EKSKLUZIVE/ “Bare-Manaj më të mirët”, Gjasula: Teste çdo 3 ditë, lamë 30% të rrogës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2020 | 22:54

EKSKLUZIVE/ “Bare-Manaj më të mirët”, Gjasula: Teste çdo 3 ditë, lamë 30% të rrogës (E PLOTË)

Në Gjermani ka ni sur stërvitja e ekipeve prej disa ditësh dhe është saktësuar edhe data kur do të rikthehet futbolli i luajtur. Klaus Gjasula, mesfushori i Kombëtares tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” planin e masave që është ndërmarrë për ekipet e Bundesligës gjermane, zgjidhjen financiare për rrogat, muajt e shtuar përtej kontratës etj. Ndër të tjera, Gjasula evidenton edhe lojtarët më të mirë që ka grupi aktual i Kombëtares kuqezi.

klaus gjasula

Klaus si jeni dhe a po qëndroni në karantinë?

Jam mirë, faleminderit. Tani është bërë më mirë situata dhe nuk jemi më në kushte karantine. Sigurisht, me disa kushte shtrënguese, pasi përjashtë mund të rrish vetëm me familjarët e tu afër. Gjithashtu, edhe në dyqane, vendosja e maskës është e detyrueshme.

Ju keni nisur stërvitjen me Paderborn. Ju testuan para se të rinisnit?

Po. Çdo dy apo tri ditë na bëjnë teste. Gjithashtu, edhe çdo dy ditë na matin temperaturën.

Cili i paguan testet, ekipi, federata apo qeveria?

Nuk e di saktësisht. Mirëpo, besoj se federata e futbollit ua ka dhënë të gjitha ekipeve, jo vetëm neve.

Çfarë protokolli ka ndjekur ekipi për rinisjen e stërvitjeve?

Këtë javë kemi nisur me stërvitje normale. Mirëpo, disa ditë në fillim kemi bërë vetëm vrapime dhe pasime në distancë. Duke mos u bashkuar me njëri-tjetrin. Ndërsa këtë javë do të kemi edhe ndeshje dhe dyluftime mes nesh. Pra, do të bëjmë ndeshje në ritmin e tillë që çdo lojtar duhet të arrijë statistikat dhe parametrat e ndeshjeve të kampionatit.

Klaus Gjasula

E gjithë kjo është bërë me synimin që ne lojtarët të stërvitemi me ritëm ndeshjesh dy herë në javë, pasi mund të ketë kalendar të ngjeshur. Fatmirësisht, ekipi ynë nuk ka asnjë lojtar të prekur dhe po rikthehemi të punojmë normalisht.

Javën e parë kur u rikthyet, i përdornit dhomat e zhveshjes dhe dushet dhe a stërviteshit të gjithë bashkë në të njëjtën kohë?

Në dhomat e zhveshjes janë akoma vetëm nga gjashtë lojtarë për secilën. Pra, lojtarë të atyre grupeve që janë stërvitur bashkë. Në secilën dhomë ka dushe mjaftueshëm për të gjithë, por është vendosur që të lahen vetëm dy lojtarë njëkohësisht. Kjo ka ndodhur deri më tani. Mirëpo, në vazhdim, pasi kemi bërë dy – tri teste dhe meqë nuk kemi asnjë të prekur me virus, atëherë do të rikthehemi të luajmë, stërvitemi dhe qëndrojmë të gjithë bashkë. Besoj se do të ruhet vetëm ky rregulli për të mos qëndruar shumë veta në dhoma. Ndërsa në fushë do të jemi më të relaksuar.

gjasula

Si ndiheni nga ana fizike dhe sa kohë ju kanë thënë që nevojitet përpara nisjes së sezonit?

Këtë javë kanë nisur stërvitjet normale, pasi ditët e para nuk ishin stërvitje, por vetëm një periudhë parapërgatitore. Pra, ka qenë një periudhë sa për të rinisur të lëvizim. Do kemi minimalisht dy javë deri në nisjen e kampionatit. Në fillim na u tha që mund të rinisnim më 15 maj, por u caktua data 22 maj.

Sa i përket aspektit fizik, besoj se ndihem gati. Normalisht që në rast se vendoset të luajmë dy herë në javë, atëherë do të hasim vështirësi, pasi nuk jemi në të njëjtin nivel fizik si përpara Koronavirusit. Por realisht nuk e kam shumë problem aspektin fizik, pasi ka gjenë gjithmonë një nga pikat e mia të forta.

Ju kanë thënë për periudha izolimi me skuadrën veçmas familjeve?

Po. Në fillim ishte caktuar që të qëndronim një javë të grumbulluar para ndeshjes së parë dhe tashmë është vendosur që do të jemi 14 ditë. Rregull për të gjithë ekipet në Gjermani, që nga Bundesliga deri edhe te ligat e ulëta. Çdo ekip do të qëndrojë në një hotel brenda qytetit të vet ku kryen edhe stërvitjet.

E kanë marrë këtë vendim për të mos rrezikuar më kampionatin e për ta vazhduar. Pasi po të preket prapë ndonjë lojtar para nisjes, ka rrezik që jo vetëm të shtyhet përsëri, por edhe ta pezullojnë fare. Është caktuar që lojtarët do të rrinë në hotel secili në dhomë personale.

Po kur të rinisë kampionati?

Do të kthehemi në shtëpi. Shikoni, do të ketë aq shumë ndeshje dhe aq shumë ngarkesë me stërvitje dhe sfida, sa nuk do të kemi edhe kohë për të dalë shumë jashtë. Por sido që të jetë, do të kemi kujdes dhe do të dalim vetëm për arsye të detyrueshme. Do të sensibilizojmë edhe njerëzit e shtëpisë që të dalin jashtë vetëm për ato veprime të domosdoshme.

gjasula shqiperi france

Duhet që të dokumentojmë edhe daljet e tyre, pra të familjarëve që jetojnë me ne, kur kanë dalë, kur janë kthyer, çfarë vendesh kanë qenë. Pra, që edhe familjarët tanë të bëjnë vetëm veprimet që lejohen. Nëse kanë familjarë që punojnë, edhe ai duhet të testohet rregullisht, që ekipi të dijë nëse futbollisti ka rrezik të preket apo jo dhe a mund të vazhdojë stërvitjet apo jo. Është shumë e komplikuar, por s’kemi çfarë të bëjmë. Kështu është situata dhe kështu kanë vendosur.

Gjatë kësaj periudhe, financat janë diskutuar gjerësisht. Çfarë vendimi ka marrë Paderborn për pagesën tuaj?

Ne kemi biseduar me klubin që do të na mbajnë 30% të rrogës. Këtë e kanë vendosur për të paguar me pagë të plotë njerëzit e tjerë, punonjës të shumtë që kanë rroga normale. Pra, për të mos i dëmtuar familjet e tyre, pranuam ne që të lejojmë 30% të pagave tona, në mënyrë që klubi të përfundojë të gjitha shpenzimet e nevojshme.

Po me ju dhe lojtarët që u mbaron kontrata në fund të qershorit, çfarë do të ndodhë?

Unë e kam kuptuar që nëse kampionati do të zgjasë edhe më shumë, do të ketë një kontratë të re, pra deri në periudhën që do të luhet. Është e detyrueshme për çdo lojtar.

Po për pagesën e këtij muaji që ju shtohet?

Duke qenë se pjesa më e madhe e kontratave përfundojnë më 30 qershor, atëherë nëse do të luhet deri në korrik, do të marrim edhe një pagesë për atë muaj. Megjithatë, ka një përpjekje dhe dëshirë që të përfundojë gjithçka brenda qershorit, për ta shmangur edhe këtë shtesën e kontratave, por të shohim se sa do të jetë e realizueshme

gjasula manaj

Cili është lojtari më i mirë i këtij grupi në Kombëtare sipas jush?

Është e vështirë ta them, sepse të gjithë lojtarët janë të mirë dhe secili ka kualitetin e vet. Forcën e vet, faktin që luajnë në pozicione të ndryshme, etj. Gjithashtu, kjo është edhe sipas dëshirave personale të secilit. Pra dikush pëlqen x lojtar për një arsye të caktuar dhe një tjetër pëlqen tjetër lojtar për të tjera arsye. Nuk është diçka fikse. Ama, unë them Keidi Bare dhe Rei Manaj.

OLSI TUJANI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"