EKSKLUZIVE/ Bastet e djegura, Bylis-Tirana kanë një “kleçkë”. Ja çfarë i ndihmon klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 8, 2020 | 23:59


EKSKLUZIVE/ Bastet e djegura, Bylis-Tirana kanë një “kleçkë”. Ja çfarë i ndihmon klubet

Nëse vërtetohet se një ndeshje është e trukuar, atëherë pasojat për shkaktarët e këtij veprimi janë jo vetëm sportive, por edhe penale. Nga gjobat sportive dhe përjashtimet nga aktivitetet sportive 3-5 vite, të individëve apo edhe klubeve, kalohet edhe në vendimet penale që shoqërohen me gjoba si dhe dënim me disa vite burgim.

bylis tirana

Por, referuar hetimeve sportive nga Komisioni i Etikës, “Panorama Sport” ka mësuar një detaj që mund të shërbejë si rrethanë lehtësuese për të dyja klubet që janë të përfshira në hetim, Bylisi dhe Tirana.

RRETHANA LEHTËSUESE

Gazeta ka mësuar dhe ka bërë me dije edhe më parë se në FSHF ka mbërritur një raport nga kompanitë pranë UEFA-s që monitorojnë luhatjen e koeficienteve të basteve. Mirëpo, në këtë raport të mbërritur prej tyre, siç edhe ka bërë me dije FSHF, është kërkuar që të ketë detaje në lidhje me çfarë ka ndodhur në baste.

Bylis

Konkretisht, në raportin që vjen për llogari të hetimit, saktësohet edhe shifra e basteve të vendosura, duke përcaktuar përqindjet e basteve të fituara dhe atyre të humbura. Gazeta ka mësuar se pikërisht kjo mund të jetë një lloj rrethane lehtësuese për të dyja ekipet në këtë hetim, pasi bëhet me dije nga burime të besueshme në FSHF se ka pasur baste të cilat janë djegur.

Pra, është vendosur një lloj basti me shumë të caktuar dhe rezultati i ndeshjes nuk ka qenë sipas tij. Edhe pse kjo nuk e përjashton mundësinë që një ndeshje të jetë e trukuar, përfshihet mes atyre rrethanave lehtësuese në hetime të këtij lloji.

Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhë çështja e hetimit të ndeshjes në Kupën e Shqipërisë dhe se në cilën anë do të peshojë “peshorja” e fakteve dhe provave të mbledhura nga Komisioni i Etikës. Deri më tani, nuk është bërë publik asnjë lloj njoftimi nga ana e prokurorisë në vendin tonë që të bëjë me dije se ka nisur hetime zyrtarisht mbi dyshimet e shprehura në publik si dhe nga FSHF për një ndeshje të caktuar.

OLSI TUJANI  – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com