EKSKLUZIVE/ “Barazojnë Markun me Gegën, e turpshme”, shpërthen trajneri i Kombëtares: Floriani nuk meriton pritje, s’është kampion dhe po mashtron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2022 | 18:04

EKSKLUZIVE/ “Barazojnë Markun me Gegën, e turpshme”, shpërthen trajneri i Kombëtares: Floriani nuk meriton pritje, s’është kampion dhe po mashtron

Dy ditë më parë, Florian Marku regjis troi fitoren e 12-të në karrierë në boksin profesionist në moshën 29-vjeçare, teksa mposhti me pikë meksikanin Miguel Parra Ramirez në duelin për titullin “WBC Silver Welterweight”. Një fitore që bëri jehonë, por sigurisht ka hapur edhe shumë diskutime. A mund të quhet një arritje për boksin shqiptar suksesi i Markut? E kush më mirë se trajneri i kombëtares shqiptare të boksit mund t’i japë përgjigje kësaj pyetje.

ZEF GJONI

Kështu, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me Zef Gjonin, i cili ia ka kushtuar jetën boksit, duke nxjerrë kampionë për dekada me radhë. Për trajnerin e kombëtares kuqezi, nuk ka asnjë dyshim: gjithçka është manipuluar që në fillim, me përfshirjen e politikës. Gjoni e quan të turpshme pritjen e qeverisë për Florian Markun, teksa shpjegon se ky boksier nuk ka bërë asgjë për të merituar diçka të tillë.

Gjoni ndalet edhe te ndeshja ndaj rivalit meksikan, Miguel Parra Ramirez, të cilën e quan një përballje të niveleve të ulëta, ndërsa thotë se Markut iu dha fitorja pa meritë. Madje, trajneri shprehet se për Markun nuk ka kuptim vijimi i karrierës, kur nuk mundi të tregohej superior ndaj një kundërshtari që është në vend të 262-të në Botë dhe në vend të 32-të në Meksikë për peshën e tij. Gjoni gjithashtu deklaron se Shqipëria ka boksierë më të mirë në peshën e Markut, teksa përmend medalistin botëror Alban Beqirin apo Denis Nurjen. Ndërkohë që ka edhe një ftesë për “Albanian King”…

Gjoni, cili është komenti juaj për ndeshjen e Florian Markut në Tiranë?

Të them të drejtën unë kisha dëshirë që ta ndiqja ndeshjen nga afër dhe do ta inkurajoja nëse do të kisha mundësi, si gjithë të tjerët. Por nuk kemi marrë asnjë ftesë, as unë, as Federata Shqiptare e Boksit dhe asnjë boksier shqiptar. Megjithatë e kam ndjekur me shumë dëshirë dhe me vëmendje nëpërmjet televizorit. Ishte një ndeshje e manipuluar, sepse gjithçka u përfshi në rrymat politike.

Nëse më parë kishte “X” persona që e mbështesnin, po mos ta politizonte duelin, ndoshta do të kishte edhe më shumë. Nuk më pëlqen që të lidhet sporti me politikën dhe të shkojë një boksier te kryeministri e të thotë: “Unë do të marr titullin kampion bote dhe ti do të fitosh zgjedhjet”. Këto janë shfaqje të turpshme për çdo shqiptar që e kupton sadopak boksin, është fyerje e inteligjencës. Është e turpshme, pasi kryeministri duhet të ketë këshilltarë dhe specialistë për sportin…

Ju thoni që nuk e meriton pritjen nga kryeministri Rama?

Pa fituar titull dhe pa fituar asgjë, u prit nga kryeministri Edi Rama, nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke u barazuar me Luiza Gegën, që erdhi me medalje ari. Ndërsa Alban Beqiri, medalist në Kampionatin Botëror dhe boksier i një niveli më të lartë, nuk është pritur nga kreu i qeverisë. Mora vesh që edhe nesër (sot) do të ketë përsëri pritje nga kryeministri për Markun. Është turp për kryeministrin dhe për të gjithë ata që do ta sjellin deri aty.

Mos ta përdhosin veten më tepër, as kryeministri dhe as Erion Veliaj, duke pritur një person që nuk ka arritur asgjë në sport për të merituar ceremoni të tilla. Ju mund të prisni dhe të respektoni çdo njeri, por për merita sportive duhet të shikoni se çfarë kanë arritur këta njerëz. Po barazoni një legjendë si Luiza Gega me Florian Markun, që s’ka bërë asgjë…

Edhe një herë tjetër po dëgjojmë të përdoret termi “kampion bote”. A është korrekte kjo gjë, sipas jush?

Shkon te kryeministri dhe thotë: “Ti do të fitosh zgjedhjet dhe unë do të jem kampion bote”. Janë të dyja rrena. Si mund të mashtrosh njerëzit në këtë formë dhe të thuash që është ndeshje për titull botëror. Nuk e kuptoj a ka njerëz që e udhëzojnë për sportin kryeministrin. Si mund të ndeshen për titull kampion botë një boksier në vend të 262-të në peshën e tij si boksieri meksikan, apo një në vend të 43-të, siç është Florian Marku. Si mund të quash ndeshje për titull kampion bote një përballje e tillë, është absurde!

Le të ndalemi pak te ndeshja me 10 raunde, ku boksieri ynë fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve. A ishte një triumf i merituar, sipas jush?

Ishte një ndeshje e niveleve të ulëta. I kam ndjekur të gjitha raundet dhe them që nuk mund të vazhdojë më me këto mashtrime që ka bërë deri më tani. Deri tani ka pasur kundërshtarë të nivele shumë të ulëta. Ndërsa në duelin e fundit, pati një kundërshtar që është në vend të 32-të në Meksikë për peshën e tij dhe në vend të 262-të në renditje botërore, e megjithatë edhe ky boksier e mundi.

Le të dalë çdo lloj specialisti dhe arbitri dhe të më bindë që Florian Marku e ka fituar këtë ndeshje. Para të gjithë atyre spektatorëve, sigurisht që ia dhanë Markut. Por të gjithë e pamë raundin kur pësoi nokdaun dhe vetëm shpirti e mbajti që e zgjati ndeshjen. Pa harruar që ia kanë shkurtuar raundin për ta favorizuar. Më kanë kontaktuar të gjithë gjyqtarët shqiptarë pas kësaj ndeshjeje dhe më kanë thënë se vetëm dy raunde ka fituar Marku, të tjerat i ka fituar të gjitha meksikani.

Alban Beqiri dhe Denis Nurja janë në peshë të përafërt me Markun. Kush qëndron në nivel më të lartë, sipas jush?

Unë e kam thënë dhe e përsëris që dy boksierët që janë afër peshës së Florian Markut, si Alban Beqiri, edhe Denis Nurja, janë nivel shumë më i lartë. Nëse dikush dëshiron prova, le të vijë qoftë edhe në palestër dhe ta provojë në sparing, nëse nuk pranon për në ring. E kam thënë gjithmonë që mos i nënvlerësoni boksierët shqiptarë. Ne kemi boksierë që kanë fituar medalje në Kampionatin Botëror, në Europian në Lojëra Mesdhetare.

Kemi edhe boksierë profesionistë që kanë nga 10 fitore. Kemi boksierë që kanë marrë gjerdane në Gjermani, si Kristian Dema, kemi Jurgen Uldedajn që është boksier i pastër dhe kampion i vërtetë. Thirrja ime për Markun është: “A i njeh boksierët shqiptarë?”. Mund të vish dhe të shikosh kampionatin kombëtar që do të bëhet me 6 tetor në Vlorë. Hajde mëso dhe shiko se si janë dhe nëse dëshiron, mund të marrësh pjesë edhe ti. Por mendoj që nuk do të kishte asnjë shans që të fitonte në kampionatin kombëtar, sepse në peshën e tij është Alban Beqiri dhe e ka të pamundur.

Pra, ju thoni që boksi olimpik, apo siç njihet ndryshe ai amator, është shumë më i vështirë se duelet që realizon Marku?

Nëse Florian Marku e quan veten shqiptar dhe është kaq patriot për flamurin, le të vijë dhe ta provojë boksin, të bëhet një herë kampion i Shqipërisë si gjithë të tjerët. Nëse Marku e quan vetën boksier me nivel, Fidel Ylli dhe Komitetit Olimpik le ta ftojnë për të marrë pjesë në kualifikuese europiane që të shkojmë në olimpiadë.

Të vijë një herë dhe ta sigurojë kualifikimin me boksierët shqiptarë, pasi për të shkuar në kombëtare, duhet fillimisht të ndeshesh me boksierët tanë, më pas të bëhet kampion Ballkani, Europe dhe të kualifikohet për në Olimpiadë, sepse ne kemi nevojë për të tillë. Këto janë kompeticione ku nuk i zgjedh ti kundërshtarët, por duhet të matesh me short me më të mirët. Por nuk ka vlerë për ta përmendur, sepse për mua, me ndeshjen kundër meksikanit, ai e ka mbyllur karrierën e tij para sportdashësve shqiptarë. Më mirë ta mbyllë kështu me një fitore si e Pirros, që nuk ka vlerë fare, se sa të vazhdojë për të shkuar edhe më keq.

Por si do ta shpjegoni atëherë që Marku ka promotorë më të fuqishëm se boksierët e tjerë shqiptarë?

Sigurisht që Florian Marku është i promovuar shumë në Angli nga disa shqiptarë që kanë lekë. Gjithashtu edhe këngëtari “Noizy” është promotor i tij në një farë mënyrë. Në Angli, atje ku stërvitet edhe Marku, menaxheri që të merr, shikon se sa tifozë do të mbledhësh për të bërë shou dhe para. Nëse mbledh tifozë, ata të rrisin, sepse është biznes. Pra, promotorët kanë shumë interes me Florian Markun, sepse arrijnë të shesin bileta me ndeshje të niveleve të ulëta. Gjithçka është e qartë.

Edhe në të shkuarën ju e keni ngritur gjithmonë zërin duke denoncuar fenomene të tilla në boksin shqiptar…

Nuk mund të heshtësh përballë një situatë të tillë dhe mendoj që çdo specialist i boksit duhet ta ngrejë zërin. Është për të ardhur keq kur shikon sportistë që stërviten dhe sakrifikojnë gjithçka për sportin dhe vjen e merr vëmendjen një ndeshje ndërmjet një boksieri në vend të 43-të dhe një tjetri në vend të 262-të. Si trajner i vlerësoj shumë boksierët tanë, si në boksin amator, ashtu edhe në atë profesionist dhe po të kemi mbështetje, rritemi shumë shpejt.

Por nuk mund të fillosh direkt si kampion bote, ashtu sikurse Florian Marku me 10 apo 11 ndeshje. Ka disa boksierë shqiptarë që kanë më shumë fitore se ky dhe me ndeshje të rëndësishme, por nuk u bëhet reklamë. Kështu që çfarë tjetër mund të them, uroj që qeveria t’i bëjë Florian Markut një pritje të mirë, madhështore, ta mbështesë edhe me lekë, sepse i takon një kampioni bote. Kryebashkiaku Veliaj t’i dhurojë “Çelësin” e qytetit, ndërsa Edi Rama t’i dorëzojë teserën e partisë…

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"