EKSKLUZIVE/ “Balaj bën diferencën, e deshëm që vjet”, presidenti Xhaferi: Besoj te titulli, Partizanit i kthyem reston (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 20:43

EKSKLUZIVE/ “Balaj bën diferencën, e deshëm që vjet”, presidenti Xhaferi: Besoj te titulli, Partizanit i kthyem reston (E PLOTË)

Alban Xhaferi mendon se Vllaznia i ka kthy er reston Partizanit pas fitores së fundit, duke iu referuar këtu humbjes në ndeshjen e fazës së parë në Shkodër. Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti i kuqebluve ka folur për vazhdimësinë dhe për afrimin e bujshëm të sulmuesit Bekim Balaj, i cili rikthehet në Shkodër pas 13 vitesh.

balaj miloti shaferi

Xhaferi, çfarë do të thotë për ju një përmbysje ndaj Partizanit?

Partizanit i kthyem borxhin… Sigurisht që më gëzon fitorja. Por dua të them që kampionati është i gjatë dhe duhet që të marrim gjërat me radhë. Partizani nuk është pa meritë në krye, por ne kemi objektivat tona.

E mendoni titullin kampion?

Ne që në fillim të sezonit e kemi si objektiv titullin kampion dhe do të vazhdojmë të mendojmë deri në fund, pra deri sa të na lejojë matematika për titullin kampion. Fillimi i vitit 2023 ishte i mirë dhe shpresoj që të jetë viti ynë për të arritur objektivat.

Patët mungesa, sidomos në mbrojtje, por fituat. Ju kënaq më shumë ky fakt?

Kemi pasur mungesa në mbrojtje, por edhe në sulm me Latifin. Megjithatë, skuadra ka 24 lojtarë, ndaj edhe kemi krijuar një organikë sa më plotë…

Keni bërë një afrim që përflitej prej kohësh si Bekim Balaj, a mund të quhet kjo goditja e madhe e merkatos së Vllaznisë?

Ne kemi negociuar me Bekimin në fakt edhe vitin e kaluar, por nuk ishte momenti. Megjithatë, këtë vit bëmë shumë negociata dhe arritëm një rezultat pozitiv në të dyja anët, ku firmosëm këtë marrëveshje, që mendoj se është një diçka shumë e mirë për klubin e Vllaznisë, duke pasur parasysh emrin e tij, por edhe eksperiencën e tij. Më vjen mirë që tani është me ne, sepse mbi të gjitha Bekimi është një djalë i shkëlqyer, i cili është edhe emocionalisht i lidhur me qytetin dhe besoj se është një goditje e zgjuar nga ne.

Sa e shton besimin tashmë që ky afrim mund të ndikojë shumë për trofe?

Ajo ç’ka është më e rëndësishme është që si Bekimi, ashtu edhe futbollistë të tjerë shkodranë punojnë për arritjen e objektivave për Vllazninë dhe gjithmonë të kemi rezultate pozitive. Vetëm në këtë mënyrë rrisim nivelin dhe mund të jemi në majat e futbollit shqiptar. Synimi është që të kemi një përfaqësim të denjë dhe në nivele ndërkombëtare.

Ne kemi bërë një kontratë me Bekimin për tri vite dhe arsyeja që e kemi bërë për tri vite është, sepse ne besojmë te Bekimi, besojmë te vlerat e tij, besojmë se ai do të japë më të mirën për Vllazninë. Personalisht, mendoj se ai do të bëjë diferencën në kampionatin tonë.

Do të ketë largime apo afrime të tjera?

Merkatoja është hyrje-dalje… Në fakt, për afrimet e tjera nuk mund të flas, sepse jemi akoma në negociata. Merkatoja akoma nuk është mbyllur.

Kështu që kam dëshirë t’i lëmë gjërat konfidenciale, sepse nuk parapëlqej të flas një diçka që ne jemi në proces negociatash me gjithsecilin futbollist që potencialisht mund të vijnë ose ndoshta mund të ketë edhe largime.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"