EKSKLUZIVE/ Batha “pa doreza”: Pse u ndava me Partizanin dhe ku gabuan drejtuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2018 | 23:32

EKSKLUZIVE/ Batha “pa doreza”: Pse u ndava me Partizanin dhe ku gabuan drejtuesit

Kapiteni Idriz Batha quhet i larguar nga Partizani, pasi më 30 qershor i përfundon kontrata dhe deri më tani nuk ka rinovuar. Gjithsesi, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori tha se nëse klubi i plotëson kërkesat, ai lë gjithçka dhe mbetet i kuq. Kapiteni në rrëfimin e tij për gazetën bën “skanerin” e skuadrës së edicionit të fundit ku mohon zërat për klane dhe në gjykimin e tij, merkato e italianëve solli dështimin.

Batha

Batha tregon edhe arsyet e ngecjes së rinovimit, si dhe çfarë pret në të ardhmen dhe mundësinë për një kalim të mundshëm te Tirana. Sipas 26- vjeçarit, ndryshimet e shpeshta nuk e lënë Partizanin të ecë përpara dhe pranon se mund të jetë gabuar me mosbesimin ndaj trajnerëve Duro dhe Starova. Sa u përket tifozëve të kuq, Batha tha se do i mbajë mend si më të mirët në vend.

Partizani, një kapitull i mbyllur për ju?

Me shumë mundësi po, them se e kemi mbyllur bashkëpunimin, por çfarë nuk ndodh. Derisa kemi mbetur në këtë situatë pushimi, them se gjërat janë mbyllur mes nesh.

Ju ka bërë dalje klubi apo e kundërta?

Isha unë ai që nuk pranova ofertën që më propozuan. Aty u mbyll ai diskutimi i rinovimit tim dhe nuk e kemi vazhduar më pas.

batha

A mund ta dimë se për çfarë nuk ratë dakord me drejtuesit që të vazhdonit?
Donit të largoheshit apo nuk ju vlerësuan?

Të dyja këto fakte që përmendet ekzistojnë. Unë nuk mora aq sa kisha në idetë e mija. Thjesht nuk ramë dakord në shifra. Nuk është se m’u ul rroga, madje oferta ishte me ngritje, por e ulët me atë që prisja.

Në këtë ftohje mes palëve mos ndikoi edhe mënyra e trajtimit në javët e fundit ku u aktivizuat pak?

Jo, kjo nuk ka lidhje, pasi në atë periudhë gjithçka e kishte marrë rrugën e vet. Ato nuk ishin as javë vendimtare për ne. Pra, ftohja ka ndodhur më parë, por jo në javët e fundit.

Duke qenë se ishit kapiteni i Partizanit dhe ndër lojtarët më me eksperiencë, këtë trajtim në rinovimin tuaj mund ta quajmë mosvlerësim nga klubi apo ka diçka tjetër?

Qëndron deri diku edhe kjo, por e thashë që javët e fundit nuk e prishin atë mendimin tim që kam për Partizanin, me të cilin kam luajtur në katër vite radhazi në Superiore apo më herët me skuadrën në Kategorinë e Dytë.

Çfarë ndodhi në dy javët e fundit, meqë u përmendën shumë?

Nuk e di, mbase duhet të pyesni trajnerin Dalipi apo drejtuesit. Personalisht, thjesht nuk u aktivizova, aq më shumë që në javën e fundit isha i dëmtuar. Për ndeshjen e Vlorës mund të pyesni ata.

Që të qartësohemi, ju e keni për mosimpenjim të ekipit apo mosaktivizimin tuaj?

Jo, jo, për impenjimin nuk mund të them asgjë. Unë iu referova thjesht përzgjedhjeve në formacion që u bënë në këto dy ndeshje.

Pse erdhi gjithë ky zhgënjim nga Partizani i këtij sezoni, i cili ka qenë ndër më të investuarit në vitet e fundit?

E kam thënë edhe më parë se gjithçka u ndërtua keq që në fillim ku nisi puna për sezonin 2017-2018. Erdhën shumë lojtarë, por jo me ndonjë cilësi të madhe dhe u larguan ata që për mua nuk e meritonin të iknin. Përgjegjësit kryesorë për mua, për këtë zhgënjim, janë drejtuesit italianë, që morën përsipër ndërtimin e ekipit.

Përveç merkatos së gabuar, a ndikoi për keq edhe “dora e hekurt” që përdori Moxhi në start, ku kapiteni Hoxha u pezullua dhe ju përfunduat në stol në ndeshjen ndaj Laçit?

Nuk mund të them se pati shumë ndikim ajo situatë, pasi thjesht një ndeshje ishte. Një ndeshje nuk është se e prish shumë situatën, por i mbetem mendimit tim që merkatoja ishte e dështuar.

A mund të themi se ardhja e drejtuesve italianë dhe lojtarëve që sollën ata vetë krijuan një ndarje në ekip, pasi ata kishin më shumë prioritet në formacion?

Nuk ka pasur ndarje të tilla, pasi si çuna ata ishin të shkëlqyer dhe i kishim shokë të mirë. Por, kur flasim për të mirën e Partizanit, ata nuk ishin në nivelin e duhur. Ndaj, dua të sqaroj me këtë rast se nuk ka pasur ndarje mes shqiptarësh apo italianësh që u përfol shpesh.

Meqë tani konsideroheni më shumë larg se afër ekipit, a ka pasur klane te Partizani në sezonin e fundit, pasi është folur se ka qenë një grup kundër Iulianos që të vinte Starova, pastaj u krijua një grup për të hequr “Bobin” etj., etj.?

Për mua këto janë llafe që nuk di se nga dalin. Nuk ka pasur çështje klanesh. Aty kemi qenë të gjithë për të bërë punën, për të marr rrogën dhe për të kënaqur familjet tona dhe tifozët që na mbështesnin kudo. Ishim të gjithë për një qëllim dhe mundoheshim që përmes ekipit të tregonim edhe veten tonë.

Faji kryesor u është faturuar lojtarëve, që shpesh janë quajtur senatorë apo “garda e vjetër”, ku mes tyre bënit pjesë edhe ju. A ishin këta lojtarë vërtet e keqja e Partizanit, madje me këtë arsyetim u larguan një pjesë në merkaton e dimrit?

E thashë dhe po e citoj, e keqja e Partizanit të sezonit të fundit ishte gabimi në ndërtimin e ekipit në fillim të sezonit. Faji? Normal që edhe lojtarët kanë pjesën e tyre të fajit, pasi në fund të fundit ne jemi ata që luajmë në fushë. Në një ekip që nuk i ke të 11 lojtarët në cilësinë e duhur, nuk mund të presësh që skuadra të shkojë lart. Nuk mund të përjashtoj këtu as veten time apo shokët që ju i quani senatorë apo çfarë epitetesh të tjera u kanë vënë. Të gjithë e kemi pjesën tonë të fajit, por pjesa kryesore rëndon te ndërtimi i skuadrës, pasi nuk ke çfarë të bësh me 5 futbollistë në fushë.

Keni qenë titullar në katër vitet e fundit dhe kapiten i ekipit. Mund të na sqaroni se çfarë nuk shkon me Partizanin, i cili nuk arrin që në fund të kampionatit të bëjë sprintin final dhe të shkojë te trofeu?

Mendoj se ekipi është menaxhuar keq në këto vite. Çdo fundsezoni është shoqëruar me ndryshime të shumta, ku ikin dhe vinin mbi 10 lojtarë. Në 3 sezonet e fundit, ekipi ka qenë dhe nuk ka pasur nevojë për ndryshime të shumta, por me 2-3 afrime cilësore Partizani mund të bënte më mirë.

Përmendët vetëm ndryshimet në lojtarë, por ndërrimet e shpeshta të stafeve kanë pasur ndikim?

Pa dyshim që edhe ata kanë ndikuar. Mirë është që të mendohesh shumë dhe pastaj të bësh zgjedhjen e duhur duke i besuar deri në fund dhe më pas i bën vlerësimin.

Sipas jush, a ka pasur ndonjë trajner me të cilin drejtuesit e kanë larguar para kohe apo t’i kishin besuar më shumë?

Puna e trajnerit matet me rezultate. Ndaj them se në bazë të rezultateve edhe janë vlerësuar.

Praktika ka treguar se edhe kur kanë pasur rezultate janë larguar. Duro e ktheu ekipin pas 7 viteve në Europë ose me Starovën kryesonit dy faza dhe shkarkohej…

Edhe unë jam i mendimit se profesor Shpëtimit i duhej dhënë më shumë mundësi, pasi e bëri Partizanin ekip të denjë dhe kam përshtypjen se në edicionin pasardhës do të bënte diçka më mirë. E njëjta gjë edhe me Starovën. Në këto dy raste, mbase drejtuesit janë nxituar në vendimet e marra.

Cila është e vërteta e parakontratës së Idriz Bathës me Kukësin?

Të them të drejtën, jam duke pritur dy-tre mundësi për jashtë vendit. Menaxherët po punojnë për këtë gjë dhe më kanë thënë që të pres edhe pak. Dëshira është që të iki jashtë. Nëse marr përgjigje negative nga jashtë vendit, atëherë do të ulem dhe të bisedoj me klubet vendëse që janë të interesuara.

Përmendët jashtë vendit, a është Kroacia një pistë, pasi ka zëra se mund të kaloni tek Istra?

Kroacia mund të jetë një opsion, por nuk di çfarë të them më shumë. Istra ka qenë një mundësi dikur dhe për momentin nuk kam dijeni për një destinacion të tillë.

A mund ta shikojmë Bathën në të ardhmen me fanellën e Tiranës?

Shumë veta ma kanë bërë këtë pyetje, nuk e di pse. Disa gjëra nuk i cakton me dorë, ndaj nuk e dimë se çfarë mund të na ndodhë nesër. Futbolli është i paparashikueshëm dhe ka treguar se lojtarë shumë të mëdhenj kanë shkuar në ekipe që askujt nuk ia priste mendja.

Si ish-kapiten, si e vlerësoni situatën aktuale të Partizanit, që vijon pushimet pa asnjë plan për të ardhmen?

Dihet që fati i këtij Partizani për të marrë pjesë në Europë varet nga Skënderbeu. Ndaj, nëse nuk shkojnë në Europë, i bie që kanë dy muaj kohë për të menduar për sezonin e ri. Por, kam përshtypjen se pas vendimit për Skënderbeun, gjërat do të marrin rrugën e duhur dhe do të nisë punën edhe Partizani.

A keni ndonjë peng nga ky katërvjeçar i fundit me Partizanin?

Normalisht, që nuk dola kampion. Nuk kam pishman tjetër. Kjo ka qenë dëshira ime më e madhe. Jo vetëm me Partizanin, por me çdo klub ku luaj, dëshiroj të dal kampion.

A keni ndonjë mesazh lamtumire për tifozët e Partizanit, të cilët në përgjithësi të kanë mbështetur, përpos kontradiktave që keni pasur në këto javët e fundit?

Tifozët e Partizanit unë nuk do t’i mbaj mend për këto javët e fundit, që kanë kritikuar ekipin dhe drejtuesit. Unë do t’i mbaj mend gjithmonë për atë mbështetje që na kanë dhënë nga Kategoria e Dytë deri më sot. Do t’i mbaj mend gjithmonë ata si më të mirët. Nuk kam ndonjë mesazh specifik, pasi nuk jam shumë i zoti në fjalët e lamtumirës. Vetëm respekt, asgjë tjetër.

Nëse drejtuesit ndryshojnë mendje dhe ju ofrojnë atë që keni kërkuar mund t’i lini të gjitha dhe të vazhdoni përsëri me Partizanin?

E kam thënë edhe më parë, akoma nuk është se e kemi mbyllur 100%. Edhe në këtë moment që po flasim unë jam lojtar i Partizanit dhe nuk është çudi që të vazhdoj.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"