EKSKLUZIVE/ Bamir Topi: Ju tregoj takimin me Riza Lushtën, jetonte në kushte dëshpëruese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 0:20

EKSKLUZIVE/ Bamir Topi: Ju tregoj takimin me Riza Lushtën, jetonte në kushte dëshpëruese

NGA UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Ndër shqiptarët e rrallë, që ka pasur një takim me Lushtën para viteve 90- të, ka qenë Bamir Topi. Ish-presidenti i Shqipërisë shfrytëzoi rastin gjatë kohës që kryente studimet pasuniversitare në Torino për të takuar një prej futbollistëve më të mëdhenj që kanë nxjerrë trojet shqiptare. Natyrisht, i nxitur edhe nga letra e para 75 viteve, vendosa t’i rikthehem një bisede me z. Bamir Topi, ish-presidentin e Republikës, kur kohë më parë, në periudhën tonë të rinisë, më kishte treguar për një takim të tij me Riza Lushtën. Një bisedë e mbetur në heshtje, e pakomentuar për shkak të rrethanave asokohe.

Riza Lushta LOGO

Një ngjarje që vite më vonë, z. Topi e rrëfen edhe në librin e tij “Nocturn”, ku përshkruan atë takim, të padëgjuar nga lexuesit sportiv. Komunikova me mikun e hershëm dhe takimi me Topin ishte më shumë se miqësor. Biseda u përqendrua te Lushta, por edhe rreth kujtimeve të tjera dhe zgjati gjatë. Me një gazetë italiane sportive në dorë, ai shprehu kënaqësinë për ta kujtuar atë ngjarje, por në këtë rast për “Panorama Sport”.

Një histori e rrallë, kur në Torino ai u njoh me Riza Lushtën dhe që mund të jetë ndoshta edhe shqiptari i vetëm, të paktën para ’90 që ka mundur të takojë e të flasë me legjendën shqiptare dhe të Juventusit. “Jetonte në Via San Pio V, afër stacionit qendror të trenit “Porta Nova” në Torino. Ishte rastësi dhe shkak u bë një kolegu im i universitetit. Pasi trokita në derë, pak çaste më vonë dëgjoj një zë që pyet: Kush ashtttt në shqip? Hapi derën, “bujrum” më tha”, – kujton z. Topi.

Bamir Topi

Z. Bamir, më vjen mirë që jemi ulur si dikur dhe po flasim për një ngjarje të lënë në harresë, një histori të arkivuar në kujtesën tënde… Si e takuat Riza Lushtën?

Sigurisht para ’90-ës nuk mund të flisja për takimin tim me Riza Lushtën. Kjo, për rrethanat dhe situatën në të cilën jetonim ne shqiptarët që dilnim jashtë, por edhe për faktin se për Riza Lushtën pak flitej dhe kujtohej. Diçka kisha biseduar sigurisht me shokët e ngushtë, miqtë e të afërm dhe ua pata treguar, edhe si një ngjarje të veçantë, kurioze.

Nga njerëz që e kanë njohur, quhet Riza Llustra, por në Itali e kanë njohur e shkruar Lushta. Pse, si mendoni ju?

Ai këtë mbiemër ka mbajtur në Itali. Sigurisht, Lushta është më e thjeshtë në artikulim se Llustra mendoj dhe ky mund të jetë motivi. Edhe për Kryeziun, janë mbiemra të vështirë të shqiptohen në italisht. Nga Llustra, është më praktike Lushta. Kështu e kanë njohur atëherë edhe sot.

SportiLOGO

Si nisi historia e takimit me të, çfarë ndodhi saktësisht?

Ka qenë viti 1988. Prej një viti ndodhesha në Torino si student pasuniversitar. Para Krishtlindjeve, rreth datës 17 dhjetor të ’87-ës, pedagogët e kishin si traditë të shkëmbenin dhurata simbolike midis tyre. Për mua kishin përgatitur diçka që nuk e mendoja.

I hapën të gjithë, e hapa edhe unë. Shoh një album të Juventusit. Një koleg i imi, të cilin e kam edhe sot ndër miqtë e afërt më thotë: Ta kam bërë unë albumin, se në atë formacion të Juventusit të viteve ’40-të, është edhe një shqiptar i yti. Menjëherë m’u kujtua. Bëhet fjalë për Lushtën i them unë. Po m’u përgjigj ai.

Sa informacion dhe sa njohje kishit ju për Riza Lushtën?

Në rrethin familjar kur flitej për sportin, diskutohej edhe për Rizain, si një ish-lojtar i Sport Klub “Tirana” para lufte, për largimin e tij në Itali dhe karrierën me Juventusin. Kryesisht nga Adem Karapici, i afërm i mamasë apo Faik Karapici daja im, ish-portier, të cilët kishin luajtur me Rizain, e kishin jetuar nga afër, por edhe me informacionet që kishin kur ai luante në Itali. Për ne, brezin tim dhe mua ishte një simbol, por sigurisht i panjohur thellë.

Gazeta LOGO

Z. Topi, kthehemi edhe një herë tek albumi me Lushtën lojtar të Juventusit…

Duke hapur faqet e albumit, të cilin e kam në bibliotekën time, shkoj pikërisht te faqja ku flitet për Lushtën e ndërmjet rreshtave jepej një sqarim, që Lushta jetonte në Torino. Ishte edhe ky një fakt që më ngjalli kureshtjen, më ngacmoi, por të nesërmen do të udhëtoja për Shqipëri me tragetin Trieste-Durrës, kështu që nuk kisha asnjë mundësi. Ndërkohë diçka përgatita për kur do kthehesha.

Riktheheni në Torino dhe nuk harroni dëshirën për të realizuar takimin me Lushtën. Si vepruat?

Ka qenë muaji mars. Duke pirë një kafe me kolegun që më dhuroi albumin, i them se interesohesha të takoja Riza Lushtën. Është e mundur e pyes? Po, m’u përgjigj. Ai banon në Torino. U ngrit e së bashku shkuam te telefoni, prej nga mori klubin e Juventusit. Pasi u prezantua sepse e njihnin, mori informacion se ku banonte saktësisht Riza Lushta. Uli receptorin e më thotë: Banon në Via “San Pio V….”

A ishte e vështirë më pas?

Kaq mjaftoi. E fiksova. Ishte një segment rrugor që unë e bëja thuajse çdo ditë nga Universiteti në mensën universitare të studentëve. Pra, Riza Lushta banonte aty. Në njërin nga ato pallate. Ditë pasdite, kur kthehesha nga universiteti, ndaloja, vështroja, hidhja shikimin dhe pyesja veten: Ku mund të ndodhej apartamenti i tij?. Afrohesha te citofonët, i hidhja një lexim të shpejtë mbiemrave të banorëve, por të tijin nuk e shihja.

Dhe çfarë zgjidhje gjetët?

I them sërish mikut dhe kolegut tim, se kisha tentuar, por kisha hasur shumë vështirësi. I thashë se nuk po e gjej pallatin dhe apartamentin e Riza Lushtës. Ai u ngrit, iu drejtua përsëri telefonit, komunikoi me klubin e Juventusit dhe pasi mori informacion më të detajuar më përcaktoi pallatin dhe katin e dytë ku banonte Lushta.

Dhe vjen takimi i shumëpritur me Lushtën…

Po… Ishte një ditë fundjave. Kur po kthehesha, drekë, papritur vendosa të gjej apartamentin e Lushtës. Iu afrova pallatit që më kishte rekomanduar kolegu. Ndërsa po vështroja emrat dhe ai i Lushtës nuk figuronte, u hap dera kryesore nga ku dolën një burrë e grua. I përshëndeta, ata dolën dhe unë u futa. Ngjita shkallët, ndalova në katin e dytë.

Ishin dy dyer. I bie asaj majtas, kur pas pak dëgjoj një zë: “Kush aaaasht” në shqip. Këtë detaj e kujtoj shumë mirë, nuk e harroj. “Jam një student shqiptar” i përgjigjem edhe unë në shqip. Hapi derën. Shoh një burrë me bastun që më thotë, “bujrum”. Plot emocion e ndoqa nga pas. Ai më dërgoi në një sallë të madhe, klasike, me piktura, biblioteka, sende në mur. U ulëm. Unë isha i befasuar.

Gjithçka nis me prezantimin. Si e mendonit këtë moment para takimit?

Nuk kisha asgjë, asnjë figurë vizive apo pamje të tij. Pra isha krejt i paqartë dhe kisha shumë kuriozitet. Biseda nisi me prezantimin dhe qëllimin e vizitës. Ndërsa flisja shihja tek ai një fizik të lodhur. Ishte rreth të 73-tave, komunikonte ngadalë me një shqipe arkaike, të vjetër, por që nuk e kishte harruar. Kishte pësuar një iktus cerebral dhe kjo e kishte detyruar të mbante një bastun për t’u mbështetur. Sidoqoftë ishte në gjendje të pranueshme.

Më thatë se kujtonte pak, vetëm disa emra…

I shpreha konsiderata të mira të të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të cilët e kishin kthyer emrin e Lushtës në një legjendë. Tentova t’i sjell në kujtesë figura të moshatarëve të tij. Ndër ta Selman Stërmasin, Adem Karapicin edhe si të afërmit e mi me të cilët kishte luajtur. Pa diskutim edhe Loro Boriçin. Por e përsëris se çuditërisht, biseda e tij përqendrohej vetëm te Stërmasi. Me sa dukej për atë kontribut të veçantë që Stërmasi kishte treguar për të. Nga përkujdesja, strehimi në Tiranë pas ardhjes nga Mitrovica, periudhën si futbollist te Tirana, si dhe transferimin e tij si lojtar në Itali. Tentova t’i kujtoja figura të tjera të njohura në Tiranë, por…

Shumë vite izolim, kishte shkëputur lidhjet. A kishte ai ndonjë informacion për Shqipërinë dhe për fatin e miqve apo shokëve të tij?

Ndoshta për shkak të sëmundjes, memories së kufizuar dhe artikulimit të dobët, nga njerëzit që e kishin ndihmuar në jetë, ai nuk e hiqte nga goja Selman Stërmasin. Kjo dhe nga fakti se nuk kishte informacion sistematik apo e kishte të munguar, të parinovuar për njerëz, miq, bashkëkohës të tjerë. Kjo edhe nga izolimi, shkëputja me Shqipërinë pas luftës e në vitet e dekadat që vijuan. Komunikime të rastit me letra, jo më shumë. Më përmendte, më fliste dhe kujtonte Dake Kusin, siç duket një mikun e tij. Një emër dhe person që e njihja, e kisha afër shtëpisë sepse jetonte te Selvija.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga ai takim?

Ndërsa po bisedonim, dëgjoj zhurmë. Nga një derë tjetër e apartamentit luksoz e të stërmadh u futën disa persona. Midis tyre ishte djali i shtëpisë, një burrë rreth të 40-tave. Ai futet me gjallëri e zhurmë në ambientin ku po rrinim ne. Nga veshja elegante kuptova se ishin punonjës administrate ose i ndonjë prej bankave aty pranë. Në atë çast, djali ndjehet i befasuar. Sheh një vizitor të panjohur në shtëpinë e tij.

Me sa kuptova më vonë shtëpia nuk ishte e Lushtës. Pyeti Rizain: Kush është ky mik? Një student shqiptar,- iu përgjigj Lushta. U përshendeta me të. Rizai u çua në këmbë dhe më thotë, – eja të shkojmë në dhomën time. Nuk fola duke e ndjekur nga pas. Ai ka qenë një moment kur u ndjeva i befasuar, pasi nuk po kuptoja natyrën e marrëdhënieve midis tyre. E pyes kush ishin këta? Më thotë, është i zoti i shtëpisë. Kur po futeshim në dhomën ku ai jetonte, më sqaroi se ai është djali i familjes që më kanë marrë për bamirësi nën kujdesin e Juventusit.

Riza Lushta Juventus LOGO

Dhe përballeni me një situatë kurrë të menduar nga ju për Lushën e madh. Pse?

Ajo ishte një dhomë e vogël e mobiluar shumë thjeshtë, një dollap dhe një televizor vendosur mbi të. Këtë ma kanë dhënë ata të Juventusit,- më tha. Pata një zhgënjim, një tronditje të momentit. Ishte një situatë dëshpëruese, për ku ai jetonte.

Nuk e kisha menduar, se i madhi Lushta, lojtari Juventusit, Napolit, të jetonte në një situatë të tillë. U trishtova. Edhe jeta e tij familjare e tillë kishte qenë. Ishte ajo familja që i kishte liruar një dhomë dhe kujdeseshin për të. I pamartuar, pastaj largimi për në Amerikë e më pas kthimi në Torino.

Më thatë se, ishit kurioz edhe Lushta nuk kishte ardhur asnjëherë në Shqipëri?

E pyeta se çfarë njerëzish ke? Kam dy nipa që jetojnë në Kosovë,- më thotë. Pyetjes time pse nuk e ke vizituar dhe a ka nostalgji për Shqipërinë, ai m’u përgjigj: Vërtet shumë. Kam pasur gjendje të vështirë shëndetësore sepse kalova një iktus cerebral dhe më ka lënë gjysmë të paralizuar. Sa të bëhem më mirë kam marrë premtimin e nipave të mi për të ardhur e parë Shqipërinë. Një ëndërr që nuk e kam realizuar ende deri sot.

Largoheni nga Lushta dhe Torino, për t’u rikthyer në atë qytet vite më vonë. A mundët ta takoni sërish?

Qëndrimi me Lushtën atë ditë, nuk zgjati shumë. U largova me premtimin se do të takoheshim sërish, por nuk u ktheva më. Jam rikthyer në Torino kohë më vonë, në vitin 2000, kur ai kishte ndërruar jetë. Bashkë me mikun, kolegun tim, i gatshëm kurdoherë edhe sot, sidomos kur flasim për sportin, tifozë të Juventusit të dy, shkuam në varreza.

Riza Lushta pllaka e varrit logo

Doja të vendosja një lule mbi varrin e tij dhe ashtu bëra. Varri i tij ndodhet në sektorin e varrezave të myslimanëve dhe duke mos patur familjarë, të afërm, ishte disi i braktisur. Kjo që kam këtu është “La Gazzetta dello Sport”, që flet për Riza Lushtën pasi ai kishte ndërruar jetë.

Z. Topi, lexuat letrën e Lushtës, me të cilën ai i është drejtuar “Sportit” në atë kohë, cili ka qenë motivi, si e mendoni? Ka qenë viti 1945, apo jo?

Jemi në vitin e parë pas çlirimit, situata ishte kaotike. Ende nuk ishte instaluar dukshëm sistemi komunist në Shqipëri, apo çfarë drejtimi politik do të merrte Shqipëria. Sipas meje, letra është e sinqertë, realiste, nuk ka asnjë dozë hipokrizie.

Letra e Riza Lushtes logo

Si e gjykoni, pse Kryeziu e Lushta nuk erdhën të luanin me Kombëtaren e Shqipërisë në Ballkaniadën e ’46-ës, ndonëse ishin ftuar?

Ka një pikëpyetje, mbetet enigmë edhe sot… Mundet që angazhimet,- siç thotë me Napolin,- apo kontratat të mos e lejonin të vinte të luante. Duhet gjykuar në funksion të kohës, kushteve, situatave politike sidomos në Shqipërinë e atyre viteve. Rrethanat e një kohe të cilën nuk mund ta gjykojmë, apo të na japin mundësi ta kuptojmë saktësisht, realisht, pse, cili është motivi që Lushta i drejtohet “Sportit” më këtë letër publike.

Dashamirëse pa dyshim, nuk gjykoj se e ka bërë për justifikim. Edhe vite më vonë, kur në rrethin familjar bisedohej për të apo Kryeziun, shumë pak kishte informacion për mosardhjen, refuzimin në heshtje të tyre, nëse ka qenë i tillë, për të luajtur me Shqipërinë në Ballkaniadën e ’46-ës. Vështirë ta gjykosh sot. Kujtoj se dy italianë, të dy portierë, Pozeli i Kombëtares dhe Panarese i Kuçovës, u lejuan të rikthehen në Itali në ato vite.

Ka një fakt: kur Kombëtarja e Shqipërisë luajti në Gjermani në prill të ’67-ës, në kthim, gjatë qëndrimit në Romë, Myslym Alla takoi Naim Kryeziun. Më pas u kritikua për këtë. Ju keni dijeni?

Po e kam dëgjuar këtë fakt. Ka qenë edhe Loro Boriçi e Besim Fagu, por këta nuk e takuan. Ndoshta mos ardhja e Lushtës dhe Kryeziut në Ballkaniadën e ’46-ës, raportet, lidhjet me qeverinë, shtetin komunist ishin kufizuar në maksimum. Në heshtje ata ishin të padëshirueshëm dhe ura e komunikimit me ta ishte ndërprerë njëherë e përgjithmonë.

Me siguri ata kishin informacion se, nëse vinin në Shqipëri mund të kishin pasoja. E pafalshme mbetet që u lanë me vite në harresë. Ndërkohë, sa herë që i rikthehem takimit me Lushtën, edhe kur e tregoj si në këtë rast me ju, kam emocion, pasi mbetet një ndër kujtimet më të veçanta, të bukura e të paharruara që kam. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, e kam të gjallë si në marsin e 1987-ës.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

FOTO/ Shqiptari i parë që luajti me Juventusin, shikoni ku është varrosur Riza Lushta

Letër nga Riza Lushta, 75 vite më parë kolosi i futbollit shkroi për Shqipërinë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"