EKSKLUZIVE/ Basti i Luiza Gegës: Dua të tejkaloj veten këtë vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 18:48

EKSKLUZIVE/ Basti i Luiza Gegës: Dua të tejkaloj veten këtë vit

Atletika shqiptare identifikohet me Luiza Gegën, një kampione absolute, e cila e ka futur flamurin tonë kombëtar në “sallonet” më prestigjioze të “mbretëreshës së sporteve”. Për shumë vite, Gega është aty, në majë, duke u matur me më të mirat e globit, qoftë në disiplinën e saj të 3000 metrave me pengesa, por gjithashtu edhe në 3,000, 5,000, apo 10,000 metra.

LUIZA GEGA

Për të përshkruar një kampione të këtij kalibri, mjafton të përmendim vetëm disa arritje historike, siç janë futja e Shqipërisë për herë të parë në finalet e një Botërori, apo të Lojërave Olimpike, pa llogaritur këtu morinë e rekordeve, ku çdo rezultat i saj më i mirë personal, përkthehet në rekord kombëtar.

Të gjitha këto arritje Gega i ka realizuar vetëm falë punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm, duke sfiduar çdo vështirësi dhe problematikë që të ofron realiteti i sportit në Shqipëri. 33-vjeçarja vijon të shikojë vetëm përpara dhe as që ka ndër mend të ndalet, duke pasur në kokë vetëm një mendim, që është përmirësimi i kohëve të saj, e për këtë nuk njeh pushim, por vetëm stërvitje.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Luiza Gega rrëfen përgatitjet e saj për një sezon ku e presin aktivitete tepër të rëndësishme. Atletja flet për stërvitjet, konkurrimin në një disiplinë të “re” siç janë 3000 metrat, për garën e fundit në Mançester, për problematikat si dhe për objektivat e vitit 2022…

STËRVITJE NON-STOP – Për të arritur këto nivele dhe mbi të gjitha për të qëndruar në majë për shumë kohë, dihet që kërkohet një vullnet dhe një punë e jashtëzakonshme. E pikërisht puna e pandalshme e ka bërë Luiza Gegën që të jetë “top” për vite me radhë.

Për këtë pjesë Gega e nis duke rrëfyer stërvitjet dhe fazat përgatitore, teksa thotë se nuk është ndalur për asnjë moment: “Që në nëntor kam nisur stërvitjet e plota me volume në pistë dhe përgatitje specifike, gjithçka ka shkuar shumë mirë. Pra, që para fazës përgatitore që bëra në Kenia.

Pastaj në fund të nëntorit shkova në kampin e stërvitjes në Kenia, ku shkoj pothuajse çdo vit, përveç vitit të kaluar që nuk vajta për shkak të pandemisë. Gjithashtu përgatitjet atje më vajtën shumë mirë”, shprehet kampionia kuqezi.

luiza gega

LUIZA NË 3000 METRA – Ndonëse pika e saj më e fortë janë 3000 metrat me pengesa, Gega po shkëlqen në disiplina të ndryshme, ku një ndër to është gara e 3000 metrave. “Tashmë jam një sportiste e vendosur në garën e 3000 metrave, por sigurisht 3000 metrat me pengesa mbetet gara ku unë kam edhe pritshmëritë më të mëdha.

Për këtë arsye vendosa pse jo mos të marr pjesë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në mars, ku do të garoj në 3000 metra.

Për të marrë pjesë në këtë kampionat unë duhet që të arrija normën, për faktin që nuk mora pjesë vjet dhe kështu që nuk isha kualifikuar, sepse kualifikimit kishin nisur që vitin e kaluar në muajin janar. Për këtë arsye m’u desh që të bëja një garë, le të themi qoftë testuese për të parë se si ka vajtur stërvitja, gjithashtu edhe për t’u kualifikuar”.

GARA E MANÇESTERIT – Vetëm një javë më parë, 33- vjeçarja hapi sezonin me një paraqitje shumë të mirë në Mançester, në një event kualifikues për Botërorin e sallave të mbyllura. Gega, e cila u rendit e dyta, duke kapur edhe normën kualifikuese, e komentoi kështu eventin e mbajtur në Britani: “Gara e parë ishte në Mançester. Në fakt kjo garë nuk është se shkoi sipas pritshmërive të mia.

Këtë e them për arsyen se nisi shumë ngadalë, dhe 1000 metrat e para shkuan me kohën 3:02. Po të vazhdohej me këtë ritëm do të dilte një kohë që nuk më leverdiste.

Pikërisht për këtë arsye, pas 1000 metrave të para mora kryesimin dhe i thashë vetes që duhet të bëj maksimumin, sepse norma që duhej të arrija ishte 8:49. Mora kryesimin dhe vazhdova garën vetë, pothuajse deri në fund, sepse nuk kisha alternativë tjetër.

Në fund shënova kohën 8:47 dhe jam shumë e lumtur, kjo edhe për mënyrën se si shkoi gara.

Sigurisht që pritshmëritë e mia dhe stërvitja që unë kam bërë tregojnë që unë jam shumë më mirë se kaq dhe për këtë arsye do të marr pjesë në një tjetër garë në datën 4 shkurt në Francë, ku sigurisht do të synoj një kohë më të shpejtë dhe njëkohësisht të thyej edhe rekordin kombëtar që mbahet po nga unë”.

LUIZA GEGA

GRUMBULLIMI NË PORTUGALI – Ndërkohë, prej disa javësh, ikona e atletikës kuqezi është zhvendosur në Portugali, ku dhe po vijon një tjetër minifazë përgatitore.

“Mbas kthimit nga Kenia, ku siç dihet atje janë temperaturat shumë optimale për sa i përket stërvitjes, ku përveç lartësisë është edhe i ngrohti, u ktheva në Tiranë. Por në Shqipëri moti vazhdonte të ishte shumë i ftohtë dhe sigurisht kjo i penalizonte pritshmëritë e mia për këtë sezon dimri.

Kështu që isha e detyruar të lëvizja përsëri, këtë herë diku më afër, për të kryer edhe aktivitetet, qoftë për t’u kualifikuar apo për t’u testuar.

Për këtë arsye vendi më i përshtatshëm në Europë është Portugalia dhe Monte Gordo, që është më afër pjesës së Afrikës dhe ka një klimë të ngrohtë, sigurisht ka edhe kushte shumë të mira për stërvitjen. Kështu që nga këtu lëviz në aktivitete dhe kthehem përsëri për stërvitjet, ndërsa do të qëndroj deri në datën 8 shkurt”, rrëfen Luiza Gega.

PROBLEMI ME KOSTOT – Pjesa financiare mbetet “Thembra e Akilit”, për atleten, pasi sigurisht përgatitjet në këto nivele kanë kosto. E për këtë gjë, Gega shprehet kështu: “Grumbullimi për këto dy minifaza nuk ka qenë edhe aq i lehtë, sepse sigurisht ka kosto. Në fakt janë bërë ca kohë që ne kemi mbështetje nga bashkia, Klubi i Tiranës dhe me këtë buxhet kam mundur të kryej fazën përgatitore në Kenia.

Pastaj sigurisht këtu në Portugali edhe me kursimet e mia. Tani po presim në fakt që të lëvrohen bursat nga Komiteti Olimpik dhe urojmë shumë që deri në fund të janarit ato të kenë ndodhur dhe të shikojmë se çfarë buxheti do të kemi nga KOKSH-i për të bërë njëfarë përllogaritje se ku mund të shkojmë për stërvitje.

gega

Nuk është aq lehtë, sepse pjesa financiare bëhet stresuese, pasi i gjithë programi bëhet në bazë të buxhetit dhe duhet të llogarisësh gjithçka, se sa kampe stërvitore duhet të bësh me ‘x’ buxhet. Unë dua ta falënderoj vërtetë Bashkinë e Tiranës, sepse rezultatet dhe niveli im i lartë janë edhe për shkak të mbështetjes që më kanë dhënë”.

RËNDËSIA E PËRGATITJEVE NË DIMËR – Më tej, rekordmenia thekson rëndësinë e madhe që kanë fazat përgatitore të dimrit, për të gjithë sezonin:

“Për sportin e atletikës është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që të kesh kushte optimale atmosferike, sepse është një sport që nuk mund ta zhvillosh çdo ditë në palestër apo në një pallat sporti. Pra, grumbullimet janë shumë të rëndësishme dhe kjo nuk është një dëshirë apo qejf, por detyrim nëse kërkon të arrish këto rezultate.

Këtu në Portugali kushtet janë shumë të mira dhe kjo përgatitje është një plus i madh edhe për sezonin e verës, pasi siç dihet stërvitjet në dimër janë edhe baza e volumeve për të qenë në një nivel sa më të lartë për të gjithë sezonin”.

OBJEKTIVAT E SEZONIT – Në fund Luiza Gega zbulon edhe objektivat e vitit 2022, të cilat janë sigurisht madhore, ashtu sikurse i ka hije një atleteje të përmasave botërore siç është kampionia kuqezi: “Pasi të mbaroj këtë minisezon dimëror, kam si objektiv që të përmirësoj rezultatin në 3000 metra, që do të thotë rekord kombëtar. Do të marr pjesë në Kampionatin Ballkanik, ku sigurisht futem për të dalë kampione.

Më tej fokusi kryesor do të jetë Botërori i Beogradit, ku futem me objektiv për të qenë në top-6 edhe pse nuk është gara ime specifike siç janë 3000 metrat me pengesa. Garat e mira dimërore të bëjnë më optimiste më pas për sezonin veror, që do të jetë i tejmbushur me aktivitete të rëndësishme, duke filluar nga Lojërat Mesdhetare, Kampionati Botëror në Oregon në SHBA dhe Kampionati Europian në Gjermani.

Ndërsa objektivat e mia për këto evente janë që të ruaj titullin si kampione Mesdheu, të jem në finalen e Botërorit, e tashmë jo më e nënta, por në top-6, gjithashtu të futem në zonën e medaljeve në Europian. Janë vërtetë objektiva të mëdha, sepse medaljet nuk janë aq të lehta dhe nuk të serviren në pjatë, por duhet të punosh çdo ditë shumë fort për to, ashtu sikurse po vazhdoj të bëj.

Uroj shumë që te jem larg dëmtimeve dhe është pikërisht edhe kjo një nga arsyet që unë po lëviz nga Shqipëria”, përfundoi Gega.

rekordet

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"