendoj se në javët në vazhdim do të bëjmë shkëputjen. Arsyet e kësaj situate nuk mendoj se kanë qenë prej neglizhimit që mund të kemi pasur në ndonjë ndeshje. Kjo nuk është në natyrën tonë, por ndodh që ka ndeshje ku realisht nuk kemi bërë më të mirën tonë. Këtë duhet ta pranojmë, por sikundër mund të them se kemi lënë pikë rrugës edhe për meritë të kundërshtarëve.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"